E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Më 20 Nëntor shembim murin, që pengon votën e lirë

Opozita proteston në Korcë. Partitë e vogla shprehen se ka ardhur koha që të kërkohen zgjedhje të parakohshme


KORCË- "Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratë, apo nuk ka ardhur ende demokracia për ne demokratët?".


Me këtë shprehje të shkrimtarit Teodor Keko, e ka nisur fjalën e tij kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në mitingun e mbajtur dje në qytetin e Korçës, për të treguar jo vetëm se kjo pyetje vijon të mos ketë ende një përgjigje, por edhe se sërish ashtu si 12 vjet më parë gjatë trazirave të vitit '97 i njëjti person, që e mban peng demokracinë është Sali Berisha, i cili nuk pranon të bëjë transparencën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare.


Protesta


Korça, ka qenë stacioni i radhës ku opozita është ndalur për të protestuar lidhur me heshtjen e qeverisë ndaj kërkesës për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nëpërmjet hapjes së kutive të votimit.


Në një takim ku ka munguar deputeti i këtij qyteti, Ben Blushi, krerët më të lartë të partive që kanë vendosur të qëndrojnë përballë pushtetit të mazhorancës së djathtë kanë vijuar t'i bëjnë thirrje dyshes Berisha-Meta që të heqin dorë nga uzurpimi i institucioneve dhe të pranojnë të bëjnë transparencën e vullnetit të shprehur nga qytetarët shqiptarë, nëpërmjet votës më 28 qershor.


Të bindur se brenda kutive të votimit gjendet një e vërtetë tjetër nga ajo që çertifikoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përfaqësuesit e partive opozitare në fjalët e tyre i kanë mëshuar fort nevojës për hapjen e tyre, si e vetmja rrugë që mund të kthejë legjitimitetin e institucioneve, por edhe që mund të zgjidhë ngërçin politik, që ka përfshirë shtetin.


"Sali Berisha kërkon të fusë duart duke fshehur gjurmët, që nesër kur t'i vijë laku në fyt, të thotë hapni kutitë dhe mashtrimin e madh ta mbulojë me një edhe më të madh.


Po ne i themi edhe këtej nga Korça, në e paç bërë mëkatin e radhës për të fshehur gjurmët e vjedhjes së madhe të 28 qershorit, ne nuk do kërkojmë më transparencën e zgjedhjeve të shkuara, por rrëzimin tënd përpara zgjedhjeve që vijnë", - tha kreu socialist në fjalën e vet.


Duke iu përmbajtur kësaj bindje, kryesocialisti i ka bërë edhe një herë apel Berishës që të reagojë sa nuk është vonë, pasi në të kundërt do të përballet me revoltën e qytetarëve opozitarë, që pritet të nisë pikërisht më 20 nëntor në Tiranë.


"Ne i përsërisim edhe sot nga ky stacion tjetër i protestës sonë, hapi rrugën pa humbur kohë transparencës, hetimit të zgjedhjeve të shkuara, korrigjimit të gjithçkaje që ndodhi dje, që nesër gjithkush të jetë i lirë dhe i garantuar në votën e tij, sepse vetëm kështu vendi mund të çlirohet nga barra e rëndë, përditë e më e rëndë, e një parlamenti pa legjitimitet dhe i një qeverie pa mandat legjitim", - u shpreh më tej Rama duke garantuar në të njëjtën kohë se, deputetët socialistë nuk mund të bëhen bashkëfajtorë duke u futur në një Kuvend, që nuk ka legjitimitet.


Duke u ndalur pikërisht tek protesta e 20 nëntorit që do të mbahet në sheshin "Skënderbej", shefi i opozitës duke ftuar qytetarët korçarë,
që t'i bashkohen asaj, i ka garantuar ata se pikërisht në këtë datë do të protestohet për t'i dhënë fund të këqijave që sipas tij përfaqëson pushteti i kryeministrit Berisha.


"Në 20 nëntor ne do të protestojmë për të shembur murin që prej dy dekadash i pengon shqiptarët të votojnë lirisht, të numërojnë ndershmërisht votën e tyre dhe të mirë qeverisen, në lirinë e pacenueshme të konkurrencës së tyre", - theksoi Rama.


Aleatët


Edhe aleatët e Ramës në këtë betejë, kanë qenë thuajse në një frymë kur kanë deklaruar se tashmë nuk ka më kohë për negociata me Berishën, pasi e vetmja rrugë që mbetet është rrëzimi i tij dhe kërkimi i zgjedhjeve të parakohshme.


Sipas kreut të PDS-së, Paskal Milo ka ardhur koha që të kërkohen zgjedhje të parakohshme, si mundësia e vetme, që ka mbetur për të dalë nga kolapsi politikë, që ka përfshirë vendin, si pasojë e mosfunksionimit si duhet të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit.


"Nuk ka negociata me një qeveri, që mund të kërkojë kompromise të dëmshme në kurriz të qytetarëve shqiptarë.


Do shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, t'i kërkojmë zgjedhjet e parakohshme. Vetëm përmes tyre do vijë zgjidhja politike", - tha Milo. Ndërsa kreu i PliDr Spartak Ngjela duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin opozitën, është shprehur se vetëm nëpërmjet revoltës popullore mund të detyrohet Berisha që të pranojë të hapë kutitë. "Kjo është revoltë, sepse revolta është gjuha me të cilën dëgjon ai, që nuk ka vesh për të dëgjuar.


Votën e shqiptarëve nuk mund ta mbajë peng një qeveri që nuk ka fituar zgjedhjet, s'mund të fshehë transparencën", - tha Ngjela. Ish-kryeministri Pandeli Majko duke qenë i bindur se opozita nuk do të lodhet në betejën e saj, për transparencën e zgjedhjeve, është shprehur se "ky nuk është një dimër dosido, ky është dimri i vetmisë së madhe të Sali Berishës. 20 Nëntori fillimi i demonstrimit të madh të të gjithë shqiptarëve për hapjen e kutive".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›