E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet në Ushtri,Gjunkshi:Nuk u shmang Topi

MINISTRI I MBROJTJES, ARBEN IMAMI (MAJTAS) URDHRI PER EMERIMIN E KOMANDANTIT TE FLOTES DETARE

UASHINGTON- Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Xhemal Gjunkshi duke iu referuar një denoncimi të Partisë Socialiste, për emërimin e komandantit të Forcave Detare nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami pa dekret nga Presidenti tha se; Emërimin deri në gradën kolonel e bën ministri. Këtu nuk kemi të bëjmë me gradën gjeneral”, duke nenkuptuar se ministri Imami nuk ka shmangur presidentin Topi dhe nuk ka shkelur Kushtetuten.

Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Xhemal Gjunkshi e bëri komentin e tij në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndërsa ndodhet në Uashington për një vizitë zyrtare atje.

Në numrin e saj të sotëm, gazeta Panorama shkruan Partia Socialiste akuzoi dje ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për emërimet në Forcat e Armatosura. Në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, deputeti Pirro Lutaj paraqiti një shkresë, urdhër të ministrit Imami, të datës 23.1.2012, sipas së cilës Kapiteni i Rangut të Parë, Ferdinand Kreshpani, deri tani me detyrë komandant i Flotijës Detare Jugore, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet me detyrë komandant i Forcës Detare.

Lutaj e cilësoi këtë urdhër si antikushtetues dhe të paligjshëm, duke e argumentuar këtë me kompetencat që Kushtetuta i jep Presidentit të republikës. Ai akuzoi ministrin se ka marrë kompetencat e Presidentit, ndërsa i kërkoi Kryeministrit të ndalojë këtë puç institucional, siç e cilësoi deputeti socialist. I kërkoj të reagojë Presidentit të Republikës, sepse ky quhet një krim kushtetues, kam kërkuar që të reagojë Kryeministri i vendit, sepse ky është një puç institucional, kam kërkuar të reagojë ministri i Mbrojtjes, që të bllokojë menjëherë urdhrin e lëshuar për emërimin e komandantit të Forcave Detare dhe të bëjë praktikën për tia çuar këtë Presidentit të Republikës, u shpreh Lutaj.

Në të tjera, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Xhemal Gjunkshi, duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u shpreh se vendi sot ka një ushtri me profesioniste, si dhe një mbështetje më të madhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Për të plotësuar standardet e NATO-s Gjunkshi tha se është dashur të bëhen reforma në drejtim të personelit, të standartizimit, planifikimit, edukimit dhe stërvitjes së Forcave të Armatosura.

Në kuadër të misioneve paqeruajtëse, aktualisht janë 350 ushtarëkë shqiptarë që shërbejnë në NATO.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›