Rama: Më 30 prill protestë, mbi 100 mijë vetë pa punë

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se takimi Nano-Berisha për të nuk ishte asgjë e re
TIRANË - Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka parë me shqetësim konferencën e dy ditëve më parë të kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në një deklarim për mediat, Rama tha dje se kryeministri i vendit ishte i fundit njeri i interesuar për të zgjidhur krizën, që ka prekur familjet shqiptare.
"Zoti Berisha foli për suksese imagjinare pikërisht në ditën kur u provua publikisht se vetëm në tre muajt e fundit 71 mijë vetë kanë humbur vendin e tyre të punës. 80 mijë vende pune premtoi zoti Berisha kur kërkoi votën e shqiptarëve dhe pasi u grabiti votën ka nxjerrë në rrugën e papunësisë mbi 100 mijë njerëz në më pak se një vit.
Zoti Berisha u tha se nuk e mori vesh në Bruksel se kur do të liberalizohen vizat për shqiptarët dhe këtë ai e quan një vizitë të suksesshme, ndërkohë që deri para pak javësh i siguronte njerëzit se këtë verë do të dilnin nga kufijtë pa viza", - tha Rama.
Kryetari i opozitës theksoi se nën qeverisjen e Berishës njerëzit po humbasin përditë vende pune duke paguar më shtrenjtë ushqimin, dritat, ujin, ilaçet. "Kurse qeveria u tregon përditë gënjeshtra e përralla tallëse për rritje spektakolare ekonomike dhe mrekulli ekonomike planetare, të cilave njerëzit duhet e do t'u përgjigjen me protesta të përshkallëzuara deri në 30 prill e më tutje.
Ndërkohë që tanimë u provua zyrtarisht, mbështetur mbi dokumentet e Bankës së Shqipërisë, se rritja ekonomike e vitit 2009 ka qenë jo më shumë se 0%, se rritja e papunësisë është një tendencë e pandalshme shkatërruese për ekonominë e familjeve të pambrojtura dhe se investimet publike apo private janë në rënie të vazhdueshme, s'ka asnjë pikë dyshimi se ky vit është ekonomikisht edhe më i keq se i shkuari",- tha Rama.
Për këtë arsye, kryetari i opozitës shtoi se, 30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme, që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive. "Shfaqja shqetësuese e zotit Berisha mbrëmë është një arsye më shumë për të dalë në 30 prill e në 1 maj në protestën më të gjatë e më të madhe që një popull mund të bëjë për të ndalur rrënimin e provokuar nga qeveria e vet", - shtoi ai.
I pyetur mbi takimin Nano-Berisha, Rama u përgjigj se për të nuk ishte asgjë e re.
"...Për mua nuk ka asnjë gjë të re", - tha ai.