Rama: Mazhoranca po zvarrit reformën zgjedhore
Partia Socialiste shprehet e shqetësuar për mosrealizimin në kohë të reformës zgjedhore ndërsa ka bërë përgjegjëse mazhorancën se po zvarrit procesin.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit të PS-së, kreu i saj Edi Rama ka theksuar se mazhoranca nuk ka vullnet politik për të trajtuar thelbin e problemit të kësaj reforme dhe për më shumë drejtimin e duhur të këtij procesi.
“Jemi shumë të shqetësuar lidhur me dështimin e procesit në raport me afatet. Sot sipas afatit duhet të ishim drejt finalizimit të reformës zgjedhore në pak ditë të mbetura të shkurtit, jemi shumë larg këtij objektivi dhe kjo për shkak të një zvarritje nga pala tjetër” theksoi Rama.
Ai ka theksuar se PS-ja ka vullnet për të miratuar ndryshimet që duhet të marrin konsensusin në Komisionin e Ligjeve ndërsa ka shtuar se reforma zgjedhore në asnjë mënyrë nuk duhet të kompromentohet. "
"E njëjta gjë dhe me reformën parlamentare që na bën të vetëdijshëm për faktin se nëse këto dy reforma nuk kalojnë si duhet e në kohën e duhur procesi i integrimit është i kompromentuar. Për këtë ka vetëm një përgjegjës dhe është qeveria” shtoi më tej Rama.
Gjithashtu kreu i PS-së Rama ka bërë me dije se në mbledhjen e kryesisë u vendos ngritja e një grupi për stategjinë e komunikimit të PS-së por ngritja e tij do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të kryesisë që do të zhvillohet jo më vonë se java e dytë të muajit mars.