Rama: Mjedisi në shkatërrim, moratoriume në vendet e rrezikuara
Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik në kurriz të shkatërrimit të mjedisit. Kështu është shprehur kreu i selisë rozë Edi Rama, gjatë fjalës së tij në tryezën e mjedisit, vazhdimësi e tryezave për prezantimin e programit të PS-së për një Rilindje shqiptare. Sipas tij vendi ndodhet në një krizë totale shkatërrimi mjedisor, ndaj ai shtron nevojën e vendosjes së moratoriumeve në zonat ku vendi po degradon. Më tej kryesocialisti duke e përcaktuar cështjen e mjedisit si një betejë qytetërimi, zhvillimin e saj e përcakton në tre shtylla kryesore: zhvillim të qëndrueshëm, me politika ripërtëritëse; zhvillim të integruar dhe zhvillim të ndërgjegjshëm.
“Në raport me mjedisin sot Shqipëria i ngjan një familje që për një natë konsumon rezervat e një viti. Sot shkatërrimi dhe keqshfrytëzimi me të gjitha pasojat që sjell në bashkëjetesën e njerëzve është spektakolare. Masat parandaluese për cënimin e tij duhet të dominojnë në politikat e zhvillimit ekonomik. Nuk ka një politikë zhvillimore ekonomike në plan afatgjatë, nëse shkakton shkatërrim të mjedisit. Ne synojmë ta integrojmë në të gjitha sektorët e ekonomisë, nuk mund të presim që lumenjtë të përmbysin vendin, apo që ujërat e zeza të bëjnë kërdinë në vend. Nuk mund të presim që erozioni të gërryejë hapësira të tëra. Rasti më i freskët është Kruja, e cila duhet të kthehej në një vend pelegrinazhi për vetë vlerat historike që ka. Nuk mund të lejojmë një sjellje barbare me mjedisin dhe gjithshka që ai mëshiron. Nuk mund të presim që qytetet tona të asfikësohen nga tymërat e dendura dhe mbeturina të pafundme. Nuk mund të presim që flora dhe fauna të mbeten vetëm kujtime në albume, por të marrim masat për ndalimin e masakrës ndaj tyre dhe ripërtëritjes së tyre. Ne do ta kthejmë shoqërinë civile në një partnere për të rikthyer Shqipërinë e gjelbërt. Në programin tonë për mjedisin si një betejë qytetërimi kemi përcaktuar tre shtylla kryesore: zhvillim i qëndrueshëm; zhvillim i integruar dhe zhvillim i ndërgjegjshëm. Vetëm kështu mund ta kthejmë mjedisin në ekonomi mjedisore” -tha ai.
Më tej Rama ka hedhur idenë e krijimit të një Inspektoriati Kombëtar për plehrat, që të ushtrojë aktivitetin e tij përgjatë gjithë vitit, ndërsa ka shprehur dhe një herë qëndrimin kundër importimit të plehrave.
“Duhet krijuar një Inspektoriat Kombëtar për plehrat. Nuk mund të importojmë plehra kur Shqipëria është e mbytur në to. Duhet gjetur forma dhe stimujt e duhur për riciklimin e mbetjeve, duke synuar se cfarë prodhon vendi ynë të mos kthehet në pasojë për qytetarët dhe mjedisin e vendit tonë. Është një proces që më shumë se për financa ka nevojë për një vullnet të madh, sa i përket mënyrës së implementimit. Apo dhe cështja e gjuetisë, është terësisht barbare dhe e pakontrolluar, bazuar në licensa terësisht abusive dhënë gjuetarëve të huaj. Dhe janë vetë gjuetarët dhe shoqatat e gjueatrëve shqiptarë që kërkojnë masa shtrënguese”përfundoi ai.