Rama: Ministrat e rinj nuk do të jenë deputetë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka konfirmuar edhe një herë se ministrat e rinj të qeverisë socialiste nuk do të jenë deputet. Sipas kreut socialist, anëtarët e kabinetit në momentin që do të zgjidhë në atë post do të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit. Sipas Ramës kjo ndarje do të bëjë të mundur krijimin e një ekuilibri të ri si dhe hapësirë më të madhe për kontroll parlamentar.
Deklarata
Ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit heqin dorë nga mandati i deputetit. Ato do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen me LSI, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit duke bërë që pushtetet të bëjnë funksionimin e tyre, dhe duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe hapësirë të madhe për kontrollon parlamentar, tha Rama. Ky informacion u bë publik për mediat ditë më parë kur në Shkodër, PS dhe LSI zyrtarizuan marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre.
Koalicioni
Në vijim të bashkëbisedimit me gazetarët, kreu i PS-së është ndalur edhe tek përfshirja e aleatëve në listat e PS-së. Sipas Ramës, vetë kreu i LSI-së e përjashtoi mundësinë e përfshirjes së LSI-së në listat e PS-së Sa i takon skuadrës sonë dhe listave, besoj se është përjashtuar edhe nga vetë kryetari i LSI, pjesëmarrja e LSI-së me prezencë të zgjeruar në listat tonë. Në fund të fundit një gjë e sigurt ne do i paraqesim shqiptarëve skuadër konkurruese dhe fituese dhe të aftë për të çuar para projektin për të Rilindur Shqipërinë, u shpreh Rama. Duke folur për koalicionin me LSI-së, Rama tha se ai do të jetë një koalicion afatgjatë dhe nuk është një bashkim aritmetik. Bashkimi i PS me LSI, nuk është bashkim mekanik dhe aritmetik dhe as bashkim për tu rikthyer në hullinë e së shkuarës me tensione që krijohen për shkak të kësaj ndarje. Por është bashkim strategjik që ka strategji afatshkurtër fitoren e thellë më 23 qershor dhe synim afatgjatë, përsosjen e mekanizmave të qeverisjes dhe krijimin e një sinergjie të re në spektrin e majtë, deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.
Rama: Do jem deputet në Parlamenti e ardhshëm
Gjatë bashkëbisedimit të djeshëm me gazetarët, Rama konfirmoi se legjislaturën e ardhshme do të jetë në Parlament. Në sistemin e sotëm pjesa me e madhe e atyre që janë në parlament janë deputetë automatikisht. Sepse gara zhvillohet me palëve, dhe numri i deputetëve që janë mes hapësirës politike, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do jem deputet si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare, konfirmoi Rama.
Rama: PS e hapur për
të gjithë anëtarët e AK
I pyetur nëse Partia Socialiste është e gatshme të mirpresë anëtarët e larguar nga Aleanca Kuq e Zi ditët e fundit, Rama tha se partia që ai drejton mbetet e hapur për këdo anëtar pavarësisht nga partia e cila ai vjen. Të gjithë janë të mirëpritur në Partinë Socialiste. Ne po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme anëtarë, themelues, drejtues të Partisë Demokratike ashtu sikundër edhe të forcave të tjera. Kemi bërë aleancë me një sërë forcash që deri dje kanë qenë në kampin tjetër, por që janë pozicionuar për rotacionin dhe për ndryshimin e domosdoshëm të qeverisë dhe të qeverisjes. Sigurisht, që mirëpresim edhe të gjithë ata patriotë, ata idealistë, ata njerëz të ndershëm dhe të zakonshëm të këtij vendi. Po ashtu jo vetëm figurat e njohura, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuq e zi drejt një rruge ku fatkeqësisht doli që destinacioni nuk ishte opozita, destinacioni nuk ishte beteja për rotacionin, por ishte beteja për oborrin e Saliut. Shqiponja doli sorrë dhe, fatkeqësisht, ndodhi kështu, deklaroi, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.