Precedenti antidemokratik i Edi RamësNga Baton HaxhiuEdi Rama nuk mundi t’i shpëtojë mëkatit të humbjes. Në konferencën për shtyp, ai e devijoi tezën kryesore për humbjen e Partisë Socialiste duke krijuar precedentin më antidemokratik që nga koha e v
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Precedenti antidemokratik i Edi RamësNga Baton HaxhiuEdi Rama nuk mundi t’i shpëtojë mëkatit të humbjes. Në konferencën për shtyp, ai e devijoi tezën kryesore për humbjen e Partisë Socialiste duke krijuar precedentin më antidemokratik që nga koha e vitit 1997, kur Berisha bëri të njëjtën gjë, por në një situatë më të rëndë për Shqipërinë.
Edi Rama kësaj radhe iu shmang gjithçkaje, vetëm që të mund të jepte një tablo të shtrembër për atë që ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit.
Ai nuk mori përsipër humbjen. Ai nuk fajësoi veten dhe liderizmin e tij. Përkundrazi, ai doli dhe damkosi tjerët për humbjen e tij duke ikur nga e vërteta lakuriqe, e cila ishte e hidhur dhe e vrazhdë për të.
Zgjedhjet në Shqipëri nxorën tiparet e karakterit të Edi Ramës, duke e vendosur atë në grupin e liderëve që nuk i respektojnë standardet demokratike. Ajo që ndodhi të shtunën me liderin e Partisë Socialiste tregon për standardet e paarritura në Shqipërinë e vitit 2009.
Standardet demokratike të një shteti nuk maten me kualitetin e rrugëve, as me kartat biometrike ose me shërbimet shëndetësore. Ato konsiderohen si standard i jetesës së një shoqërie. Fytyra e vërtetë e një vendi demokratik është akti i dorëheqjes së një lideri në rast humbjeje, ose gabimi të rëndë në menaxhimin politik të situatës.
Shqipëria e vitit 2009 nuk mund ta pranojë një precedent të tillë të liderit të PS, sepse ky vend merr përsipër të damkoset nga bashkësia ndërkombëtare - jo për faktin se nuk ka pasaporta biometrike, por për atë se liderët e saj e kanë mentalitetin e ngjashëm me atë të kohës së mbretërisë së Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës.
Kjo situatë mund të krahasohet me praktikat e shpeshta në shtetet afrikane, ku gjeneralët vendosin të rrëzojnë diktatura dhe ta marrin pushtetin për të krijuar kushte që të mbahen zgjedhje të lira. Për ironi, ata harrojnë ta bëjnë gjënë më të rëndësishme për të cilën janë aty - mbajtjen e zgjedhjeve të lira.
Edi Rama guxoi ta damkosë Ilir Metën si “tradhtar të së majtës” duke harruar se ai ishte ideatori i planit që këto zgjedhje t’i fitojë vetëm, njëkohësisht duke eliminuar, jo vetëm Berishën, por edhe kundërshtarët brenda së majtës - liderin e LSI, Metën, dhe tashmë të harruarin Nano.
Rama kishte vendosur kritere të ashpra të eliminimit, duke mos treguar fije respekti për të kaluarën e tyre dhe për ndihmesën që Nano dhe Meta i kishin bërë atij në disa zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Nxjerrja e armikut të brendshëm brenda së majtës në vitin 2009, jo që nuk është standard evropian, por është një precedent i keq edhe për Partinë Socialiste, e cila nga një parti me standard kthehet në një çiflig politik.
Me këtë nuk respektohet as ai neni i famshëm në statutin e kësaj partie, së cilës i dha një tablo demokratike lideri historik i së majtës, Fatos Nano.
Në këtë mënyrë, Edi Rama po krijon precedentin antidemokratik duke justifikuar humbjen me atë që po ndodh jashtë partisë së tij, duke harruar se ai kishte një kontratë me Partinë Socialiste, që në rast humbjeje ta kthente pushtetin te partia.
Ai po i jep një goditje të majtës duke e keqpërdorur mungesën e mekanizmit të dikurshëm që kjo parti kishte - Këshillin e Përgjithshëm Kombëtar. Ky Këshill dikur mblidhej dhe kishte qëndrim dhe mundësi vendimmarrjeje, por tash nuk ka mandat për ta bërë këtë, andaj Edi Rama ka mundësi të sillet jashtë standardeve politike.
Ta rikujtojmë se Edi Rama kishte një marrëveshje me Partinë Socialiste vetëm për këto zgjedhje dhe me këtë që ndodhi ditën e djeshme ai e shndërroi “Shqipërinë e standardeve” dhe “Shqipërinë e frymës së re”, për të cilën ai fliste me muaj, në një “Shqipëri që nuk ka lidhje me standarde”. Madje, këto sjellje të liderit Rama kanë elemente të rënda antidemokratike.
E shtuna tregoi se Shqipëria nuk e ka përfunduar procesin e demokracisë. Nuk e ka mbyllur idenë e liderit gjeneral dhe idenë se humbja është pjesë e një loje politike.
Lideri i së majtës e humbi rastin të jetë fisnik i politikës. Humbi rastin që të mos e shpalosë ndryshkun e mentalitetit të vjetër, duke harruar se shansi i tij i vetëm për të mbetur në jetën politike edhe më tej është dorëheqja dhe pranimi i humbjes.
Edi Rama, brenda logjikës së tij, po na mbetet si një hero i keqkuptuar dhe martir i këtij procesi zgjedhor, të cilin e ka humbur padrejtësisht.
Ai humbi rastin të jetë lideri i këtij shekulli. Ka pas vetëm një fjali burrërore në variantin shqiptar, ose dinjitoze në variantin evropian: “E pranoj humbjen dhe le të vendosë Partia Socialiste tutje për postin e liderit të saj”. Kështu do të mbetej gjatë në politikë. Tash e tutje vështirë se i beson dikush karakterit të tij prej lideri të këtij shekulli.
Aq më pak frymës së tij evropiane, e cila premtonte një Shqipëri të re.