E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kongresi Botëror i Ligjit në Tiranë, vlerësim i reformës në drejtësi

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Tirana do të shndërrohet këtë javë në një pikë referimi për një nga temat më thelbësore për të ardhmen e vendit, sundimin e ligjit.

Në rubrikën “Shënimet e Javës”, përmes një videoje të publikuar nga Berlini, Rama njoftoi se më 6-7 maj do të zhvillohet në Tiranë një aktivitet që paraprin Kongresin Botëror të Ligjit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në bashkëpunim me Shoqatën Botërore të Juristëve.

Sipas tij, ky kongres përfaqëson një platformë të nivelit të lartë ndërkombëtar, nën patronazhin e mbretit Felipe të Spanjës, që mbledh liderë politikë, juristë dhe ekspertë të drejtësisë nga e gjithë bota.

Kryeministri theksoi se përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës lidhet drejtpërdrejt me vlerësimin e reformës në drejtësi dhe fazën e avancuar ku ndodhet ky proces transformues.

“Reforma në drejtësi nuk ka qenë një proces i lehtë. Ajo ka kërkuar vullnet politik të hekurt, vendimmarrje të vështira dhe gatishmëri për ndryshime të thella”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ky proces është mbështetur dhe garantuar nga shumica parlamentare, duke theksuar se organizimi i një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit në Shqipëri përbën një moment të rëndësishëm dhe një arsye krenarie për qeverinë.

“Fakti që Shqipëria bëhet mikpritëse për një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit është një motiv krenarie për të gjithë, por posaçërisht është për ne, qeverinë e kësaj shumice.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›