E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kërkesa e opozitës e papranueshme, del mbi ligjin

Kreu i ekzekutivit ka ritheksuar dje se pavarësisht kërkesave të opozitës kutitë e zgjedhjeve nuk do të hapen

TIRANË - Kryeministri i vendit, Sali Berisha, përsëriti sërish dje qëndrimin e tij refuzues ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit edhe pse kjo e fundit ka vendosur të përshkallëzojë protestat e saj. Gjatë një takimi me përfaqësues të Parlamentit Rinor Evropian dhe të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se kutitë nuk do të hapen, pasi, sipas tij, ka një vendim të gjykatave që është dhënë për zgjedhjet, dhe ai nuk mund të dalë mbi to. Sipas kreut të ekzekutivit, kërkesa e opozitës për rinumërim është e papranueshme, pasi kjo kërkesë mund të plotësohej vetëm në rast, kur njëri nga komisionerët e majtë do të kishte kontestime gjatë procesit të numërimit. Në këtë kontekst, sipas Berishës kutitë nuk mund të hapen dhe nuk mund të realizohet rinumërimi i votave. Sipas Kryeministrit, këtë e parashikon edhe ligji për Kodin Zgjedhor, që, sipas tij, e ka shkruar dhe miratuar vetë opozita. "Ai nuk i pranon rezultatet. Ai po më kërkon mua të hap kutitë dhe të rinumërojmë.

Çfarë do të thotë kjo? Ka një vendim gjykate. Ai shkoi në gjykatë dhe gjykata vendosi që nuk mund të ketë rinumërim pa pasur kontestime. E thotë ligji, i shkruar nga ai vetë. Për sa kohë nuk ka kontestime, asnjë kontestim nuk mund të ketë rinumërim. Ai akuzon komisionerët e tij për mungesë integriteti. Hera e parë që dëgjoj një akuzë kolektive për komisionerë. Ai akuzon jo komisionerët e mi, por të vetët", - tha dje Berisha. Ai shtoi se zgjedhjet e 28 Qershorit ishin zgjedhjet më të rregullta që ka realizuar ndonjëherë Shqipëria. Sipas Berishës, zgjedhjet arritën standardet kryesore të OSBE-ODHIR-it dhe ndërkombëtarët, sipas tij, arritën në përfundimin se nuk ka prova për manipulim të rezultateve ose numërim të parregullt.

Pavarësisht se raporti i OSBE-ODHIR-it theksonte qartë se në 1/3 e qendrave të numërimit, numërimi është kryer keq ose shumë keq, kreu i qeverisë ka theksuar se procesi zgjedhor ishte transparent. "Ishte procesi më transparent i bërë ndonjëherë. Po ashtu edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët në raportet e tyre arritën në përfundim se nuk ka prova për manipulim të rezultateve ose numërim të parregullt. Zgjedhjet përmbushën parimet dhe angazhimet kryesore të standardeve të OSBE-së", - nënvizoi Berisha. Situata që është krijuar në vend ka sjellë edhe paralizimin e funksionimit të institucioneve të vendit, veçanërisht atyre të pushtetit gjyqësor.

Bojkotimi i Parlamentit nga ana e opozitës ka çuar në dështimin e zgjedhjes së katër anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi ende nuk ka kaluar në Kuvend ligji për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore. Ky ligj që të kalojë në Kuvend kërkon edhe votat e opozitës, e cila bojkoton prej muajsh Parlamentin, duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Por, mazhoranca nga ana tjetër, nuk pranon të hapë kutitë e votimit, duke krijuar në këtë mënyrë një krizë politike dhe institucionale. Për zgjidhjen e kësaj situate, faktori ndërkombëtar i vendosur në Shqipëri, i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të gjejë gjuhën e kompromisit për të zgjidhur krizën politike që ka përfshirë vendin që prej muajit qershor.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›