E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dom Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës shqip

Qendra e studimeve albanologjike në bashkëpunim me Institutin Filozofik dhe Teologjik të Shkodrës organizojnë sot në orën 10.00 në Muzeun Historik Kombëtar, konferencën shkencore "Filipaj dhe Bibla shqip" kushtuar veprës së Dom Simon Filipajt (1925-1999). Referojnë Prof. Ardian Marashi "Bibla, matricë e leximit dhe e interpretimit të botës", Dr.


Dom Nik Ukgjini "Dekada e dëshmisë së Filipajt", Prof. Kolec Topalli "Përkthime të Biblës në ballafaqim: nga Buzuku te Filipaj", Prof. Xhevat Lloshi "Një përvojë e re: përkthimi besnik i domethënies", Zefjan Nikolli "Probleme dhe vështirësi në përkthimin e Biblës", Prof. Shaban Sinani "Kënga e këngëve" etj.


Në vazhdim shfaqet filmi dokumentar "Heronjtë e Librit" dhe prezantohet një ekspozitë me dorëshkrime, dokumente, objekte personale, fotografi të Dom Simon Filipajt me rast 10-vjetorin e vdekjes.


Simon Filipaj u lind më 1 Maj të vitit 1925 në fshatin Kllezën e Poshtme, afër Shasit të lashtë të komunës së Ulqinit, në Malin e Zi. Më 1932 filloi shkollën fillore dyvjeçare në Selitë, për të vazhduar arsimimin e tij në Katërkollë afër Ulqinit. Në mungesë të shkollës në gjuhën amtare, ai e kreu shkollimin fillor në gjuhën sllave.


Seminarin që i hapi rrugën e meshtarisë e kreu për disa vite në Tivar (1939-1941) dhe e vazhdoi pranë Seminarit Jezuit në Shkodër (1941-1945). Në vitet 1946-1950 Filipaj kreu me sukses të shkëlqyer studimet filozofike dhe teologjike në Fakultetin Teologjik të Zagrebit. Po në këtë vend u shugurua meshtar më 29 Qershor 1950, si anëtar i Kryedioqezës se Tivarit.


Fillimet e jetës klerikale Filipaj i kaloi në Triepsh e në Kojë të Kuçit (1950-1960), kurse në vitet 1960-1966 në Grudë të Malësisë së Madhe. Pjesën më të madhe të shërbimit, 33 vjet, ai e ka kryer në Shëngjergj dhe në Kllezë, buzë lumit Buna, nga 20 Nëntori 1966 deri më 2 Shtator 1999, kur dhe ndërroi jetë.


U varros në vendlindje.
Në vazhdën e Zef Jubanit, Shtjefën Gjeçofit, Bernardin Palajt, Donat Kurtit, etj., Simon Filipaj iu përkushtua kulturës popullore shqiptare, e konkretisht vjeljes dhe botimit të materialeve folklorike.


Si i pari folklorist pas Luftës së Dytë Botërore që veproi në trevat shqiptare në Mal të Zi, Filipaj arriti të shpëtojë nga zhdukja dhe nga harresa një pasuri të konsiderueshme të këtij visari gojor: pjesë nga epika legjendare, balada, këngë dhe poezi lirike, këngë dashurie, vajti dhe gjëme, anekdota, etj., duke i botuar ato sistematikisht në kolanën "Gjurmime albanologjike - Folklor dhe etnologji" të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe në vëllime të posaçme folklorike.


Për kontributin e dhënë për kishën katolike ndër shqiptarë, më 3 Nëntor 1988 Selia e Shenjtë i dha Filipajt titullin e lartë "Imzot" (Monsinjor), ndërsa më 6 Korrik 1992 u shpall "Prelat Nderi" nga Papa Gjon Pali II. Për kontributin e tij në dobi të kulturës shqiptare, më 2004 u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, me urdhërin "Naim Frashëri i Artë", pas vdekjes.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›