Reforma pa reformatorët
Por, kjo reformë e madhe është ndoshta reforma e vetme që nuk ka reformatorë. Dy prodhuesit e saj të mëdhenj, Sali Berisha dhe Edi Rama, nuk u bashkuan për të sakrifikuar diçka nga pushteti i tyre apo për t’i dhënë fund një historie që punonte kundër shoqërisë shqiptare. Ata u bashkuan për të kundërtën e saj. Të futur të dy në krizë, secili për llogari të vet, ata kuptuan nevojat e njëri-tjetrit dhe u bashkuan. Reforma do të ishte historike, sikur të ishte vetëm elektorale dhe Sali Berisha dhe Edi Rama do të mbeteshin dy reformatorët. Por, në të vërtetë, reforma elektorale u përdor si dhuratë për Edi Ramën, kurse pjesa e dytë, reforma institucionale, si dhuratë për Sali Berishën. Pra, Berisha dhe Rama nuk u bashkuan për një qëllim, por për dy qëllime ose më mirë të themi secili për të vetin. Edi Rama e kishte të nevojshme këtë reformë elektorale dhe bashkë me të dhe Shqipëria. Ai nuk mund të mbante dot nën kontroll një parti të stërmadhe me shumë figura si Partia Socialiste, nëse nuk kishte në dorë një mekanizëm presioni, siç është ky që i dhuron me të drejtë ky sistem elektoral. Fati bëri që këtë nder të madh t’ia jepte armiku i tij më i madh, ai me të cilin ai ka 18 vite që identifikohet si kundërshtar në skenën politike. Sali Berisha i dha mundësinë Edi Ramës të ketë kontrollin mbi Partinë Socialiste dhe të lërë jashtë dyerve të saj përfundimisht çdo kundërshtar të tij. Në shkëmbim të kësaj Edi Rama i ka dhënë Sali Berishës dy garanci të mëdha. Së pari, i ka dhënë garancinë që ai nuk rrëzohet nga pushteti deri në vitin 2009, pasi, kushdo që rrëzon, çon vendin në zgjedhje dhe, së dyti, i ka dhënë qetësinë në raport me rivalin e tij real, presidentin Bamir Topi. Mbështetësit e këtij të fundit u bënë qesharakë dhe dëshmuan mungesë integriteti politik, pasi më shumë sesa luftë me Sali Berishën deshën një arsye që të mos turpëroheshin publikisht dhe Berisha ua dha atë. I lejoi ata të mblidhnin firma pro mbrojtjes së opsionit të tyre për zgjedhjen e presidentit dhe, pasi i mblodhën, iu tha se nuk mund të shkonin më tej, pasi gjërat i kishte në dorë vota e PS. Të njëjtën gjë iu bëri dy ditë më parë dhe aleatëve të tij rebelë në koalicion. I mblodhi disa minuta para votimit, iu premtoi se do t’iua bëj nderin te Kodi Elektoral dhe pastaj do t’iu thotë se votat e Kodit i ka në dorë Partia Socialiste. Kjo është epërsia normale që atij i jep reforma, që ata sapo kanë miratuar.
Duke qenë një reformë pa reformatorë, kjo është një reformë pragmatiste e dy drejtuesve më të mbështetur politikë në vend. Gjithkush që mendon se kjo reformë do të çimentojë në krye të PS dhe PD dy autorët e reformës, e tepron në parashikimin e tij. Reforma elektorale natyrisht iu jep fuqi të momentit dy liderëve kryesorë, por jo pushtet të përjetshëm atyre. Njëri prej tyre do të humbasë në zgjedhjet e vitit 2009 dhe do të marrë përgjegjësi duke u larguar. Tjetri natyrisht do t’i gëzojë frytet e reformës, qoftë ato që shtoi Berisha, qoftë ato që deshi Edi Rama. Demokracia është një realitet i gjallë, pasi të ndëshkon, edhe kur tenton të bësh lojë. Çdo sistem i kalbur, kur përsoset, ndëshkon ata që tentojnë ta përsosin. Kjo reformë është jetike për Shqipërinë, pasi do të ndëshkojë së paku një nga dy autorët. Dhe për kaq ia vlen ta mbështesësh. Është e vetmja reformë në botë me dy autorë dhe pa asnjë reformator.