E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Më 11 maj, Brukseli do marrë mesazhin se shqiptarët kërkojnë anëtarësimin tani

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Kryeministri Rama duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve jashtë, atyre të Greqisë, atyre të Italisë, atyre të Evropës dhe të mbarë botës, kudo ku janë, u tha se, “ky është momenti ynë, është momenti i përputhjes së fateve”.

“Nuk e kemi pasur këtë moment në asnjë moment tjetër të kohës qysh se jemi çliruar nga makthi dhe nga kthetrat e diktaturës komuniste dhe kemi hyrë në rrugën e Evropës për t’u bërë një ditë pjesë e pandarë dhe e pandashme e Bashkimit Evropian”, tha Rama.

“Këtë moment që na ka përputhur fatet, fatin tonë evropian i mishëruar në ambicien, në dëshirën, në këmbënguljen në ëndrrën shumë të vjetër për të qenë pjesë e BE dhe fatit të vetë BE-së që sot është i mishëruar në ambicien dhe dëshirën për të zgjeruar radhët dhe për të përfshirë anëtarë të rinj”, u shpreh Rama.

“Ne gjendemi aty në vendin e duhur, në kohën e duhur, vendi që ata duan të përfshijnë bashkë me Malin e Zi. Të dyve na konsiderojnë pararojë për të gjithë ato që kemi arritur të bëjmë por edhe për arsyet gjeopolitike”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se më 11 maj, Brukseli do marrë mesazhin se shqiptarët kërkojnë anëtarësimin tani.

“Ne po bëjmë një rrugë e dy punë. Po i japim një mesazh të qartë shqiptarëve dhe po përpiqemi t’i japim një mesazh Brukselit duke shpresuar dhe besuar se shqiptarët do ta mbështesin këtë mesazh dhe në 11 maj Brukseli do të marrë mesazhin shumë të qartë se një shumicë përtej shumicës së thjesht partiake kërkon anëtarësimin tani”, tha Rama.

“Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë: Ne populli shqiptar, qytetarët e Shqipërisë duam të hyjmë në BE dhe me këtë mandat e këtë mesazh unë dhe qeveria do të shkojmë dhe do të kemi një argument shumë të fortë më shumë për të nxitur procesin”, tha Rama.

Sipas tij, “është e gjitha një luftë diplomatike politike nga të katër anët dhe kush nuk e kupton këtë nuk kupton asnjë gjë si funksion bota dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për një vend si Shqipëria”.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›