Rama: Kriza për ne është në kuti
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se KE-ja tregoi për krizën e demokracisë në Shqipëri, dhe fajtor sipas kreut socialist, është Sali Berisha. “Rezoluta e Këshillit të Evropës e miratuar pak orë më parë është e qartë: Shqipëria është në krizë politike. Kriza për ne është brenda në kutitë e votimit. Ne jemi gati të dialogojmë qysh nesër për zgjidhjen e krizës. Por ne nuk do të heqim dorë as nga bojkoti dhe as nga protestat pa u zgjidhur kriza”, theksoi Rama. Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, për të rrëzuar këtë qeveri, që mbjell korrupsion. “I falënderoj në emër të PS dhe të gjithë popullit opozitar, të gjitha grupet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për mbështetjen që i dhanë vendit duke vënë gishtin në plagë përmes miratimit të rezolutës së sotme dhe rrëzimit të amendamenteve vulgare të Partisë Demokratike. Ato po, ishin një sjellje politike që e turpëron Shqipërinë në tempullin e demokracisë europiane. Mirëpresim njëkohësisht përfshirjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës siç thotë edhe Rezoluta. Beteja jonë për demokracinë vazhdon sot edhe me më shumë bindje e forcë se dje”, vijoi Rama.