E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenerla Spahiu: Urdhri i Mediut e nxorri Shtabin e Pergjithshem jashte loje



“Vendi i përcaktuar nga kontraktori, (Gërdeci) nuk siguron masa të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme”. Paralajmërimi i fortë për atë që do të ndodhte në Gërdec vetëm 10 muaj më pas është i shkruar në një shkresë të komandës së Forcës së Bashkuar dhe është dërguar në dy adresa, tek ministria e mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Dokumenti mban datën 3 maj të vitit të kaluar dhe është firmosur nga gjeneral major Shpëtim Spahiu, komandant i kësaj force. Kjo shkresë ende nuk është bërë publike dhe është dokumenti i dytë, mbas shkresës tjetër të Shtabit të Përgjithshëm që refuzonte ngritjen e strukturës së demontimit në Bërzhitë, e firmosur dhe ajo pothuaj në të njëjtën periudhë. Në Prokurorinë e Përgjithshme nuk konfirmojnë se kjo shkresë, që disponohet nga revista MAPO e që në thelb përmban kundërshtimin për përzgjedhjen e Gërdecit ndodhet në dosjet e prokurorëve të çështjes, por vetë Spahiu ka dhënë shpjegime të hollësishme në prokurori për gjithë elementët e përfshirjes së forcës që ai komandonte në të gjithë procesin që nga përzgjedhja e Gërdecit si bazë demontimi municionesh e deri në ditën e shpërthimit fatal. Fatkeqësisht, për këtë paralajmërim nuk ka pasur asnjë reagim për të penguar përzgjedhjen e Gërdecit, por në të kundërt, me urdhër nga digasteri qëndror i Forcave të Armatosura, ndërmerren dy hapa; i pari për kalim kapital të pronës numër 126 “Ish-brigada e tankeve, Gërdec Vorë”, në 22 tetor 2007 firmosur nga ish-ministri Mediu dhe urdhëri për kalim municioni ndërmarrjes Meico, në 7 dhjetor 2007 firmosur po nga Mediu. Një përplasje mes këtyre urdhërave, saktësohet më pas, me kërkesë të Komandës së Forcës së Bashkuar: forcat ushtarake nuk do të lejoheshin të bënin më ruajtjen e territorit ku ndodhej fabrika e vdekjes, një atribut ky që i kalohej po me urdhër të ministrit ndërmarrjes MEICO.
Zbulohet kështu një rreth i mbyllur në zinxhirin e fakteve që plotësojnë njëri-tjetrin që nis që nga momentet e para të vendimmarrjes dhe paralajmërimit për atë se çfarë do të sillte kjo vendimmarrje. Një dosje e plotë nis të hedhë dritë mbi tragjedinë që po përgatitej dhe mbi pyetjet nëse ajo mund të parandalohej apo se cilat ishin veprimet dhe mosveprimet që e shkaktuan atë. Nëqoftëse paralajmërimi i ushtarakëve mbi rrezikshmërinë e ngritjes së bazës së demontimit në Bërzhitë u morrën parasysh, paralajmërimi i fortë i Spahiut për rrezikshmërinë e Gërdecit, nuk dihet se çfarë fundi pati. Ose më saktë, dihet se çfarë nuk ndodhi mbas tij. Fjalia në shkresën zyrtare të 3 majit 2007 se “(Gërdeci) nuk siguron masa të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme”, të paktën deri tani është lënë në hije dhe nuk është përmendur kurrë më parë, por në dritën e saj, mund të rindriçohet në një dritë tjetër e gjithë dosja e tragjedisë që shkaktoi 26 të vdekur, qindra të plagosur dhe miliona euro dëme materiale.
Për ironi të fatit, Gjeneral Major Spahiu është shkarkuar nga detyra dhe është nxjerrë në lirim me propozim të ministrit të ri të mbrojtjes dhe dekret të Presidentit të Republikës. Bashkë me të, të njëjtin fat pati dhe një gjenral tjetër, Komandanti i Komandës Mbështetëse Zija Bahja.
Gjeneral Major Spahiu pranon të flasë për herë të parë për revistën MAPO vetëm tre javë mbasi dekreti i presidentit të republikës e nxjerr atë në lirim. Pranon se ka pasur një nxitje të fortë për të reaguar që në fillim, por më pas ka vendosur të heshtë derisa si ushtarak të bëjë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë për të kundërshtuar këtë veprim ndaj tij. Ai konfirmon saktësinë dhe autenticitetin e dokumentit që disponon MAPO për paralajmërimin për Gërdecin, konfirmon firmën e tij poshtë dokumentit, por nuk pranon të thotë nëse një gjë të tillë jua ka pohuar dhe prokurorëve të çështjes dhe as nëse është pyetur në lidhje me të prej tyre. “Besoj se një gjë e tillë hyn në sekretin hetimor dhe më duhet të hesht për këtë pikë”, thotë Spahiu. Si një ushtarak karriere, deri tre javë më parë numri dy i forcave të armatosura dhe komandant i pothuaj dy të tretave të gjithë trupave të rregullta të ushtrisë, ai thotë se më së paku është ndjerë i fyer nga veprimi i shtetit ndaj tij. “Eshtë një masë brutale, e pambështetur ligjërisht, administrativisht dhe ushtarakisht. Konstatoj se ushtarakët dhe gjeneralët po përdoren për të mbuluar të vërtetën e Gërdecit dhe se me këto veprime po goditen rëndë Forcat e Armatosura dhe ushtarakët”, akuzon gjeneral majori në lirim Shpëtim Spahiu. Në një intervistë për MAPO-n ai komenton dosjen që disponon revista, kujton operacionin për shpëtim të postragjedisë ku ai vetë ishte një nga aktorët drejtues dhe shuplakën e papritur dhe të pamerituar që morri nga maja e piramidës së shtetit që e nxorri në lirim. Nuk nguron madje të bëjë dhe një krahasim të fortë: “As në kohën e diktaturës nuk silleshin kështu me gjeneralët, atëherë përpara se t´i nxirrnin ata përpara skuadrës së pushkatimit apo t´i mbyllnin në qeli, të paktën ju bëhej një proces formal që tentonte t´u vërtetonte fajësinë e supozuar, kësaj rradhe ne u bëmë fajtorë të supozuar pa na dëgjuar njeri dhe u “pushkatuam” publikisht nëpërmjet ekraneve të TV-ve. Përpara se të na komunikonin këtë vendim, kishin nxituar ta bënin publike në media”, thotë Spahiu.
Si e morrët vesh lajmin e shkarkimit tuaj nga detyra dhe nxjerrjen në lirim?
Kjo është një histori shumë e trishtuar. Ky është një nivel i jashtëzakonshëm hipokrizie dhe pjesë e asaj skeme që kërkon të mbulojë të vërtetën për Gërdecin duke jua faturuar tragjedinë ushtarakëve dhe po përdoret për të mbuluar të vërtetën për tragjedinë. Ditën që ishte firmosur dekreti i Presidentit, me propozim të ministrit të mbrojtjes Oketa, shoqëroja këtë të fundit në një ceremoni në Akademinë Ushtarake. Tani i bie të qesh kur kujtoj duarshtrëngimin me buzëqeshje të tij mëngjezin e 9 majit. Më pas raportova në Shtabin e Përgjithshëm për masat dhe problematikën e misionit ushtarak shqiptar në Çad sepse komanda që unë drejtoja është përgjegjëse për të gjithë misionet jashtë kufinjve të Shqipërisë. Askush nuk na tha gjysmë fjale për atë që ishte përgatitur. Vetëm në drekë mësova nga ekranet e TV-ve se isha shkarkuar dhe liruar nga detyra. Një befasi e plotë që vinte mbas gjithë atyre vlerësimeve maksimale të të gjithë autoriteteve për drejtimin e operacionit më të madh që ka bërë ndonjëherë ushtria shqiptare posttragjedisë. Kërkoheshin koka turku, njëra prej tyre ishte zgjedhur koka ime dhe spaletat që kisha marrë në gati 30 vjet karrierë ushtarake. Ishte një veprim i pabesë dhe aspak transparent, ishte një vendim tinzar. Çfarë ndodhi më pas, si reaguat?
Të hënën kam shkuar në zyrën e komandës që drejtoja. Njoftova stafin dhe komandantët e njësive për atë çka ndodhi dhe bëra dorëzimet e detyrës edhe pse dekreti nuk kishte mbërritur zyrtarisht. Sinqerisht ishte një atmosferë e rëndë, jo për fatin tim, por sepse secili prej ushtarakëve mendonte dhe për veten, mendonte se sa të pambrojtur janë nga tekat e politikës dhe se në çfarë mënyre çdokush nga uniformat ushtarake mund të bëhet kurban i saj.
Cili ishte motivacioni i këtij shkarkimi? A kërkuat ju shpjegime nga eprorët?
Gjithçka është e lidhur me Gërdecin. Në njoftimin që vetë ministria e mbrojtjes dha, shkruhej se vendimi ishte marrë mbas një analize të hollësishme të ngjarjes. Kërkova takim me ministrin e mbrojtjes, por munda të jem në zyrën e tij vetëm pothuaj dy javë më pas, në një tjetër shfaqje të hipokrizisë politike. Më dha dekretin, të cilin tashmë e kisha në dorë. Kërkova shpjegime dhe më tha se vendimmarrja për propozimin e tij të pranuar nga Presidenti i Republikës ishte rrjedhojë e një analize të thellë për tragjedinë e Gërdecit. Një e pavërtetë e madhe. As sot që po flasim nuk ekziston një analizë e tillë. E vetmja e tillë është në të vërtetë raporti kronologjik i ish-ministrit të mbrojtjes Mediu, përgatitur për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Për ironi të fatit, një nga autorët e këtij materiali jam dhe unë vetë. Deri më tani kam kërkuar praktikën që ka çuar në këtë vendimmarrje, u jam drejtuar instancave më të larta të shtetit për sqarimet përkatëse, por nuk kam pasur asnjë përgjigje prej tyre. Ka pasur vetëm një heshtje, të cilën, në respekt të ligjit e kam respektuar dhe unë me heshtje deri në momentin që i jam drejtuar gjykatës për rivendosjen e të drejtës sime të shkelur përdhunisht. Të sqaroj diçka që është shumë e rëndësishme. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një individ, nuk bëhet fjalë absolutisht për spaletat që kam marrë, duke u përballur me këtë padrejtësi besoj fort se bëj gjithashtu detyrën time si ushtarak. Kam bërë detyrën edhe kur kam vënë në dijeni partnerët tanë ndërkombëtarë të NATO-s.
Jeni pyetur disa herë nga Prokuroria e Tiranës me cilësinë e personit me dijeni mbi ngjarjen. Çfarë ka ndodhur në këto seanca, për çfarë janë interesuar të dinë nga ju prokurorët e çështjes?
Nuk mendoj se jam unë ai që duhet të tregoj se çfarë ka ndodhur në ato seanca shpjegimesh. Mund t´ju them se për të gjitha pyetjet që më janë bërë, përgjigjet e mia kanë qenë të shoqëruara me një dokumentacion të pasur që dëshmojnë rolin e Komandës së Forcës së Bashkuar në të gjithë këtë histori. Kurse që prej kalimit të çështjes në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk jam thirrur më.
Redaksia e MAPO-s ka siguruar një dokument të 3 majit 2007 të firmosur nga ju. Në të ju shkruani duke ju referuar Gërdecit se “Vendi i caktuar nga kontraktori nuk siguron masa të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme”. Eshtë autentik ky dokument, si mbërritët ju në këtë konkluzion?
Po, dokumenti është i saktë dhe është firmosur nga unë. Ai është prodhuar në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave të 14 marsit 2007 dhe të urdhërit të ministrit të mbrojtjes me numër 550, datë 25 prill 2007, që ngarkonin disa detyra për Komandën e Forcës së Bashkuar. Dokumenti që ju përmendni i është dërguar ministrisë së mbrojtjes dhe shtabit të përgjithshëm. Kisha ngritur një grup pune, që edhe në prani të përfaqësuesit të kontraktorit zhvilluam një procedurë për njohjen e vendit ku do të ngrihej struktura e përkohshme për çmontim e demilitarizim. Konstatimi ynë ishte se Gërdeci nuk garantonte masa të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme. Por kjo është vetëm njëra anë e problemit. Në të njëjtën shkresë njoftonim se urdhëri me numër 550, datë 25.04.2007 i ministrit, që na detyronte të jepnim me qera pronën e Gërdecit për Southern Ammunition Company (SAC) dhe të lejonim hyrjen e personelit të kontraktorit vetëm për periudhën e ndërtimit të strukturës industriale, nuk mund të zbatohej. Ruajtja e fabrikës në Gërdec nuk ishte përcaktuar si detyrë e jona. Kontestimet tona ishin në tre pika; Vendi i ndërtimit të fabrikës i përcaktuar në urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes, nuk plotëson masat e nevojshme të sigurisë për mënjanimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme; Komanda jonë nuk ka autoritetin ligjor për të dhënë leje ligjore për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale që do të bënte demontimin; gjithashtu komanda nuk ka kompetencë për të lidhur kontratë qeraje për një pronë të papërcaktuar në metër katrorë në urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes. Mbas kësaj shkrese nuk erdhi asnjë përgjigje nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, por vetëm autorizimi i Ministrisë së Mbrojtjes për lidhjen e kontratës me kompaninë SAC për sipërfaqen 200 metër katrorë.
Më pas, MEICO, në kushtet e papërcaktimit të përgjegjësive institucionale të ruajtjes së fabrikës, inicioi një akt-marrëveshje me ne për ruajtjen e rajonit ku përcaktohej se ruajtja e depove të municionit, linjës teknologjike të prodhimit dhe nënprodukteve të saj, është përgjegjësi e ndërmarrjes MEICO, ndërsa komanda jonë ishte përgjegjëse vetëm për ruajtjen e sipërfaqes së pronës së Gërdecit, jashtë fabrikës së demontimit. Por edhe kjo situatë ndryshoi shumë shpejt. Me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, numër 2044, datë 25 tetor 2007, prona e Gërdecit i bëhet kalim kapital MEICO-s. Tre ditë më pas, Komanda jonë i bën kalim kapital me dokumenta të rregullta MEICO-s pronën e Gërdecit dhe pak ditë më pas, në 5 nëntor, edhe ruajtja e jashtme e pronës së Gërdecit kalon nga strukturat tona tek MEICO. Në bazë të gjithë kësaj procedure administrative, prej kësaj date, Komanda e Forcës së Bashkuar nuk ka patur më detyrime institucionale për pronën e Gërdecit dhe fabrikën e demontimit.
Çfarë kronologjie ka pasur më tej historia?
Në datë 7 dhjetor 2007, me urdhërin numër 2044, Ministri i Mbrojtjes kërkon fillimin e projektit të ri me municione të rënda, në pikën 9 të të cilit përcaktohej që ruajtja e rajonit të Gërdecit të bëhet nga komanda jonë dhe MEICO. Ne e kundërshtojmë një gjë të tillë përsëri dhe shprehemi zyrtarisht për mospërputhje administrative të urdhërave. Ruajtja e rajonit të Gërdecit i kishte kaluar që prej një muaji MEICO-s dhe Gërdeci nuk ishte më në pronësinë tonë. Përgjigje të këtij kontestimi kemi marrë vetëm në mënyrë verbale se përmendja jonë në urdhër ishte bërë gabimisht.
Më shumë se sa po sqaroni lidhjen tuaj me tragjedinë e Gërdecit, ju duket se po sulmoni, sipas jush kush e shkaktoi tragjedinë?
Ky është perceptimi juaj dhe më vjen keq që e konsideroni kështu. Ka nje hetim për këtë tragjedi, fundi i të cilit shpresoj dhe besoj se do të tregojë shkaktarët dhe fajtorët e saj. Unë nuk akuzoj, thjesht po komentoj dosjen që ju më vini përpara. Ajo që mund të them më tepër është se Gërdeci nuk ishte një pikë e panjohur në hartë. Të gjithë e dinin se çfarë po ndodhte në Gërdec dhe kjo histori ka lënë shumë gjurmë për një vit rresht në të gjitha praktikat e lidhura me këtë proces që përfundoi fatkeqësisht me tragjedi.
Çfarë veprimesh ndërmorrët ju mbas tragjedisë, çfarë roli patët në operacionin e kërkim shpëtimit?
Do të doja të thosha vetëm diçka që i përmbledh të gjitha në pak fjali: ka qenë absolutisht operacioni më i madh i kërkim shpëtimit të organizuar ndonjëherë nga Forcat e Armatosura. Detyra që mbaja më detyronte të drejtoja operacionin dhe mund të them që ditën e shpërthimit, me helmetë në kokë dhe antiplumb në gjoks, bashkë me njësitë ushtarake që komandoja hymë deri në vatrën e shpërthimit për të shpëtuar jetë. E dinim që as helmeta dhe as antiplumbi nuk do të na shpëtonte nga predhat që na vërshëllenin mbi kokë atë ditë e të tjerat më pas, kur dinim që do niseshim nga shtëpitë tona, por nuk dinim nëse do të ktheheshim më të gjallë. Ato nuk na mbrojtën dy muaj më pas nga shpërthimi i hipokrizisë që na pushkatoi me pabesi moralisht dhe profesionalisht.

Marre nga revista "MAPO"

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›