Rama: Më 11 maj shqiptarët do të zgjedhin nëse do të shkojmë në Evropë, apo do të kthehemi prapë në gropë

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, se më 11 maj shqiptarët do të bëjnë një zgjedhje: Nëse do të shkojmë në Evropë, apo do të kthehemi prapë në gropë.
Duke iu përgjigjur një qytetari, i cili u shpreh se nëse i çojmë kushtet si në Evropë jemi “ok”, Rama u shpreh se, “po prandaj 2030-a është maja e shumëdëshiruar dhe është ambicia jonë”.
“Edhe pak vite kemi duhet dhe një sforco e fundit dhe ne do të ngjitemi aty dhe do ta vëmë flamurin në oborrin e Bashkimit Evropian”, tha Rama.
Një tjetër qytetari, i cili i tha se është në punë dhe nuk e ndjek dot live, Rama u shpreh se, “e kam pjesë të punës këtë, sepse puna ime nuk është me kazmë, puna ime është të drejtoj, që do të thotë të studioj, të analizoj, të dialogoj, të konsultohem, të marr vendime, t’i komunikoj vendimet dhe të jap llogari. Dhe të shpjegohem, të sqarohem, të sqaroj, të argumentoj. Kështu që kjo është puna ime dhe nuk je absolutisht i detyruar të më dëgjosh tani, do ta kesh në faqe këtë bashkëbisedim edhe sot në darkë, dhe pas një muaji, dhe kur të duash ti. Por, kjo është puna ime, unë nuk është se mund ta evitoj komunikimin me ty, sepse më ke zgjedhur apo s’më ke zgjedhur, ti prapësëprapë si i zgjedhur të detyrohem të të shpjegohem”.
Kreu i qeverisë u shpreh se, më 11 maj shqiptarët do të bëjnë një zgjedhje nëse do të shkojmë në Evropë apo do të kthehemi prapë në gropë.
“Dhe të thashë jemi tani në një fazë përfundimtare të një mandati. Më 11 maj ti dhe të gjithë shqiptarët do të bëjnë një zgjedhje: do të shkojmë në Evropë, apo do të kthehemi prapë në gropë, dhe prandaj gjërat duhen thënë, duhen diskutuar, duhen sqaruar dhe duhen informuar njerëzit se çfarë kemi ndërmend të bëjmë dhe ku duam të shkojmë. Kjo është arsyeja pse jam këtu dhe nuk jam në kafene, jam në zyrë”, tha Rama.
/r.e/a.f/