Rama: Kompanitë që mbajnë punonjësit me pagë minimale do humbasin krahun e punës

Kryeministri Edi Rama duke folur për rritjen e pagave në një takim me punonjës të sektorit hoteleri-turizmit ka theksuar se kompanitë nuk mund të vijojnë të mbajnë punonjës me pagë minimale.
Sipas tij, kjo sjellje do të godiste vetë kompanitë dhe tregun ku ato operojnë.
Rama vuri në dukje se në këtë mënyrë ato rrezikojnë të humbasin vendin e punës.
“Ka plot kompani që vazhdojnë duke gënjyer mendjen që duke pasur 54 për qind të punonjësve me pagë minmale do të mund t’i mbijetojnë kësaj kohe.
Këto kompani në këtë sektor dhe në çdo sektor po sillen me veten e tyre, pra pronarët e këtyre kompanive po sillen me “pjellën” e tyre, me krijesën e tyre, me burimin e të ardhurave të tyre si ai që tha; “si ka mundësi që më ngordhi gomari tamam kur e mësova të mos hajë.”
Njësoj! Sepse do të humbasin me shpejtësi para syve atë që është oksigjeni pa të cilin kompanitë nuk jetojnë dot, që është krahu i punës.
Këtu tek kjo shifër, domethënë gjysma e të punësuarve në shërbimet e hoteleri-turizmit që kanë pagë minimale qëndron edhe një tjetër problem i madh me të cilin ne ndeshemi dhe për të cilin jo vetëm do flasim por dhe do veprojmë, që është mashtrimi i shtetit”, ka theksuar Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi më tej se mosdeklarimi i pagës reale të punonjësve është mashtrim ndaj shtetit dhe grabitje ndaj vetë punonjësve.
Mashtrimi i shtetit dhe grabitja e punonjësve, duke mos deklaruar pagën e tyre reale sepse nuk është e vërtetë shifra që të gjithë ata punonjës janë me pagë minimale se nuk të vjen më njeri kaq kollaj me pagë minimale, përjashto realitete ekonomike më të vështira, por jo në zonat ku bëhet turizëm real, nuk të vjen njeri”, theksoi Rama.
/rtsh.al/