E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujka: PDK është shndërruar në një grup presioni për mazhorancën

Kryetari i grupit parlamentar të PDK, Pashk Ujka, deklaron se nuk ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion, por është shkarkuar nga vetë kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka. Në një deklaratë për mediat, Ujka shprehet se ky ndryshim ka ardhur për shkak të qëndrimeve të kundërta nga kryetari i partisë që ka mbajtur Ujka dhe nuk është aspak e vërtetë që ka dhënë dorëheqjen, ashtu siç u njoftua zyrtarisht nga ana e PDK. Sipas tij, grupi parlamentar i PDK është një grup informal dhe inekzistent, që përdoret për t’i bërë presion mazhorancës, ndërkohë që shprehet se një pjesë e deputetëve të këtij grupi, si dhe pjesa dërrmuese e aktivistëve të partisë janë për veprime institucionale dhe jo për veprime personale, siç po vërehet në veprimet e kësaj partie. “Partia Demokristiane ka nisur një njoftim në Kuvend, ku lajmërohet shkarkimi i kryetarit aktual të grupit parlamentar të PDK. Ndryshimi erdhi për shkak të qëndrimeve të mija. Unë kam deklaruar se ky grup është formal dhe përdoret për t’i bërë presion mazhorancës, për të pasur përfitime personale. Një pjesë e grupit tonë parlamentar dhe deputetë të PDK janë për veprime institucionale dhe jo personale dhe nisur nga kjo gjendje unë propozova që grupi të shkrihet. Atyre iu duhen të gjejnë deputetë për të plotësuar numrat, për të plotësuar një grup parlamentar, se aktualisht nuk kanë numrin e duhur. Por, siç e thashë dhe më lart, këto janë grupe inekzistente”, - tha Ujka. Sipas tij, partitë e vogla tashmë mund të konsiderohen gangrena e mazhorancës dhe, në rast se kryeministri nuk ndërhyn, atëherë zgjedhjet e vitit 2009 janë realisht të rrezikuara për mazhorancën. “Një pjesë e grupit parlamentar dhe pjesa dërrmuese e militantëve janë të pakënaqur nga kjo situatë. Këtë ide e mbështesin dhe protestat e mjekëve, të cilët janë tërësisht të pakënaqur nga kjo situatë. Në këtë sens, besoj se mazhoranca duhet të veprojë me forcë për t’i shkatërruar këto grupe. Unë i përkas atij kontigjenti, që mendon se duhet të mbizotërojë qetësia. Partitë e vogla janë bërë gangrenë për mazhorancën. Nëse kryeministri Berisha nuk ndërhyn, atëherë rrezikon zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Me sa jam në dijeni, po ndërmerren veprime politike që PDK të pastrohet nga këto idividë dhe grupe mafioze”, - tha Ujka.

PDK

Ndërkohë, vetë PDK në një njoftim zyrtar, është shprehur se Pashk Ujka ka dhënë dorëheqjen nga ky post dhe se vendin e tij ka zënë deputeti Ndue Shpani, njëkohësisht dhe Sekretar i Përgjithshëm i PDK. Sipas njoftimit zyrtar të PDK, dorëheqja e Ujkës u pranua jo vetëm si dëshirë e tij, por edhe për pasojë të qëndrimeve kundër vijës së partisë. “Partia Demokristiane njofton se duke filluar nga data 22 prill 2008, kryetar i grupit parlamentar të saj do të jetë z. Ndue Shpani, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i PDK. Zoti Shpani është një nga deputetët kryesorë të zgjedhur nën siglën elektorale të PDK dhe me aftësinë e formimin e tij politik është një garanci për rritjen e cilësisë së përfaqësimit të kësaj partie në parlament. Vendimi për të pranuar dorëheqjen e ish-kryetarit të grupit, z. Ujka, erdhi edhe për shkak të qëndrimeve të tij personale dhe të përsëritura politike kundër vullnetit politik të grupit parlamentar, si dhe paaftësisë së tij për të menaxhuar dhe drejtuar me kompetencë grupin parlamentar”, - thuhet në njoftimin zyrtar të PDK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›