Pakti PS-PD, ambasadorët kërkojnë veprime konkrete
Pakti mes PS-së e PD-së është përshëndetur dje zyrtarisht nga Brukseli. Ndërsa ambasadorë të akredituar në Tiranë shfaqen skeptikë për mbarëvajtjen e këtij pakti, duke vënë theksin se Shqipëria ka punë për të bërë në përmbushjen e 12 rekomandimeve
TIRANË Pakti mes dy partive kryesore në vend për ligjet me 3/5-at, reformën zgjedhore dhe atë parlamentare është përshëndetur dje edhe nga Bashkimi Europian, edhe pse skepticizmi për mbarëvajtjen e saj shfaqet dukshëm nga ndërkombëtarët.
Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Peter Sano, deklaroi dje se pas marrëveshjes pret miratimin e propozimeve. “Ne mezi presim miratimin e këtyre propozimeve dhe konsiderojmë se këto zhvillime i hapin rrugën një momenti të ri në rrugën e Shqipërisë drejt përmbushjes së qëllimit kombëtar për reformat e integrimit në BE. Ne e mirëpresim një gjë të tillë”, - tha dje në një intervistë për TCH, zëdhënësi i Fyles. Ndërsa ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzinska, u shpreh e kursyer në qëndrimin e saj rreth kësaj marrëveshjeje, duke shtuar se duhen përmbushur të 12 rekomandimet e kërkuara nga Brukseli. “U takon shqiptarëve që të bëjnë përpjekjet për integrimin, i takon shoqërisë dhe politikanëve shqiptarë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga raporti i fundit. Janë 12 rekomandimet që duhen përmbushur dhe ne duhet të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë”, - tha ajo. Po aq skeptik ishte dje edhe Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjer Jensen. “Historia e Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit duket si një përsëritje e legjendës së Kalasë së Rozafës në Shkodër, ku muret ndërtoheshin gjatë ditës për t’u rrëzuar gjatë natës. Por ndryshe nga sa ndodhi në legjendën e Rozafës, askush nuk duket të ketë vullnetin për të bërë një sakrificë, që muret të qëndrojnë ... Sigurisht që Shqipëria nuk është gati aq për të qenë një kandidat për t’u anëtarësuar...”, - tha ai, duke shtuar se ndoshta edhe politikanët shqiptarë kanë filluar të kuptojnë se çfarë po rrezikojnë. Dy ditë më parë, partitë kryesore në vend konkretizuan paktin e arritur thuajse një javë më parë mes negociatorëve demokratë e socialistë. PD e PS kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vijuar punën me 3 nga 10 çështjet që përfshinte pakti i propozuar nga kreu socialist Edi Rama, më konkretisht për reformën parlamentare, reformën zgjedhore dhe ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash për t’u miratuar. Sipas këtij pakti, socialistët nga njëra anë bien dakord të nisin diskutimin dhe të miratojnë një pjesë të ligjeve me 3/5-at që nuk kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje të madhe, ndërsa demokratët kanë pranuar që të ngrenë një grup pune për të punuar për reformën parlamentare; dhe së dyti, të ngrenë komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.