Rama: “Liberalizim të universiteteve, por me konkurrencë”
Partia Socialiste zhvilloi dje konferencën rajonale të Tiranës “Arsim për shekullin e ri”. Kjo tryezë mbyll ciklin e 12 konferencave rajonale që janë zhvilluar në të gjitha qarqet e Shqipërisë. Ajo shënoi dhe mbylljen e “Dialogut për Arsimin” në nivelin e tretë të tij, pasi më parë është bërë një debat publik, që ka filluar në shtatorin e shkuar, koha ku është iniciuar ky dialog. I pranishëm në këtë tryezë të fundit për arsimin ishte kryetari i PSSH-së, Edi Rama, i cili u shpreh se në këtë proces dialogimi të çelur nga PSSH-ja kanë marrë pjesë ekspertë dhe profesionistë të sistemit, të cilët kanë shprehur mendimet e tyre, për ndërtimin e një programi të ri për arsimin nga Partia Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur për liberalizimin e universiteteve, tha se liberalizimi pa konkurrencë ka një efekt negativ në të ardhmen e rinisë shqiptare.
“Nuk ka liberalizim pa konkurrencë. Liberalizimi pa konkurrencë është kolektivizim që nuk ka të bëjë fare me sistemin ku ne jetojmë. Liberalizimi pa konkurrencë është shpërdorim i ëndrrave, ambicieve, interesave, të të gjithë atyre që bëjnë pjesë në një sistem, ku ky liberalizim funksion dhe në rastin e konkret të të gjitha të rejave dhe të rinjve që studiojnë në universitetet tona dhe që e përfundojnë procesin e nxënies në sistemin arsimor shqiptar. Sot jemi në këto kushte, kemi një liberalizim pa konkurrencë, kemi një liberalizim ku talenti dhe merita janë absolutisht irrelevant”, - u shpreh Rama. Më tej kreu i selisë rozë shprehu bindjen për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Rama tha se për PS-në fitorja nuk është qëllim, por mjet për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve. “Në Shqipëri, një nga arsyet e dështimeve të këtyre 17 viteve është fakti se partitë kanë menduar të shkruajnë për të marrë pushtetin, por nuk kanë menduar se çfarë do të bëjnë të nesërmen e fitores. Fitorja e pushtetit ka qenë qëllimi i fundit i çdo ballafaqimi dhe përplasjeje mes forcave politike gjatë periudhës para elektorale, ndërsa transformimi i kësaj mundësie të jashtëzakonshme dhe këtij privilegji të madh që zgjedhësit na e japin në rezultate, ka qenë një shqetësim që ka lindur vetëm të nesërmen e fitores. Për ne fitorja nuk është qëllim, por është mjet. Nuk është momenti i fundit i betejës, por fillimi i rrugës për të vënë në jetë të gjitha ato për të cilat jemi votuar”, - u shpreh Rama.
2 Qershor 2008