Rama për të rinjtë e FRPD-së Vlorë: U bashkuan jo për t’u bërë socialistë, por që shqiptarët të bëhen qytetarë të BE-së

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot qytetarëve në rubrikën “Sy m’Sy” në platformat sociale, ndërsa një prej tyre i kujton Kryeministrit grupin e të rinjve të FRPD-së së Vlorës që i janë bashkuar në takime PS në këtë qark. Rama pohoi se nuk bëhet fjalë që ata të bëhen socialistë, por do të bashkohen në këtë rrugëtim të PS për të anëtarësuar Shqipërinë në BE dhe për t’u dhënë shqiptarëve një pasaportë evropiane.
“Nuk është se i mora ata të FRPD-së, bëhet fjalë për një grup shumë interesant dhe pozitiv vajzash dhe djemsh të Vlorës, edhe për dikë që ishte zëvendëskryetare e FRPD në shkallë kombëtare. Ka krijuar një impakt kjo gjë. Ata nuk u bënë socialistë, disa mund të bëhen, mbase të gjithë mund të mos bëhen, por janë pozicionuar për të dhënë mesazhin për arsyet e tyre. Ata do bëjnë fushatën e tyre, është interesante. Do të bëjnë fushatën e tyre jo me PS, por më vete dhe do të më mbështesin mua dhe PS si rrjedhojë, duke e kërkuar votën e demokratëve dhe të të tjerëve pikërisht për atë që unë them: për të mos humbur asnjë minutë në rrugën e anëtarësimit dhe për të marrë pasaportën evropiane për Shqipërinë dhe një pasaportë në dorë për çdo shqiptar dhe shqiptare që të bëhen përfundimisht qytetarë të BE-së dhe kjo është arsyeja pse u bënë me mua në këtë betejë”, nënvizoi Rama.
“Unë kam shumë simpati për ta, shumë respekt, kam mësuar disa gjëra që i mëson vetëm kur arrin të shohësh gjërat nga pozita e dikujt tjetër dhe është një marrëdhënie shumë pozitive. Impakti ka qenë i fortë, kam pasur kontakte të tjera me të tjerë, nga qytete të tjera, janë të mirëpritur të gjithë. Kemi një sërë individësh që kanë zhvilluar dhe Primare dhe që na kanë kontaktuar për Primaret e famshme dhe të tmerrshme. Ato që thonë gjithçka në fakt se jo vetëm ujku, por edhe bufi puplën e ndërron, por zakonin s’e harron. Bufi i kënetës, specifik, jo ai “bufi” i famshëm”, cilësoi Kryeministri.
/r.e//a.f/