Rama: Me PS, Shqipëria në BE, bufi është përgatitur për opozitë

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Kryeministri njëherësh, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi sot kandidatët e PS-së në Elbasan për zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Rama solli shembullin e deputetit të PD në Elbasan Dashnor Sulës.
Rama u shpreh se Dash Sula, fitoi primaret dhe nëse do i thonin të hiqte një deputetë nga PD do ishte Dash Sula se ishte më i lodhshmi ndër ta.
“Nuk mundej dot ta mbante këneta dhe e nxori jashtë komplet pavarësisht se ai fitoi primaret. Mua më vjen mirë që Dash Sula nuk do jetë në parlament që të kuptohemi. Dhe nuk ka gjë më të ëmbël në këtë lloj fushe kur kundërshtarin më të vështirë ta vret, kundërshtari vetë”, tha Rama.
Por, shtoi Rama, “heqja e tij apo heqja e disa të tjerëve që dolën siç ishte kryetari i PD-së të Kavajës. Ai doli i pari në të gjithë primaret e Tiranës, ai nuk figuron në listë fare. Apo të tjerë akoma, njerëz me vota. Ato votat e kënetës po vota”, tha Rama.
Rama u shpreh se, “ne kemi bërë një listë dhe kemi paraqitur një skuadër për të qeverisur sot dhe për të siguruar që Shqipëria edhe pas hyrjes në BE është në duart e sigurta të një force politike që në përpjekjen e vetë për të ndryshuar Shqipërinë ka në ADN-në e vetë, ndryshimin e vetvetes”.
Ndërkohë shtoi Rama, “ata, bufi është përgatitur për opozitën. Dash Sula është hequr jo për 11 majin, është hequr për 12 majin. Dhe si Dash Sula edhe ai kryetari demokrat i Kavajës është hequr për 12 majin. Edhe të tjerë njerëz që nesër mund të ishin potencialisht një rrezik. Se kur bufi të dali të thotë më 12 maj na i vodhën çohuni revolucion të largojmë mafien “Rama ik”, zor se gjeli i detit do t’i shkonte mbrapa bufit të kënetës dhe të gjithë bretkosave që janë mbledhur aty për të bërë këtë budallallëk edhe 4 vjet të tjera. Edhe bufi i mori dhe i kollofiti një nga një”.
Duke reaguar ndaj deklaratës së kreut të PS, Sali Berisha se, bufi është mbajtur si simbol i mençurisë, Rama tha se, “patjetër, bufi ai i kënetës së vërtetë meriton respekt. Por jo kur bufi të vjen në Tiranë për të bërë politikë. Për në kënetën e Karavastasë jemi gati të gjithë ta mbështesim bufin e kënetës në Tiranë, të shkojë në Karavasta dhe të merret atje, po jo buf kënete i veshur me kostum edhe me kravatë që na tregon ne sesi do bëhet “Shqipëria Madhështore” me Kujtim Gjuzin”.
/a.f/