Rama: Më shumë liri për gratë në Shqipëri

Kreu i Partisë Socialiste ka uruar gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 marsit. Nëpërmjet sajtit të tij zyrtar, edirama.al, Rama e ka shoqëruar urimin e tij edhe me një imazh i shkëputur nga koreografia e Angjelin Preljocajt.
Në mesazhin e tij Rama thekson se është koha për të reflektuar, për sa shumë ende duhet bërë që gratë dhe vajzat në Shqipëri të kenë liri e të drejta të barabarta me ato që gëzojnë simotrat e tyre në botën e lirë.
“Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos diskriminohen e mbeten pas, të mos vuajnë dhunën në familje e papunësinë që ndër gratë është edhe më e përhapur se ndër burrat, të mos bien viktimë e paragjykimeve apo e ringjalljes në plot zona të vendit të një sjelljeje izoluese ndaj tyre. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos mungojnë si sot, jo për faj të tyre, në rolin e patjetërsueshëm që natyra e liria u ka përcaktuar për ekuilibrat e sotëm shoqërorë të vendit. Nëse do t`ua mundësojmë që ta luajnë këtë rol s`ka pikë dyshimi se Shqipëria do të bëhet shumë më e fortë politikisht dhe ekonomikisht” thekson Rama.