Shefja e FMN, Lagarde: Kosova, me pozitë të mirë në Ballkan – mbështesim reformat
Jahjaga takohet me shefen e FMN-së, Lagarde
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, në selinë e këtij institucioni në Uashington. Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e FMN-së për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme dhe programet e këtij institucioni financiar, së bashku me ato të partnerëve të tjerë, kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin si dhe qëndrueshmërinë financiare.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal.
Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde duke e mirëpritur vizitën e presidentes Jahjaga në selinë e institucionit që drejton, tha se FMN-ja dhe Kosova po shënojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme. Ajo tha se Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale. Ajo theksoi se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për Kosovën në projekte të ndryshme dhe u interesua edhe projektet në fushën e energjetikës.