Topalli: Paketa, mori fund klientelizmi politik
TIRANË- Historik, e ka cilësuar kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, konsensusin e gjerë politik me të cilin u miratuan amendamentet kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë. Në një dalje të improvizuar për mediat, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka përshëndetur frymën demokratike dhe konsensuale me të cilën klasa politike shqiptare zhvilloi debatin dhe miratoi reformën më të madhe kushtetuese. "Ajo që ka ndodhur dje në Parlament është një ngjarje historike, një histori suksesi e Republikës Parlamentare, e parlamentarizmit shqiptar. Kuvendi i Shqipërisë ka votuar dhe ka vepruar siç veprojnë parlamentet e emancipuara, të civilizuara të vendeve perëndimore, ku reformat e mëdha realizohen vetëm midis mazhorancës dhe opozitës, - u shpreh Topalli. Reforma, sipas Topallit, i ka dhënë fund metodës së klientelizmit politik dhe ka hapur rrugë forcimit të parlamentarizmit dhe demokracisë në vend. Sistemi zgjedhor i sanksionuar me këtë reformë në Kushtetutë, sipas Topallit, krijon hapësirën e duhur, ku të gjitha forcat politike mund të masin forcat e tyre reale. "Me këtë reformë historike, në Shqipëri hapet një epokë e stabilitetit politik, ku krizat artificiale, të cilat ishin në nene të ndryshme të Kushtetutës, nuk do të kenë më vend dhe nuk do të kenë më mundësi të shfaqen, siç i kemi parë të shfaqen gjatë viteve të kaluara. Për herë të pare, në sajë të kësaj reforme historike dhe të konsensusit të jashtëzakonshëm që u arrit, nuk do të ketë më mundësi klientelizmi politik në zgjedhjet politike, nuk do të ketë më mundësi deformimi të votës", - tha Kryeparlamentarja. Ndërkohë, duke komentuar qëndrimet kundër kësaj reforme brenda Partisë Demokratike dhe sidomos ato të kryetarit të shtetit, Bamir Topi, Topalli nuk ka ngurruar ta "thumbojë" këtë të fundit, kur ka theksuar se të gjithë e kanë kuptuar domosdoshmërinë e kësaj reforme demokratike. "Jo të gjithë kanë kurajon, jo të gjithë e kuptojnë dhe e ndiejnë se sa e rëndësishme është që të mendosh më parë për vendin, qytetarët, pastaj për të tjerat", - iu përgjigj Topalli pyetjes për qëndrimin e mbajtur ditët e fundit nga presidenti Topi. Ajo ka vijuar luftën e saj indirekte ndaj institucionit të Presidentit, duke u shprehur se reforma sanksionoi parlamentarizmin në vend.