Rama-Kukan: Optimist për nënshkrimin e rezolutës PD-PS
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, priti sot në një takim të posaçëm delegacionin e Parlamentit Europian të komitetit të përbashkët parlamentar të stabilizim asocimit Shqipëri - BE, të kryesuar nga Eduard Kukan.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, parë nga këndvështrimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Europian dhe rezolutave të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë.
Zoti Kukan, në emër të delegacionit të Parlamentit Europian, përshëndeti hapat e ndërmarrë nga Partia Socialiste në drejtim të fillimit të punës për reformën zgjedhore, reformën parlamentare, shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si edhe procesin e nisur tashmë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kukan është shprehur optimist për nënshkrimin e një rezolute të përbashkët me pëlqimin e anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës, rezolutë e cila nuk është nënshkruar në tre takimet e mëparshme.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste garantoi delegacionin e Parlamentit Europian mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ushtruar të gjithë përgjegjësitë në funksion të përmbushjes së 12 prioriteteve të identifikuara nga Bashkimi Europian në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE.
Anëtarët e delegacionit, njëkohësisht pjesëtarë të grupit parlamentar të partive popullore në Parlamentin Europian, shprehën keqardhjen e tyre dhe u distancuan nga deklaratat e fundit të kreut të grupit parlamentar EPP, Joseph Daul, në adresë të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare.
Gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje edhe në lidhje me çështje të tjera problematike për Shqipërinë si manipulimet e vëna re gjatë procesit të fundit zgjedhor, nivelin e lartë të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, reformën në drejtësi etj.