E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama për programin e opozitës: Një farsë e madhe

TIRANË, 1 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ironizoi sot deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pretendon se Partia Socialiste i ka kopjuar programin elektoral për zgjedhjet e 11 majit.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama i konsideroi këto deklarata hipokrizi të “kënetës”.

“Pastaj thonë u kopjua programi. Gjëja më qesharake në botë. A thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik. A thua se bëhet fjalë për një kod kasaforte të ndonjë sekreti, Kodi i Da Vinçit. U kopjua Kodi i Da Vinçit. Deri këtu është banaliteti i hipokrizisë së tyre dhe pjesës kënetore”, tha Rama.

Sipas tij, premtimet e PD për paga dhe pensione nuk bazohen në logjikën ekonomike.

“As më shkon mendja që të them na e kopjuan sepse ky është muhabet kot pastaj ka një ndryshim të madh sepse ato që thotë këneta, programi i madhështisë përveçse është një farsë e madhe, por ka një falsitet total brenda tij sepse thotë “Në 12 maj të gjitha këto do të bëhen realitet”. Ne nuk kemi kështu, ne nuk themi kështu, ne themi “Në Shqipërinë 2030 do të arrihen këto e këto”. Nuk themi që në 12 maj do të bëhet realitet minimumi jetik 200 euro, nuk e themi këtë sepse nuk do të ndodhë kjo në 12 maj, do të ndodhë brenda mandatit dhe flasim për pensionet, do ndodhë në Shqipërinë 2030, do ndodhë gradualisht, gradualisht dhe kemi bërë shumë të qartë llogaritë duke pasur parasysh edhe Bashkimin Europian. Pastaj, si mund të besojnë njerëzit në kënetë? Kjo nuk ndodh”,tha Rama.

Në një deklaratë për mediet ditën e djeshme, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se PS ka kopjuar programin e PD-së, ndërsa u shpreh se “Edi Rama ka 62 premtime të pambajtura”.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›