E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojet shtetërore, debat brenda PD-së

Deputetët e djathtë përfshihen në debat të ashpër mes njeri tjetrit lidhur me projektligjin për trojet shtetërore. Kalojnë vetëm 5 nene


TIRANË - Çështja e pronave përçan deputetët demokratë. Bëhet fjalë për projektligjin që qeveria ka paraqitur në Kuvend, i cili parashikon taksimin ose privatizimin e trojeve shtetërore, mbi të cilat janë ndërtuar objekte private, dhe që dje ka nisur të diskutohet në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Ekonomisë.


Por, ndërsa komisioni i Ekonomisë ka mundur t'i japë zgjidhje me lehtësi trajtimit të dispozitave të tij, ai i Ligjeve është përfshirë në një debat të ashpër mes vetë anëtarëve të djathtë, ç'ka ka sjellë për pasojë miratimin e vetëm 5 neneve të para.


Objekt debati u bënë disa çështje, si e drejta e ish-pronarëve për të parablerë këto troje, destinacioni i lekëve që do të mblidhen nga ky proces, si dhe dilema e mënyrës së zgjidhjes së kontratës së qirasë që ekziston aktualisht mes individëve që i zotërojnë këto objekte private dhe shtetit si pronar i tokës.


Debati


Komisioni i Ligjeve nuk ka mundur të bjerë në ujdi për sa i përket draftit që kërkon të rregullojë marrëdhënien juridike mes pronarëve të shtëpive apo ndërtesave të tjera private me leje që janë ngritur mbi troje, që janë tokë shtetërore. Shkak është bërë kundërshtimi që gjeti ky draft nga disa prej deputetëve të djathtë për një sërë dispozitash që trajtohen në këtë projektligj.


Kështu, dy deputetët, Aldo Bumçi dhe Edi Paloka, duke parë se qëllimi i këtij projektligji është që të vendosë një taksë të lartë për këto familje, me qëllim që ata të kërkojnë ta privatizojnë këtë tokë me çmimin e tregut, kanë kërkuar, së pari, që nga kategoritë e këtyre trojeve të hiqen ato toka që dikur kanë qenë pronë private dhe që nga reforma të ndryshme janë shtetëzuar.


Sipas Palokës, ky projektligj krijon mundësi të reja që të ardhurit të marrin tokat e të tjerëve, ndaj ka kërkuar që në draft të sanksionohet që ish-pronarët duhet të ketë të drejtën e parablerjes së këtij trualli.


"Unë propozoj që këtu të shtojmë që ky ligj të mos e shtrijë veprimin e vet dhe në trojet që janë në proces njohje dhe kompensimi të pronës ish-pronarëve. Mua për vete mi kanë marrë, kështu mi kanë marrë pronat me forcë", - tha Paloka.


Por, një këmbëngulje e tillë ka acaruar së tepërmi kreun e komisionit, Ilir Rusmali, i cili nuk ka nguruar të ngrejë tonet e zërit dhe të debatojë ashpër me Palokën, duke i shpjeguar se projektligji në fjalë nuk ka si objekt trojet që janë pronë e subjekteve të shpronësuara, por vetëm ato shtetërore.


"Dakord, por këtu jemi të flasim për zonën dhe jo për veten. Z. Paloka, ne duhet ta shohim me vëmendje gjithë nenin dy, se ne padashur po përfshijmë një debat që s'ka lidhje fare me këtë projektligj. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave pikat e takimit me këtë projektligj i ka zero. Po zero në çfarëdo lloj rrethane.


Ndaj, ne po bëjmë një diskutim jashtë orbite", - u shpreh Rusmaili. Një tjetër shqetësim ngriti kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili ka theksuar se të ardhurat që do të mblidhen nga taksa të shkojnë për hesap të kompensimit të ish-pronarëve.


Por, as ky propozim nuk është mirëpritur, si nga Rusmaili, ashtu edhe nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave që merrte pjesë në mbledhje. Sipas kësaj të fundit, prishja e kontratës së qirasë dhe kalimi në sistemin e taksës bëhet për qëllim të mbushjes së buxhetit dhe më pas edhe për të arritur privatizimin e plotë të këtyre trojeve.


Ndërsa deputeti Alibeaj ka ngritur shqetësimin nga ana e procedurës juridike, sesi do të funksionojë sistemi i taksimit në rast se shteti do të prishë kontratën e qiradhënies së këtyre trojeve.


Mënyra sesi është parashikuar në draft, sipas tij, krijon një vakum, pasi nuk i lejon më personit që ka ndërtesën që të ketë në përdorim truallin shtetëror. Për të gjitha këto paqartësi dhe mosmarrëveshje, kreu i komisionit ka ndërprerë mbledhjen, duke kërkuar nga përfaqësuesja e Ekzekutivit që të reflektojë mbi shqetësimet e ngritura nga deputetët.


Drafti


Projektligji "Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror" pavarësisht se në objektin e tij përcakton se qëllimi i tij është që të përcaktojë mënyrën e taksimit tokave në pronësi publike, mbi të cilat është ndërtuar në vite, në të vërtetë synimi i kësaj nisme është krejt diçka tjetër.


everia e gjendur në vështirësi të mëdha financiare ka vendosur që të taksojë me 10 për qind të vlerës reale të truallit çdo vit poseduesin e ndërtesës që është ngritur mbi të, me qëllim që ta detyrojë këtë të fundit që më mirë të kërkojë ta blejë atë kundrejt çmimeve të tregut sesa të paguaj vit për vit nga 10 për qind të kësaj vlere si taksë.


Për këtë qëllim, Komisioni i Ekonomisë dje i ka ndryshuar edhe titullin projektligjit, duke evidentuar që në fillim të tij të drejtën e privatizimit të këtyre trojeve.


Vështirësia financiare e qeverisë shkon deri aty sa për të siguruar sa më parë të ardhurat nga ky proces privatizimi, ka parashikuar në nenin 18 të tij se në rast se individi ka mundësi ta paguajë brenda gjashtë muajve të parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, atij do t'i falet 20 për qind e shumës totale, ndërsa 20 për qind të tjera do të mund t'i privatizojë me bono.


Debatet

Paloka:


"Ky ligj nuk duhet t'i shtrijë efektet e veta mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e njohura në proces legalizimi etj. Unë propozoj që këtu të shtojmë që ky ligj të mos e shtrijë veprimin e vet dhe në trojet që janë në proces njohje dhe kompensimi të pronës ish-pronarëve. Mua për vete mi kanë marrë, kështu mi kanë marrë pronat me forcë".


Rusmali:


"Dakord, por këtu jemi të flasim për zonën dhe jo për veten. Z. Paloka, ne duhet ta shohim me vëmendje gjithë nenin dy, se ne padashur po përfshijmë një debat që s'ka lidhje fare me këtë projektligj. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave pikat e takimit me këtë projektligj i ka zero. Po zero në çfarëdo lloj rrethane. Ndaj, ne po bëjmë një diskutim jashtë orbite.


Nuk ka asnjë shans që në këto kategori të përfshihet në çfarëdo rrethane kategoria e subjekteve të shpronësuara. Ligji për kthimin dhe Kompensimin e pronave përjashton nga kthimi i pronave të gjitha rastet kur kemi të tilla. Prandaj është më mirë ta shohim me këtë sy dhe me ketë lloj gjakftohtësie"


Paloka:


"Marrim rastin e një ish-ndërmarrje shtetërore që është privatizuar para daljes së këtij ligji dhe ligjit që i jep të drejtën e parablerjes pronarit. Kjo ish-ndërmarrje shtetërore...."


Rusmali:

"Nuk ekziston termi e drejtë parablerje për truallin..."

Paloka:


"Për pronat..."


Rusmali:

"Për truallin se këtu po diskutojmë truallin"

Paloka:


"Këtu bëhet fjalë për truallin, por ka të drejtë parablerje për ndërtesën."


Rusmali:

"Po, por raporti në këtë projektligj është që pronari i ndërtesës është privat, ndërsa trualli është shtetëror. Ti flet për të drejtë parablerje të ndërtesës, ndërkohë që ajo është private"


Paloka:


"Prit një herë se s'po kuptohemi. Objekti është privat dhe nuk e ka ish-pronari i truallit që me ligj sot ka të drejtën e parablerjes së objektit dhe jo të truallit. Ndërsa, ky që e ka sot e ka marrë para se të dilte ky ligj. Faktikisht, ndërtesa ndodhet në një truall që ka ish-pronar. U shpjegova apo jo. Në këtë rast e kemi në këtë projektligj."

Rusmali:


"Këtë rast nuk e kemi se këtë rast e ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave, jashtë çdo lloj dileme dhe ekuivoku."


Paloka:


"Me kompensim..."


Rusmali:


"E ka zgjidhur si e ka zgjidhur dhe e di ai se si e ka zgjidhur.

Nuk e kemi temë diskutimi atë ligj. Prandaj, thashë nëse ne përpiqemi ta përfshijmë në debat, ne krijojmë kaos këtu. Ne nuk mund të merremi dhe të trajtojmë ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ne nuk mund t'i bëjmë amendamente atij ligji, i ka zgjidh problemet e veta. Ky është një ligj që merret me një gjë krejt tjetër.


Të gjitha shqetësimet e tua kanë gjetur zgjidhje atje. Nëse ty zgjidhja nuk të pëlqen, atëherë ke një mjet që të kërkosh të amendosh ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ky nuk është një mjet që unë të kërkoj zgjidhjet e mia atje.


Ky është një projektligj që vendos një taksë për rastet kur prona shtetërore përdoret jo në mënyrë abuzive, por përdoret për një justifikim çfarëdo ligjor apo faktik"


Paloka:

"Duke ia privatizuar atyre që kanë ndërtuar..."

Rusmali:


"Ato janë të ligjit të legalizimit dhe s'kemi punë as me ta."


Paloka:


"Këtu kemi punë se ti po i përjashton ata..."


Rusmali:


"Po pra, por në qoftë se ti ke një të drejtë privatizimi në bazë të këtij ligji, kjo nuk është e drejta e privatizimit të ligjit legalizimit. Ligji i legalizimit ka mekanizmat e veta. Ti nuk mund të bësh dinakun me ne sot dhe të thuash më leverdis më mirë në këtë formë, pavarësisht se e kam ndërtim të paligjshëm. Jo këtë nuk e bën dot."

****
Rusmali:


"Në fillim të viteve '90-të ka ndodhur një fenomen, komitetet ekzekutive pluraliste për shkak se lëvizjet e popullsisë kishin sjellë pasoja të rëndësishme të njerëzve në strehim dhe nuk kishin mekanizma të tjerë që t'i zgjidhte, u ka dhënë qytetarëve që vinin në Tiranë parcela që mund të ndërtonin shtëpitë e tyre me leje ndërtimi të rregullta. Tani ato ndërtesa nuk mund të ndahen nga trualli."

Bumçi:


"Unë nuk jam kundër kësaj, unë jam për këtë tjetrën."

Rusmali:


"Nëse je dakord me këto kategori, nuk mund të shtosh tjetër."

Bumçi:


"Shumë mirë le të zgjidhim problemin që kanë me truallin këto ndërtesa. A është më shtrenjtë kjo sesa procesi i legalizimit."

Rusmali:

"Nuk bëjnë legalizim ata, sepse janë ndërtesa me leje."

Bumçi:


"A ka mundësi ta marrim më qetë këtë debat. Ata do paguajnë për këtë truall që kanë në përdorim dhe mbi të cilin kanë ndërtuar shtëpinë? Atëherë, kjo pagesë a është më e shtrenjtë ata që kanë bllokuar tokën. Dikush që e ka marrë tokën në këtë mënyrë nuk duhet të paguajë më shumë sesa dikush tjetër që e ka zënë një tokë."


Fatos Hoxha:
"Unë jam dakord me atë që thotë Aldo"

Gazeta "Shekulli" zbardh faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku evidentohen qartë ndryshimet


Kuvend, zbardhen dietat milionëshe të deputetëve të djathtë

TIRANË - Rrogat e gjashtë muajve të 64 deputetëve të PS-së në periudhën e bojkotit parlamentar nuk kanë qenë të ardhura që mbetën në buxhetin e shtetit.


Një pjesë e mirë e tyre i është dhënë deputetëve të mazhorancës, përmes dietave tejet të fryra, lekëve për karburantin apo telefonin, dhe që në total përbëjnë një shumë që në disa raste ia kalon edhe rrogës, që ata marrin.


Kjo situatë vazhdon ende, ku deputetë të PD-së favorizohen nga kryetarja e Kuvendit në mënyrë krejt antiligjore, ndërsa homologët e tyre socialistë janë bërë pre e penalizimeve pa fund, edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet që ata kryejnë në përmbushje të detyrimeve dhe të përgjegjësive të ngarkuara nga detyra që kryejnë.


Gazeta "Shekulli" disponon faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku natyrisht evidentohet qartë ndryshimi i përfitimit financiar i të zgjedhurve socialistë, si dhe abuzimi që në këtë rast bën kryeparlamentarja në shpenzimin e buxhetit të institucionit të Kuvendit.


Nga krahasimi i këtyre tabulateve vihet re se të gjithë deputetët socialistë për muajin mars janë trajtuar financiarisht vetëm me 18.3 mijë lekë për dieta, ndërsa nuk u është kompensuar asnjë lek qoftë për karburantin ashtu edhe për telefonin.


Ndryshe nga ata, kolegët e tyre të djathtë përveç dietave të majme që arrijnë deri në 74 mijë lekë të reja, janë trajtuar financiarisht edhe për karburantin që kanë konsumuar në udhëtimet e tyre, për telefonin celular, çka në total në disa raste shuma ka shkuar deri në 160 mijë lekë të reja.


Kështu, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe, ka mundur të marrë si kompensim për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë dhe këto të detajuara vetëm si dieta dhe nuk i është paguar kompensuar as karburanti dhe as telefoni, megjithëse kjo parashikohet në ligjin "Për statusin e deputetit".


Ndërkohë që kundërshtari i tij i të njëjtit qark, Lefter Maliqi, pavarësisht largësive të barabarta nga Tirana ka marrë në total 140 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë si dieta (një deputet që banon në Tiranë i paguhen 6 ditë dieta me nga 30 mijë lekë, ndërsa një deputeti që banon jashtë Tirane i njihen 12 ditë të tilla), 40.5 mijë për karburantin, 17 mijë për telefonin, si dhe 9 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione.


Në rastin e Maliqit duhet të theksojmë se nga deklarata e tij e pasurisë në ILDKP rezulton se ai ka shtëpi në Tiranë.


Pra, nga krahasimi i të dhënave duket qartë trajtimi me dy standarde që Kuvendi i bënë deputetëve të të njëjtit qark, pavarësisht se ligji parashikon një trajtim të barabartë mes tyre.


Një tjetër rast është ai deputetit Taulant Balla, i cili ashtu si Braçe ka marrë vetëm 18.3 mijë lekë për dieta, duke mos iu njohur as kompensimi i karburantit dhe as i telefonit.


Ndërsa kolegu i tij i të njëjtit qark, Luçiano Boçi, ka përfituar në total 139 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë lekë dieta, 37.8 karburant, 17 mijë lekë telefon dhe 10.8 mijë lekë nga komisionet. Pra, sërish vihet re fenomeni i favorizimit të deputetëve të djathtë.


Një rast akoma më flagrant përbën ai i deputetit Igli Cara, i cili pavarësisht se është deputet i Durrësit, pra vetëm 30 km larg Tiranës, ka mundur të marrë në total 132 mijë lekë, nga të cilat 73.2 mijë si dieta, 33.3 mijë për karburantin dhe 17 mijë lekë për telefonin.


Pabarazia mes deputetëve të djathtë dhe të majtë bëhet edhe më e madhe në rastin e deputetëve të zonave të largëta. Kështu, ndërsa deputeti socialistë Qemal Minxhozi ka përfituar si dietë vetëm 18.3 lekë, kolegu i tij i djathtë i të njëjtit qark Bedri Hoxha ka marrë plotë 160 mijë lekë të reja si dieta, karburant, telefon dhe për pjesëmarrjen në komisione, ose thënë ndryshe rreth 300 mijë lekë më shumë sesa rroga që ai merr si i zgjedhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›