E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Manifestimi është mjeti i parë kundër Berishës

02/10/2009  Lidershipi socialist fton mbështetësit në protesta për hapjen e kutive të votimit

“Të bashkohemi në një front proteste kundër pushtetit të ngritur mbi manipulimin”

Partia Socialiste hedh hapin e radhës sa u takon zhvillimeve politike, duke thirrur qytetarët në protesta. Manifestimi i parë i protestës për hapjen e kutive të votimit do të zhvillohet në kryeqytet dhe do të jetë pikërisht data 10 tetor që do të bashkojë në këtë organizim mbështetësit e një ideje të tillë. Ishte vetë kreu i saporizgjedhur i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që gjatë një konference për shtyp bëri me dije një nismë të tillë. “Partia Socialiste i fton të gjithë të shtunën e ardhshme më 10 tetor në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit, ku fshihet e vërteta e 28 qershorit, ku mbahen peng liritë e të drejtat e shumicës, ku është burgosur ligji dhe ku e kanë burimin padrejtësitë që po shtohen në kurriz të njerëzve”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Madje, duke i mëshuar më tej një çështjeje të tillë, kreu socialist lëshoi një tjetër ultimatum për mazhorancën dhe kreun e saj. “Sali Berisha gënjen veten, nëse mendon se do ta shtyjë gjatë duke bërë shurdhin dhe duke ftuar opozitën të hyjë në Parlament pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e procesit zgjedhor, që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen. Unë i them kryeministrit se do të përballet me popullin opozitar të shumicës në çdo hap të rrugës së tij dhe se opozitën e dialogut dhe të konsensusit do ta ketë përballë më të vendosur se kurrë në çdo hap të rrugës së tij për t’i dhënë fund pushtetit të tij”, - deklaroi Rama. Kjo, sipas tij, do të jetë e pashmangshme, “në qoftë se pushteti i Berishës” nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të shkuara për t’i mbyllur rrugë manipulimit dhe korruptimit të zgjedhjeve të ardhshme. “Opozita shqiptare, grupet politike e shoqërore dhe çdo individ që refuzon të jetojë kokulur në një vend ku s’ka asnjë barazi para ligjit e ku çdo liri dhe e drejtë është e kërcënuar pa pushim, ka përpara detyrimin patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral e mashtrimin publik”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij sa u takon arsyeve që sollën një nismë të tillë.

Përgjigjja

“Asnjëherë nuk do të rresht së falënderuari miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, por për sa kohë nuk ka asnjë vullnet nga pala në pushtet për ta lejuar hetimin, për t’i hapur kutitë, për të na dhënë mundësinë të luajmë rolin tonë njësoj si në një demokraci normale, ne do të ndjekim rrugën alternative, duke e marrë frymëzimin te shembujt e shkëlqyer të historisë së vjetër e të re të botës demokratike ku duam të integrohemi.”

Aleatët përkrah PS-së në protesta

Aleatët e Partisë Socialiste do të jenë përkrah saj në protestën që pritet të organizohet në fundjavën e ardhshme. Janë vetë përfaqësuesit e partive politike pjesë e aleancës me socialistët që konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit. Për më tepër, kanë qenë vetë krerët e këtyre partive që kanë mbështetur si vendimin për të bojkotuar Kuvendin, ashtu dhe vendimin për organizimin e protestave, si një nga mënyrat për t’i treguar mazhorancës qeverisëse se nuk do të heqë dorë nga kërkesat për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Javën që kaloi kryetari i PS-së thirri në selinë rozë drejtuesit e PSD-së, PDS-së, PBDNJ-së dhe “G-99”-s për të diskutuar për situatën politike në vend si dhe për hapat që do të hedhë në të ardhmen e majta si në zhvillimet brenda saj, ashtu dhe në oponencën ndaj mazhorancës qeverisëse. Krerët e majtë, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule dhe Erion Veliaj, natyrisht dhe kreu socialist Rama, ranë dakord të mos tërhiqen nga bojkoti ndaj Parlamentit. Por në të njëjtën kohë vendosën që në vijim të qëndrimeve të saj për të mos qenë pjesë e Kuvendit të ri sa kohë nuk realizohen kushtet e socialistëve, opozita t’i përshkallëzojë ato, duke shkuar deri në organizimin e protestave.

Mendimi ndryshe mbështet protestën

Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste është deklaruar dje në mbështetje të nismës së lidershipit të kësaj partie për organizimin e protestave qytetare. Kështu, përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje të njohur tashmë si kundërshtarë të Ramës, u shprehën në mbrojtje të kësaj ideje, por nga ana tjetër nuk heqin dorë nga qëndrimi i tyre për të ndërprerë bojkotin. Madje, sipas tyre duhet të jetë pikërisht ky hapi i parë, pra kthimi në sallën e Kuvendit, e më pas të gjykohet për organizmin e protestave. Për këtë arsye socialistët kundërshtarë të linjës zyrtare të PS-së, edhe pse e mbështesin nismën e Ramës, ende nuk dihet nëse do të jenë apo jo pjesë e protestës së parë më 10 tetor. Por ndërkohë drejtuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe paralajmërojnë zhvillimin e takimeve të tjera me bazën socialiste, me qëllim që përmes komunikimit të drejtpërdrejtë të sensibilizojë dhe të qartësojë synimin e ndërmarrjes së kësaj nisme. Do të jetë pikërisht qyteti i Shkodrës stacioni i radhës ku kundërshtarët e Ramës do të shpalosin platformën e tyre. Sikundër është deklaruar tashmë, nisma e tyre është e përqendruar te domosdoshmëria për të zhvilluar një oponencë brenda institucioneve përkatëse, së cilës së fundi po i mëshohet me forcë, por pa harruar dhe nevojën e ndryshimeve statutore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›