E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Nevojitet një mekanizëm i harmonizuar antikorrupsion në tërësinë e institucioneve

TIRANË, 26 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u shpreh sot se “nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojmë që procesi i negociatave  të jetë i pakoordinuar”, ndërsa theksoi se “është e nevojshme që të kemi një mekanizëm të harmonizuar antikorrupsion”.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama theksoi se “ne duhet ta rrisim shpejtësinë e progresit”.

“Progresi i bërë është shumë i rëndësishëm të kuptohet dhe të përqafohet në përmbajtjen e tij nga të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë skuadër kombëtare, sepse nuk duhet në asnjë mënyrë të lejojmë që ky proces të jetë i pakoordinuar mes të gjithë lojtarëve të kësaj skuadre. Në fund të ditës, në tryezën e negociatave ne jemi Shqipëria. Të gjithë veshim një fanellë, ku kemi numra të ndryshëm, sipas institucioneve që përfaqësojmë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi nevojën për të pasur uniformitet në lëvizje si një skuadër që e di qartësisht se cilat janë objektivat, strategjia, taktika dhe pozicioni në fushë i secilit.

“Ky proces mund të bëhet i plotë vetëm përmes bashkëveprimit.

“Nëse shohim gjithë diagnozën, aty shohim edhe çfarë është bërë në Shqipëri në gjithë këto vite kundër korrupsionit dhe sa nevojë ka akoma për të bërë për të garantuar një shtet i cili është edhe një mekanizëm i harmonizuar në tërësinë e institucioneve të veta antikorrupsion. Vetë shteti. Që antikorrupsioni të jetë i shtrirë në të gjitha segmentet e funksionimit të shtetit në mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe që subjektiviteti njerëzor të gjejë shumë më pak hapësirë prë të ndërhyrë”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›