E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Me Kasharin mbyllet sistemi i vjetër

Tiranë-Kryetari i PS-së, Edi Rama ka reaguar sot pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë për rezultatin e votimit për kryetar komune në zonën e Kasharit.

Sipas Ramës, Kashari nuk ishte kurrfarë testi për forcat politike shqiptare, por një garë lokale, mes katër individësh, të respektuar, të një komuniteti, të cilët ndanë mes tyre 7200 vota për të plotësuar vendin bosh të kreut të komunës.

“Të dalësh e të thuash se rezultati i kësaj gare ka të bëjë me reformat e qeverisë apo me arritjet e saj në rang vendi, kjo do të thotë të jesh një kryeministër në pikë të hallit. Kurse të dalësh e të thuash se renditja në këtë garë individuale, mes katër banorëve të Kasharit, që konkurruan brenda komunitetit të tyre dhe jashtë kalendarit apo temave të ballafaqimit politik të vendit, na qenka pasqyra e sotme e renditjes së partive shqiptare në nivel kombëtar, do të thotë të mos kesh asnjë respekt, jo vetëm për të vërtetën e për publikun, po edhe për veten”- ka thënë Rama gjatë një deklarate për shtyp.

Ai ka shprehur keqëardhje për pompozitetin e kotë me të cilin, kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta, rendën të nxjerrin konkluzione triumfale nga një garë më shumë sesa modeste, e zhvilluar krejt në periferi të jetës politike të vendit. Madje qoftë kryeministri qoftë ish-kryeministri u ngutën të lajnë me Partinë Socialiste hesape, që pa asnjë dyshim do t'i bëjmë, por vetëm në kohën e në vendin e duhur: Në vitin 2009, në të gjithë Shqipërinë.

Rama ka theksuar se tashmë është koha të bëhet gati sistemi i ri zgjedhor, që do të hyjë në funksion në vitin 2009, duke e mbyllur me Kasharin kapitullin e shëmtuar të sistemit të vjetër, që edhe të dielën në Kashar, nxori nga kutitë më shumë vota sesa numri i votuesve, shpërndau afro 500 certifikata të reja deri në fund të ditës së votimit, pa llogaritur një prurje certifikatash nga një komunë tjetër, derdhi rrugëve e kafeneve të fshatit tërë shpurën e ministrave të shoqëruar nga shpurat e tyre vetjake dhe hodhi në qarkullim para nën dorë për blerje masive votash.

“Le të bëjmë gati kartat e identitetit, të rikonceptojmë pa humbur kohë administratën zgjedhore dhe të garantojmë me ligj transparencën e financimit të fushatës e pastaj t'ua lemë në dorë 3 milion e 100 mijë shqiptarëve të na rendisin lirisht në listën e preferencave të tyre. Pastaj flasim”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›