Rama: PS shkollë për promovimin e të rinjve, me shumicë në listat e mbyllura

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot drejtpërdrejt në rubrikën “Sy m’Sy” komenteve të qytetarëve në platformat sociale.
Një komentues i tha kreut të qeverisë se duhet “një tjetër ekip në drejtimin e qeverisë”. Kreu i qeverisë, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, tha se PS është një shkollë e kultivimit dhe promovimit të të rinjve. Rama shtoi se kush do të rinj dhe të reja i ka në skuadrën e PS-së dhe madje në listë të mbyllur.
“Kam një opinion të krijuar ndër vite nga eksperienca se çështja e skuadrës është një çështje e skuadrës, në kuptimin që nuk është çështje individësh, po funksionit të përgjithshëm të skuadrës. Partia Socialiste është një shkollë një shkollë e vërtetët e kultivimit dhe promovimit të rinjve dhe sot PS ka një skuadër që është skuadra më e re. Kush do të reja dhe të rinj i ka në skuadrën PS-së me shumicë dhe i ka me shumicë në listën e mbyllur, ky është një ndryshim shumë i madh me gjithë tjerët”, tha Rama.
“Të votosh moçalishtet e reja që janë hapur, nëse janë me fat mund të marrësh në parlament një person, ndërkohë që duke votuar për ne, përveç të gjitha të tjerave do të kesh shumë të rinj në parlament, që janë praktikisht baza e gjeneratës tjetër të lidershipit të PS-së. Sot lidershipi i PS përbëhet nga një gjeneratë e re, krahasuar me atë kur ne morëm detyrë. Tani një tjetër gjeneratë po rritet hap pas hapi. Faktikisht kemi bërë një transformim radikal të skuadrës që kishim”, tha Rama.
/r.e//a.f/