Rama: Ky është buxheti më i madh për interesat e borxheve që do paguajmë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Berisha se ky është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë. Rama tha se ky është buxheti më i madh për interesat e borxheve. Buxheti më i madh? Po, më i madhi për interesin e borxhit që e ka marrë Saliu, por e paguajnë shqiptarët. Të tjerat? Hukubet, thotë Rama.
Gjatë fjalimeve të tij, Rama ka theksuar se vendi është në qorrsokak për shkak të borxheve dhe e ka vënë çështjen e borxhit në krye të listës së prioriteteve për partinë e tij kur ajo të vijë në pushtet.
Në vitin 2011 për shërbimin e borxhit do paguhen 600 milion dollarë, dy herë më shumë se në vitin 2005. Pra shqiptarët paguajnë më shumë për borxhin se për arsimin, shëndetësinë e bujqësinë. Çdo fëmijë që lind sot ka një borxh 2400 dollarë, kurse çdo familje paguan çdo muaj 65 dollarë në muaj, më shumë për borxhin sesa për faturat e energjisë elektrike. Ne jemi të përgatitur për përgjegjësitë për kontrollin e borxhit publik, deklaronte Rama në Asamble.