E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektoral

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur mëngjesin e sotëm në rubrikën “Sy m’sy” komenteve dhe pyetjeve të qytetarëve në platformat sociale.

Duke iu referuar drejtësisë, një qytetar e pyeti: “A mendoni se heshtja është marrë për dobësi?”. Rama tha se PS ka heshtur për t’i dhënë mbështetje absolute strukturave të reja të drejtësisë.

“Ne kemi heshtur dhe nuk kemi bërë koment për asnjë rast konkret. Kemi qepur gojën dhe kemi thënë drejtësia të vazhdojë punën e vet, sepse janë institucione të sapokrijuara. Nuk kanë ardhur nga hëna, nuk kanë rënë nga qielli, kanë nevojë për kohën e tyre do të bëjnë gabimet e tyre. Fatkeqësia është se gabimet e tyre nuk janë gabime si të ndërmarrjes së gjelbërimit, por janë gabime që kushtojnë jetë njerëzish, kushtojnë trauma dhe plagë psikologjike të pariparueshme. Nuk ka alternativë tjetër përveç një drejtësie të pavarur profesionale dhe që respekton me integritet liritë dhe të drejtat e njeriut. Të pavarur e kemi para sysh, profesionalen duhet të luftojmë të  gjithë që bashkuar që ta konsolidojmë. Ka shumë gjëra pozitive, por ka edh negative. Edhe një rast i vetëm negativiteti kur cenohet dinjiteti dhe shkatërrohet jeta e njeriut për budallallëk profesional është shumë”, u shpreh Rama.

Rama tha se “nga ana tjetër respektimi i standardeve të demokratike, i një drejtësie evropiane që nuk mund të justifikojë qasje dhe metoda të ish-Sigurimit të Shtetit, është një betejë tjetër për t’u bërë”.

“Por, ama, në mënyrë konstruktive, si aleatë dhe partnerë të drejtësisë, pushtete të ndara dhe patjetër në mënyrë shumë të vendosur, sepse nuk mund dot të cenohet të drejta e pushteti ekzekutiv, nuk mund do të cenohet të drejtat për të marrë vendim, nuk mund dot të paragjykohen, nuk mund dot të trysnohet administrata e punonjësit të shtetit”.

Rama theksoi po ashtu se “nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral”. Sipas Ramës, përpjekja e përbashkët për të luftuar krimet elektorale bëhet nga secili në pozicionin e vet kushtetuese.

“Unë uroj që kjo të jetë një lajthitje e moment dhe të ndalet çdo lloj survejimi në territor, se nuk mundet që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta, që kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar edhe për krimet elektorale bëhet: secili në pozicionin vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre. Të gjitha këto janë më rëndësi për t’u diskutuar”, tha Rama.

“Por ajo që mbetet, është domosdoshmëria për ta mbështetur fuqimisht drejtësinë, SPAK, gjykatën për të bërë punën e tyre. Në fund, secili vendos për punën e vet, ata kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre, ndërkohë që ne vendosim punën tonë, kemi të drejtë të marrim vendimet tona nuk mund të interferojmë të njëri-tjetrit”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›