Rama: Më 15 maj liderët evropianë vizitojnë Tiranën

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy” deklaroi sot se më 15 maj do të presë liderët e vendeve e 46 vendeve dhe 8 të tjerë të organizatave të mëdha ndërkombëtare nga BE, tek NATO.
Duke iu përgjigjur një qytetari i cili i tha se çfarë do të bëjë në 15 maj dhe nëse do të dalë në pension, Rama u shpreh se, “e para punës, unë nuk do të dal kurrë në pension. Në pension unë do të dal kur të shkoj në botën tjetër, sepse përveç kësaj pune që unë e kam me shumë pasion, por që e bëj në bazë të një kontrate me popullin shqiptar dhe që e vendos populli shqiptar se kur ndërpritet kjo kontratë, të gjithë së bashku, jo thjesht një apo një tjetër, unë kam dhe shumë gjëra të tjera që kam shumë dëshirë të bëj dhe kam dhe dëshira të tjera që do të doja që t’i eksploroja në këtë jetë. Dakord? Kështu që në pension unë, asnjëherë, dhe dhëntë Zoti që nga pikëpamja fizike të jem funksional deri në fund”.
Rama u shpreh se më 15 maj do të presë liderët e vendeve e 46 vendeve dhe 8 të tjerë të organizatave të mëdha ndërkombëtare nga BE, tek NATO.
“Kurse për pjesën se çfarë do të bëj unë më 15 maj, faktikisht më 15 maj unë do të pres, se bie tamam data nuk e di, ti e ke shkruar rastësisht, unë do pres liderët e 46 vendeve dhe 8 të tjerë të organizatave të mëdha ndërkombëtare nga BE, tek NATO, që do të vijnë të tërë në Shqipëri, Fatmir, në këtë vend ku “nuk ka bukë, ku vriten njerëzit rrugës, ku nuk ka ujë, ku nuk ka drita, ku është shkatërrim”, do vijnë të gjithë ata këtu”, tha Rama.
“Në 15 në darkë do të jemi me liderët e BE-së, ku Shqipëria do të jetë mikpritësja. Dakord? Dhe do të diskutojmë për të ardhmen e përbashkët këtu në Shqipëri, siç nuk ta ka rrokur mendja ty dhe shumë të tjerëve deri përpara se të isha unë këtu në këtë detyrë, që t’i biem gjëra siç janë, shkurt dhe drejt, dhe në datën 16 do të kemi Komunitetin Politik Evropian, ku përsëri Shqipëria do të ketë fjalën kyçe në hapjen e evenimentit. Këtu do të jem unë në datën 15 dhe datën 16”, u shpreh Rama.
/r.e/a.f/