Votimi nga jashtë, KQZ: 195 477 kërkesa për regjistrime, 156 158 të miratuara

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) që nga 11 janari, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 maj, ka arritur shifrën 195 477 shtetas, nga të cilat janë miratuar 156 158 dhe 36 919 janë refuzuar.
Këto janë shifrat e fundit të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 01:39 të ditës së sotme, ndërsa aplikimi do të jetë i hapur deri më datën 4 mars.
Po sipas të dhënave të KQZ, kanë bërë kërkesë për regjistrim 241 909, ndërsa janë shqyrtuar 239 457 kërkesa.
Sipas të dhënave janë refuzuar 83 299 dhe 2400 janë në shqyrtim.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 93 840, e ndjekur nga Greqia me 68 540, Gjermania me 26 353, si dhe nga SHBA me 16 506.
Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për qarkun e Tiranës me 47 441, më pas vijnë qarqet Fier me 31 392 kërkesa, Elbasani me 26 339, Durrës me 25 898, Korçë me 22 287 etj.
Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 142 455 kërkesa, ndërsa femrat janë 99 454.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

/k.s/a.f/r.e/