Rama-Meta, në kongresin e PSE. PS, denoncim për situatën politike
Kreu i opozitës, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta do të jenë nesër bashkë në Pragë të Çekisë, ku do të marrin pjesë në punimet e kongresit të socialistëve evropianë. Të dy ish-aleatët që tashmë qëndrojnë në politikë përballë njëri-tjetrit, janë ftuar nga homologët e tyre evropianë të PSE-së, të jenë të pranishëm në aktivitetin e tyre më të rëndësishëm që i zhvillon punimet një herë në dy vjet. Megjithatë, ky eveniment i së majtës evropiane nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat konkret në marrëdhëniet mes dy ish-aleatëve, pasi siç bëjnë të ditur përfaqësuesit e PSSH-së vizita atje është programuar për të vënë në dijeni socialistët e BE-së me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe për qëndrimin refuzues që po mban qeveria e djathtë e kryesuar nga Berisha, ku Meta është pjesë, lidhur me kërkesën e opozitës për të hetuar zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.
Denoncimi
Dy ditët e qëndrimit në Pragë delegacioni i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur që t'i shfrytëzojë më së miri në funksion edhe të luftës së saj politike që po zhvillon me qeverinë shqiptare. Kështu, mësohet se ky delegacion do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të kësaj organizate politike ndërkombëtare, ku me rëndësi pritet të jetë ai me komisionerin e ri për zgjerimin e BE-së, socialdemokratin Stefan Foele dhe me kreun e socialistëve grekë, Jorgos Papandreu. Burime pranë delegacionit të socialistëve shqiptarë bëjnë të ditur se në të gjitha takimet që do të zhvillohen në këtë Kongres personalitetet e huaja do të njihen nga afër me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe me betejën që po zhvillon opozita shqiptare për transparencën e zgjedhjeve dhe kthimin e legjitimitetit të institucioneve të dala prej tyre. Nuk do të mungojnë gjatë këtyre takimeve edhe njohja me akuzat që kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të mazhorancës kanë bërë për familjarët e kreut të opozitës, Edi Rama. Për këtë qëllim, mësohet se PSSH ka përgatitur edhe një dosje me materiale, ku pasqyrohet më me hollësi ajo që po ndodh në politikën shqiptare. Pjesë e kësaj dosje është edhe fjalimi i përkthyer që kryeministri Sali Berisha mbajti në Kuvend, ku përfoli të gjithë familjarët e kryetarit të PSSH-së, Edi Rama.
*****
Akuzat e Berishës, Meta: Rama të heqë dorë i pari
TIRANË- Zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh kreu i LSI-së ka bërë apel sot nga Varrezat e Dëshmorëve për të lënë tej etiketimet personale dhe për t'u përqëndruar në procesin e integrimit të vendit. Por këtë, e ka kërkuar fillimisht nga lideri i opozitës, të cilin e ka akuzuar për sjellje destruktive.
"Sjellja destruktive e lidershipit të opozitës nuk i shkon për shtat opozitës së një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi në proces integrimi në BE. Mos shikoni vetëm pasojat, por edhe shkakun. I ftoj të gjithë të heqin dorë nga etiketimet e panevojshme dhe këtë ta bëjë i pari kryetari i PS-së, e më pas edhe kryeministri e gjithë të tjerët"- ka thënë Meta.
Duke mos u ndalur në fjalimin plot sharje të Berishës drejtuar Ramës nga foltorja e Kuvendit, por gjithsesi duke e kërkuar fajtorin pikërisht te lideri i opozitës, Meta theksoi se në këtë kohë duhen përqendruar energjitë në integrimin e vendit. "Mazhoranca është e hapur që në këtë proces të jetë e përfshirë gjithë opozita"- tha Meta.
Deklarata u bë sot gjatë homazheve që kreu i LSI dhe zv/kryeministri i vendit bëri në Varrezat e Dëshmorëve, në nderim të të rënëve dhe duke kujtuar ditën e Çlirimit, ndryshe nga demokratët që i festuan dje të dyja festat.