Berisha: Nano president? Ende herët për të folur

Kryeministri Sali Berisha foli gjithashtu për ditën e 1 Majit, kur secila nga forcat politike, sipas tij, do të shpalosin platformat
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha nuk e ka mohuar dje mundësinë e propozimit të kandidaturës së Fatos Nanos për postin e Presidentit pas dy vjet e gjysmë kur të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale. I ftuar në emisionin "Studio e Hapur" në TV "Alsat", kryeministri Sali Berisha është pyetur gjatë nëse mes tij dhe Nanos ka marrëveshje për postin e Presidentit dhe se a është diskutuar një gjë e tillë edhe në takimin e fundit të zhvilluar në Vjenë.
"Absolutisht në atë tryezë nuk është shqipëruar fjala president deri sot. Po, në atë tryezë nuk mund të mos theksoj se ky takim u zhvillua 20 vite pas Triestes. U diskutua për procesin e integrimit dhe unë si një ish kryeministër e njoha atë me të gjithë brendinë e takimeve të mia në Bruksel, ç'ka ishte shumë normale në këtë moment.
Doja të ftoja dhe shefin e opozitës, po ai me qëndrimin që mban i kundërvihet në mënyrën më të hapur. Në momentin që unë takoja presidentin e KE, ata vishnin ferexhe", tha mbrëmë Berisha Kryeministri shtoi se gjatë takimit nuk kishte diskutuar mbi planet personale apo partiake të ish-kryetarit socialist, Fatos Nano.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit nuk ka mohuar mundësinë e Nanos për president, teksa është pyetur posaçërisht për këtë çështje. "Unë jam një ish-president.
Lëndohem shumë kur gazetarët fillojnë diskutimet për kandidatin e presidentit dy apo tre vjet para. Nuk është as etike, nuk i shërben as dhe një institucioni të nderuar qendror për vendin që është presidenca.
Nuk kam ndërmend të bëj as dhe diskutimin më të vogël, unë jam ish-president. Nuk më lejohet mua të fillojë diskutimet apo pretime para datës kushtetuese të fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit", - tha mbrëmë Berisha. Kreu i Ekzekutivit deklaroi gjithashtu mbrëmë se në zgjedhjet lokale në garën për bashkinë e Tiranës, PD-ja do të garojë në koalicion me LSI-në.
Ndërsa për ditën e 1 Majit, ku opozita do të protestojë, ndërsa mazhoranca do të festojë, Berisha u shpreh se do të jetë një ditë ku secila nga forcat politike do të shpallë platformën e vet.