Thaçi dhe Jahjaga, mesazhe ngushëllimi për familjarët e ushtarakut shqiptar të vrarë ë Afganistan
Trevat shqipfolëse i bashkohen dhimbjes së familjarëve të Kapiten Feti Voglit, luten për shërimin e shpejtë të Nëntetar Pecit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kapitenit Feti Vogli në Afganistan.
Në letër thuhet ndër të tjera se, “ky është një moment i vështirë për shtetin shqiptar, për familjen Vogli, për miqtë e tij, por edhe për gjithë kombin shqiptar”.
“I nderuari kryeministër, z. Berisha, Me dhembje të madhe morëm lajmin për aksidentin tragjik që ndodhi në Kandahar të Afganistanit, ra në krye të detyrës Komandanti Feti Vogli. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ngushëllimet më të sinqerta. Ky është një moment i vështirë për shtetin shqiptar, për familjen Vogli, për miqtë e tij, por edhe për gjithë kombin shqiptar. Gjithashtu, i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë Nëntetarit, Aleksandër Pecit. Jemi të bindur se Shqipëria do të vazhdojë edhe më tej të luaj rol të rëndësishëm në kuadër të Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në misionin e tyre të paqes”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit, të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në mesazhin e saj të ngushëllimit thotë se me dhimbje ka mësuar lajmin e vrasjes së paqeruajtësit shqiptarë në Afganistan.
Presidentja e Kosovës, gjithashtu ka uruar që ushtari i plagosur shqiptar në Afganistan, Aleksandër Peci, të shërohet sa më shpejt.
“Gjithashtu, lutemi që nëntetari Aleksandër Peçi të mbijetojë plagët e rënda dhe t’i kthehet familjes së tij e Ushtrisë së Shqipërisë. Jemi me ju në këto çaste të rënda të dhimbjes”.