E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mllefi i Nanos është primitiv, i shërbeu Berishës

Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje, se Fatos Nano i bëri shërbim qeverisë në gjithë këto vite, ndaj edhe pretendoi se do të kishte mbështetjen për President. Gjatë intervistës në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, në ‘NEWS 24’, Rama i quajti “shfrime të një mllefi primitiv”, deklaratat e djeshme të ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Rama sqaroi se edhe në negociatat e fundit me Berishën, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi që Berisha të shprehej për kandidaturën e Nanos, ndërsa ai refuzoi.
Si e vlerësuat zgjedhjen e Presidentit të ri, Bujar Nishani?
Presidenti i ri u zgjodh në rrugë kushtetuese; nuk ndodhi atentat apo grusht shtetit, por çka ndodhi është se u godit egër hapi europian i Shqipërisë.
Si e gjykoni dorëheqjen e dy kandidatëve të parë?
Ajo që do të vlerësoja te dorëheqja e zotit Zaganjori ishte fakti që edhe vetë zoti Zaganjori kishte kuptuar se konsensusi ishte më i rëndësishëm se emri.
A jeni penduar që nuk e dhatë konsensusin për të?
Sikur historia të përsëritej, nuk do t’i ndryshonim asnjë presje qëndrimit tonë.
Pse paragjykoni kur thoni se s’do marrim statusin?
Unë nuk paragjykoj asgjë, dhe nuk jam i lumtur, por jam i shqetësuar se kështu do të ndodhë përderisa nuk u dëgjua zëri i kthjellët i familjes evropiane dhe i SHBA.
A i keni bërë presion zotit Zaganjori që ai të tërhiqej?
Çfarë doni të thoni ju me këtë!?
Si e gjykoni dorëheqjen e zotit Artan Hoxha?
Nuk dua të komentoj për këtë, sepse jam i keqardhur për arsyen e dorëheqjes së tij dhe nuk është në etikën dhe edukatën time që të rrotulloj pikën në një plagë të së kaluarës së dikujt, që ka të drejtën të jetojë jetën si qytetar i lirë dhe ta bartë atë plagë me veten e tij.
A ishte i shantazhuar...?
Unë mendoj që lufta e egër e klaneve brenda PD-së ka vënë gishtin në një plagë të së shkuarës së tij, jo sepse shqetësohet shumë për ato lloj plagësh në ndërgjegjen e përfaqësuesve të popullit, por sepse në atë rast e shfrytëzoi atë plagë për të pastruar rrugën drejt një procesi të brendshëm të implozionit në PD.
Është e disata herë që keni negociuar me zotin Berisha. Ku dallonin këto negociata nga negociatat e mëparshme? Disa detaje nga takimi; janë gjithsej 5 orë negociata?
Palët kanë qëndruar në pozicionet e njohura publike. Ne kemi bërë shumë përpjekje për të shpjeguar rëndësinë madhore të konsensusit. Pala tjetër ka qëndruar refraktare.
A ka pasur emra të cilët ju, në kanale informale ia keni përcjellë zotit Berisha?
Jo, s’ka pasur. Ka pasur një propozim, bërë nga një qytetar shumë i shquar shqiptar, Ismail Kadare, bërë kryeministrit, kreut të LSI dhe gjetkë, për një kandidaturë, që padyshim mund të merrte mbështetjen tonë, madje i njohur për një simpati dhe një qasje të djathtë.
Jeni penduar për ndryshimet kushtetuese?
Unë e kam thënë që në vetvete ato ndryshime janë krejt normale, por ishin të parakohshme për Shqipërinë. Në një vend tjetër s’ka asnjë gjë të keqe që shumica ta zgjedhë presidentin nga radhët e saj.
Çfarë roli ka pasur z.Meta në negociata?
Ka pasur një rol pozitiv në fillim të procesit dhe një rol negativ, sepse braktisi pozicion e tij fillestar dhe u bë pjesë e asaj që në fillim kishte thënë se nuk do ta bënte kurrë. Zgjodhi bashkë me kryeministrin një noter partiak.
Përse u dizenjua tryeza e dytë me 4 parti?
Ishte një tryezë e thirrur nga pala tjetër dhe pala tjetër preferoi të vinte bashkë me atë përbërje që erdhi.
Në atë tryezë zoti Idrizi propozoi zotin Nano. Si është e vërteta?
E vërteta është shumë e thjeshtë. Propozimi ishte i formës për të larë gojën, sepse ishte një propozim i bërë në kontekstin e një momenti të bisedës kur po flitej për pamundësinë e zgjedhjes së një kandidature jashtë politikës, dhe zoti Idrizi tha se ishte në mbështetje të kandidaturës së zotit Artan Hoxha edhe pse do t’i pëlqente të ishte zoti Nano. Kandidatura politike ishte përjashtuar nga tryeza, para se të ngrihej tryeza e parë, dhe konsensusi ishte i mundshëm, por vetëm jashtë kandidaturave politike. Pati refuzim të qartë publik të kryeministrit për një kandidaturë politike dhe konkretisht të Fatos Nanos.
Pse s’i dhatë 20 firma zotit Nano?
Ne i qëndruam deri në fund interesit kombëtar. I qëndruam deri në fund vizionit dhe argumenteve tona. Shqipërisë i duhet konsensus dhe PS-së nuk i duhej një president, një noter partiak i saj dhe PS ishte e vendosur për këtë.
Pse, noter i PS-së është zoti Nano?
As nuk bëhet fjalë kjo, por po shpjegoj procesin. PS-ja e kishte të përjashtuar mundësinë e garës absurde për të zgjedhur një president me 71 vota.
Ju, pse u shprehët kundër Fatos Nanos?
Unë absolutisht nuk jam shprehur as pro, as kundër.
Z.Ruçi ka ndërhyrë duke i kërkuar kryeministrit të shprehet për Fatos Nanon?
Absolutisht kështu!
Po zoti Meta, si ka reaguar?
Nuk jam këtu për të shfaqur filmin e shfaqur në një tryezë.
Ju keni kërkuar përmes një sms-je emra nga deputetët...?
Unë nuk u kam çuar asnjë sms deputetëve të opozitës. Deputetëve u kam kërkuar disa kohë më parë, në mbledhjen e grupit, që në rast se kanë ide për emra të caktuar t’i sjellin, dhe pastaj kam mbledhur kryetarët e komisioneve të PS-së, të cilëve ua kam përsëritur këtë kërkesë për ta ndarë edhe me deputetë dhe ka të ngjarë që ndonjëri syresh ta ketë kërkuar këtë gjë me sms.
Nuk ka asgjë të keqe që një komunikim i tillë të bëhet me e-mail, me sms.
A pati propozime pas nisjes së sms nga deputetët?
Procesi ka qenë krejtësisht normal dhe i hapur. Po është e vërtetë që unë kam marrë një sërë propozimesh nga deputetët.
A keni ndonjë koment për deklaratat e zoti Fatos Nano sot, (dje)?
Unë me Fatos Nanon kam qenë i qartë, i drejtpërdrejtë dhe koherent. Fatos Nano nuk mund të ishte në asnjë rast kandidat i njëanshëm i PS-së. Nëse Fatos Nano mund të ishte një nga emrat ku mund të mbërrihej konsensualisht, kjo nuk lidhej me faktin se ai ishte një socialist që vinte nga PS, sepse ka kohë që ka ikur nga PS. Kjo lidhej me faktin se ka një histori të dyfishtë, nga njëra anë shërbimi në krye të PS-së dhe nga ana tjetër shërbimit të qeverisë së Sali Berishës kundër PS-së, prej vitesh mund të ishte një emër ku pala tjetër të mund të jepte konsensus. Dhe kjo ka qenë e gjithë rruga qoftë e komunikimit me të, qoftë e komunikimit me publikun. Fatos Nano nuk është sot pjesë e PS-së. Ai ka ikur nga PS, e kam thënë këtë edhe para se të zhvillohej gara për presidentin, që italianët e quajnë “kohë e padyshimtë”, dhe në rast se ne nuk kishim paragjykime të shprehura paraprakisht për emrin e tij kjo lidhej me faktin se ai ka bërë një shërbim të gjatë në gjithë këto vite dhe në funksion të qeverisë dhe të kryeministrit dhe si i tillë ai pretendonte që të ishte një kandidat mbi palët dhe mes palëve. Faktikisht, me djegien e kandidatëve politikë të Jozefina Topallit dhe drejtuesve të lartë të PD-së, u dogj nga fusha e politikës dhe s’kishte më asnjë shans për askënd që vinte në tryezë si një emër me beckgraund politik. Sa i përket garës, PS e kishte të qartë synimin e saj dhe në të gjitha rastet PS nuk mund të kandidonte Fatos Nanon.
Ai ju ka akuzuar se e keni çuar PS-në në humbje...?
Unë nuk dua të humbas kohë me komentet e këtyre gjërave, që as nuk di se si t’i quaj, se janë vërtet të neveritshme këto shfrime të një mllefi primitiv që s’ka lidhje fare as me PS-në, as me mua, as me historinë e këtyre 7 viteve dhe as me dhimbjen e PS-së, por ka lidhje me një paaftësi për të menaxhuar emocione shumë negative, për të cilat mua më vjen shumë keq.
Ndarja, ju ka shkaktuar humbje...?
Ju vazhdoni të flisni për humbje, ndërkohë që për sa më takon, unë them se në 2005-ën ishte një histori tjetër; PS ka fituar zgjedhjet në 2007, në vitin 2009 dhe është vjedhur fitorja e saj. Ndaj, të flasësh për humbje dhe të vazhdosh të godasësh PS, si një forcë që ka humbur, ndërkohë që ata qeverisin vendin me votat e vjedhura si fitimtarë, është një dekadencë mirëfilli qytetare.
Zoti Nano thotë “ky palo kryetar”...? A ishte takimi juaj me zotin Meta një veprim tejet emocional?
Duke dëgjuar ato që kam lexuar nuk besoj se gjendet një telespektator i arsyeshëm, që atë tekst ta konsiderojë tekst të shkruar nga një njeri që deri dje, pretendonte të ishte kreu i shtetit shqiptar, atë tekst, atë gjuhë, atë qasje. Ky tekst s’ka asnjë peshë dhe për të cilën s’kam kohë për të humbur. Sa i përket takimit tim, kam folur. Ka qenë një takim, të cilin e kam pranuar, pasi unë kam bërë ftesë publike për t’u takuar me kreun e LSI-së, në funksion të bindjes sime që ky ishte një proces ku luhej fati evropian i Shqipërisë dhe për t’i dhënë një drejtim në rrugën e duhur në funksion të provimit të vjeshtës. Unë e kam pranuar menjëherë ftesën e kryetarit të LSI-së për t’u takuar me të në shtëpinë e tij dhe kam menduar se duke u takuar në shtëpi ishte edhe mundësi për të krijuar një minimum besimi, pas një periudhe të gjatë moskomunikimi dhe besimi reciprok. Asnjëherë në gjithë jetën time nuk kam pasur arsye të ndiej vështirësi për veprimet e bëra. I kam bërë veprimet e mia me zemër, duke u nisur nga arsye të qarta dhe kurrë ndonjëherë për të ngritur kurthe e bërë pabesia, sidomos si përfaqësues i të gjithë atyre që më kanë besuar, të cilët asnjëherë nuk i kam tradhtuar dhe nuk do t’i tradhtoj. Sigurisht, në 7 vjet në krye të PS kam bërë edhe gabime, por kanë qenë gabime zemre dhe jo të qëllimta.
Çfarë gabimesh?
Të gjithë janë të gabueshëm. Padyshim, në 7 vjet kam bërë edhe unë gabimet e mia. Unë nuk kam takuar atje një aleat, as nuk kam vajtur atje për të bërë një aleat për të rrëzuar qeverinë. E kam thënë, që kreun e LSI-së e kam takuar si kundërshtar.
Në 2013-ën, do ta keni në koalicion zotin Meta?
LSI është pjesë e koalicionit qeverisës. Për mua, ne do të jemi përballë në zgjedhjet e 2013-ës. Do t’i fitojmë zgjedhjet në 2013-ën me koalicionin tonë opozitar.
Në përvjetorin e PS-së, Gjinushi e Milo nuk ishin në festë.
Ne kemi një dialektikë të brendshme në koalicion. Koalicioni është i bashkuar dhe ne do të shkojmë të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme. LSI-në e shikoj në tryezën e qeverisë sa herë, dhe e shikoj pjesë të qeverisë sot. Në rast se LSI do ta braktisë dhe do të vendoset në opozitë, atëherë do të jetë një forcë opozitare dhe do të shikojmë nëse do të ketë bashkëpunim. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›