Braçe reagon për ndryshimet në qeveri
Tiranë- Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe ka reaguar sot për ndryshimetnë qeverinë “Berisha” duke i cilësuar ato karshillik për prokurorinë.
Gjatë një deklarate për shtyp nga selia e Partisë Socialiste, Braçe ka kujtuar “krimin shtetëror” të Gërdecit, që sipas tij do të mbetet shenja më e dallueshme e këtij semestri qeverisës së Sali Berishës apo këtij sesioni lavatriçe të parlamentit të Jozefina Topallit që e ka implikuar jo pak atë.
“Ndryshimet e fundit në Qeveri, kanë vendosur këtë shenjë në “lule të ballit” të Sali Berishës duke marrë edhe ato dy gisht nder që kishin mbetur atje për hir të Kanunit.
Ato, u nxitën me dhunë në shenjë karshillëku dhe sfidë të hapur, për të mos thënë luftë ndaj prokurorisë dhe veprimeve të saj gjatë kësaj jave lidhur me hetimin e krimit dhe të pandehurve për të”- tha Braçe.
Gjatë kësaj jave ndryshimet në Qeveri, sipas tij, Prokuroria njoftoi se ka formuluar akuzë të re lidhur me hetimet mbi krimin shtetëror të Gërdecit: atë të vrasjes në më shumë se një rast të kryer në Gërdec.
“Pa i lejuar vetes në asnjë çast e rast, ndërhyrjen në punët e akuzës, ne e shohim këtë veprim një hap në rrugën e duhur për të zbardhur ngjarjen, për të hetuar në gjithë përmasën krimin, për të bërë drejtësi për fajtorët dhe mbi të gjitha për viktimat”- ka thënë ai.
Braçe ka inkurajuar Prokurorinë të vijojë e thellojë hetimet drejt këtij grupit të strukturuar kriminal, që nis në rrugë, zgjatet në parlament e shtrihet këmbëkryq në qeveri, veprimet e të cilit nuk kanë qenë rastësore, prej të panjohurish, por të paramenduara me qëllimin kriminal të shfrytëzimit të pasurive publike, ndikimit, krijimit të vendimeve e të qeverisë e Kuvendit për lehtësira në përfitimin e të mirave materiale në rrugë të paligjshme e kriminale.
Po këtë javë, sipas tij, prokuroria njoftoi se ka marrë dhe 3 muaj kohë për të thelluar hetimet ndaj personave nën hetim për këtë krim, nën motivin e pengesave të mëdha të hasura, të krijuara për të hetuar ndaj imunitarëve politikë të dyshuar gjerësisht si të përfshirë në krim.
“Ne e gjykojmë të arsyeshëm veprimin e prokurorisë ashtu siç kërkojmë me forcë që prokuroria të zbatojë ligjin me rreptësi ndaj çdo zyrtari apo kujtdo tjetër që pengon drejtësinë të zbardhë krimin”- shtoi Braçe, duke theksuar se për PS-në ka qenë e qartë se pengesa kryesore vjen nga Sali Berisha, banda e tij administrative, klientët e tij kudo, ndaj përballja e tyre me ligjin është e vetmja rrugë për të çliruar hetimet.
Hetimi i këtyre dy krimeve, sipas tij është jetik, ndëshkimi i zyrtarëve në këto krime është lufta reale ndaj korrupsionit, ata vetë (zyrtarët) janë bilanci i zi real korruptiv i cili nuk mund të manipulohet nga Berisha me Këzen 80 vjeçare të Delvinës.