E Shtunë, 31 Tetor 2026

Latif Daja: Ju tregoj çfarë ndodhi me lopët e Baldushkut

Pak kohë më parë, dha një intervistë të zgjeruar për publikun e gjerë, vetë ish-shefi i Hetuesisë së Tiranës të periudhës komuniste dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të viteve të ndërrimit të sistemit, Dilaver Bengasi.
Ndër episodet e dëshmuara nga detyra e tij e gjatë dhe tepër e mprehtë në krye të Hetuesisë së Tiranës, zoti Bengasi rrëfeu edhe ngjarjen e bujshme të vitit 1975, e njohur si "Ngjarja e Baldushkut". Ishte insistimi im si gazetar për të hedhur dritë mbi atë ngjarje, të cilën e mbaja mend si ndër mjegull, ai që bëri që vetë ish-hetuesi i saj të mund të fliste mbi atë çka ndodhi në atë vit të tmerrshëm, ku pas mbylljes së historisë tragjike, ndër të tjera rezultoi dhe me vdekjen e dy djelmoshave të atij fshati, Rifatit dhe Nuriut, të cilët u ekzekutuan pas vendimit të formës së prerë të gjykatës. E ndërsa historia e përshkruar nga Bengasi, ka si bazë versionin zyrtar, nisur nga dëshmitë e të ndaluarve dhe të arrestuarve në zyrat e hetuesisë, mbi të cilat u përpilua dosja në fjalë që konkludoi se në atë fshat kishte funksionuar një grup i mirëorganizuar me detyrë të qartë që të dëmtonin ekonominë e fshatit, patëm një reagim të fortë nga familja që ishte në epiqendër të ngjarjes, që ishte pikërisht familja "Daja", së cilës iu ekzekutua dhe njëri prej djemve të saj. Pikërisht rrëfimin e Bengasit, familja "Daja" e konsideroi si "ngacmim" apo "provokim" ndaj tyre për atë ç'ka ndodhur në të vërtetë. Për më tepër, ata dhe veçanërisht i akuzuari kryesor, madje i cilësuar i tillë edhe në vendimin e gjykatës së asaj kohe, Latif Daja, flasin për një të vërtetë të tjetërsuar nga Bengasi dhe se ata deklarojnë se ai proces ka qenë i montuar dhe se ngjarja ka qenë krejt ndryshe nga sa është paraqitur në versionin zyrtar të kohës, mbi të cilin foli dhe Bengasi. Pikërisht për këto pretendime dhe duke pasur parasysh dhe etikën gazetareske, sidomos detyrën për të qenë e paanshme, vendosëm që me mikrofonin tonë t'i drejtohemi vetë të shumëpërfolurit dhe të shumënjohurit të vetë asaj ngjarjeje, Latif Dajës.

Zoti Latif. Kuptova dhe mësova se qenkeni irrituar, madje edhe fyer shumë, nga interpretimi që iu bë në shtyp ngjarjes së shumënjohur të fshatit tuaj, e quajtur "Ngjarja e Baldushkut", pas të cilës qëndron ngordhja e 98 lopëve, por kryesorja është dhimbja që la pas ajo ngjarje, pas ekzekutimit të dy personave, njëri prej të cilëve është vetë vëllai juaj Refit Daja. Në atë ngjarje, nga sa kemi shkruajtur pas deklarimeve të hetuesit të saj Dilaver Bengasi, ju në atë kohë jeni akuzuar zyrtarisht se keni qenë promotori dhe organizatori i një grupi të mirëorganizuar, i cili merrte vendime për sabotime në ekonominë e fshatit.
Rezultat i vendimeve të atij grupi, ishte dhe helmimi i lopëve të racës holandeze. Të paktën Bengasi, siç edhe jua shpreha para se t'ju merrja këtë prononcim-replikë me të, ka dëshmuar ato që ka vërtetuar ekspertiza, dëshmitë e të arrestuarve dhe vetë dosja gjyqësore, e cila ndodhet e paprekur në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Juve tashmë e keni inatin dhe irritimin jo vetëm me Dilaver Bengasin për të cilin deklaroni se ju ka akuzuar padrejtësisht dhe se tashmë dëshmon sërish për atë çka ndodhur duke ju ngacmuar në plagën e marrë dikur, por edhe me mua si gazetar që kam dhënë këtë hapësirë për një rrëfim të tillë të tijin. Madje, keni paraqitur dhe hipoteza, se materiali i servirur në publik ka qenë i posaçëm për t'ju diskredituar sërish juve si familje dhe si fis, ndërkohë që unë ju deklaroj të kundërtën, pasi Gazeta është e detyruar t'i japë hapësirë interviste një personi si zoti Bengasi, për vetë statusin e lartë që ka pasur në detyrat e shtetit dhe se unë si gazetar e kam synuar atë ngjarje për vetë pasojat tragjike që pati, gjë që opinioni i gjerë duhet të dijë çfarë ka ndodhur në kurrizin e tij. Pikërisht prandaj ju drejtohem dhe juve. Pyetja që dua t'ju bëj si fillim është:
Ju, nuk jeni dakord me dëshminë dhe mënyrën si e pasqyron zoti Bengasi atë ngjarje?
Duke qenë se koha po më përball përsëri, tani pas 35 vjetësh dhe në një moshë 80-vjeçare, me tutorin, vrasësin e pashpirt, "prokurorin" e montimit të dosjeve të vdekjeve, ushtarin besnik të Partisë, njeriun që ka lyer duart me gjak të pafajshëm dhe sot del në intervista duke lozur rolin e heroit komunist pa iu dredhur qerpiku, duke u favorizuar nga elementë të caktuar apo shtypi i shkruar, apo ai elektronik. Unë, i përfoluri "Kryetari", "Sabotatori" etj., me emrin Latif Daja, me drejtësinë, inteligjencën, moralin dhe dinjitetin që më karakterizon, deklaroj ballëhapur dhe me dokumente origjinale, se fjalët e dala nga goja e të pashpirtit Bengasi, janë vetëm farsa të sajuara nga imagjinata e një "vrasësi" serial të kohës së komunizmit, dhe akuza që ai ngriti për ngjarjen e Baldushkut me urdhër të Manush Myftiut qe një montim i gjallë për skenarë vdekjesh në frymën e direktivave të Partisë së Punës.
Po ju, ndërsa flisni kaq ashpër për Bengasin, mendoj se harroni se ai kishte një detyrë të ngarkuar nga lart dhe se për zbatimin e saj përgjigjej po penalisht. Mund të flisni nëse keni për të ndonjë detaj apo akuzë konkrete?
"Heroizmin" që tregon ai në intervistë, se është lodhur shumë me punën e tij se ka vuajtur shumë që montonte dosje vdekjesh, të qëllonte natën nëpër qeli njerëz të lidhur me pranga duke bërë torturat më çnjerëzore, duke ia kaluar ndoshta dhe gestapos gjermane në kampet e përqendrimit, bën të kuptosh, të shohësh qartë, të lexosh pa syze, se kush është fytyra e vërtetë e Dilaver Bengasit.
Doja të dija më saktë zoti Daja, synimin tuaj në këtë replikë ndaj zotit Bengasi. Pra, që të jem shumë i qartë, juve veç përgënjeshtrimit bëni edhe sqarim publik mbi të vërtetën e padiskutueshme. Nuk e di nëse u shpreha qartë?
Duke qenë tepër i indinjuar nga këto maskarada të shekullit të kaluar të viteve '70-të, të ngritura kundër të gjithë familjes e fisit "Daja" dhe personalitetit tim që dhe sot në vitin 2012, përçmohemi, diskriminohemi emocionalisht dhe moralisht me qëllime të caktuara, i bëj të ditur gjithë opinionit publik shqiptar, popullit të zonës së Baldushkut që e dinë mirë se si qëndron e vërteta, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë zotit Sali Berisha, Presidentit Bamir Topi, Kryetares së Parlamentit zonjës Jozefina Topalli, institucioneve të larta të drejtësisë dhe gjithë trupit diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë, në veçanti ambasadorit amerikan Arvizu i cili qëndron thellë në zemrat tona, si dhe të gjithë spektrit politik shqiptar, se familja jonë në Baldushk me mbiemrin "Daja" është krejtësisht e pafajshme, e pastër si kristali dhe se procesi ndaj nesh që trumbetohet aq publikisht është i montuar dhe i pabazë në fakte dhe dokumente. Deklaroj se ky proces i montuar ishte "jorgani" për të shpëtuar veten nga 'dimri komunist' siç ndodhi me shokët e tyre. Ndaj shpreh bindjen e plotë se do të më kuptoni drejt, ashtu siç është e drejta; do ta analizoni hallin tonë të madh në përballjen me persekutorët, të cilët po njollosin edhe fëmijët tanë që punojnë, jetojnë me ndershmëri dhe studiojnë në auditoret e universiteteve europiane dhe në SHBA.
Ju kuptova për sa pretendoni dhe e kuptoj indinjimin tuaj, për faktin se me sa mësoj, ju e kundërshtoni absolutisht si është treguar. Unë ju pyes atëherë, nëse lopët kanë ngordhur apo jo? Pra, ajo që dua të di, shkaku është real?
Po. Lopët ngordhën, por duhet të dish se mishi i tyre u konsumua i gjithi.
Si është kjo puna e konsumit?
Sepse lopët po të kishin helm, siç thotë zoti Bengasi, mishi nuk do të ishte i përdorshëm për popullatën. Por ato thereshin në moment dhe si kontrolloheshin nga mjeku veteriner dërgoheshin në dyqan dhe i gjithë mishi u konsumua nga populli. Pra, ja që nuk paska pasur zhivë, siç na u tha në dëshminë e Bengasit.
Këtë fakt e deklaroi dhe Bengasi. Sepse edhe sipas tij, lopët thereshin para se të ngordhnin dhe konsumoheshin. Unë dua të di zoti Daja, se ti ishe i akuzuari kryesor, nëse lopët kanë ngordhur në të vërtetë? Pra, janë helmuar në të vërtetë? Pasi është e pamundur të ngordhin rastësisht plot 98 lopë. Këtë e insistoj, për arsyen se dua të dëshmosh të gjithë ngjarjen si ka ndodhur dhe çfarë ka ndodhur me ju si familje, që u goditët rëndë nga ajo ngjarje, aq sa ju vranë dhe njeriun më të dhembshur. Pra, edhe një herë ta fillojmë atë histori tragjike te lopët, sepse pas asaj ngjarjeje erdhi gjithë suferina dhe tragjedia mbi ju dhe fshatin tuaj. Pra zoti Daja, mendoj se ishte helmim, pavarësisht se ju thoni se u përdor mishi, por është dhe fakti tjetër se s'ka si të ngordhin afërisht 100 lopë njëherësh po s'pati një dorë të jashtme, apo jo?
Që ishte helmim kjo nuk diskutohej. Por ju duhet të dalloni se ishte helmim pa dashur, apo ishte një lloj helmimi, që siç thotë Dilaver Bengasi u shkaktua nga një grup i mirorganizuar nga unë dhe se lopët i kemi helmuar ne. Kjo është krejtësisht gënjeshtër. E vërteta është krejt ndryshe dhe se ne si familje, duke përfshirë dhe mua, nuk kishim gisht fare. Më kanë rënë në qafë. Madje, kur jam arrestuar kam qenë duke punuar në fushën e kooperativës, pa ditur se çfarë thurej ndaj meje. Kisha parë provokatorë dhe maskarenj që më endeshin me lloj-lloj fjalësh dhe hipotezash, por se do të shkonte puna ku unë, që s'dija se çfarë bëhej me stallën e lopëve, të mund të quhesha direkt atentator i tyre, kjo ishte shumë e trashë.
Po zoti Bengasi deklaron se në hetuesi kanë dëshmuar të gjithë të arrestuarit dhe se dosja hetimore dhe gjyqësore e ka vërtetuar këtë faj tuajin?
Është krejt improvizim dhe montim i shëmtuar. Unë nuk kam firmosur asnjë gjë dhe s'kam pranuar asnjë gjë dhe asnjëherë, me gjithë torturat që më bëheshin. Ndërsa historia se si janë helmuar ato lopë dhe çfarë bënë me ne si familje dhe fshatin tonë, po jua tregoj më poshtë.
(Vijon nesër)

Refat Daja, ndihmësmjeku i Baldushkut që u ekzekutua për lopët
Refat Sadik Daja ka lindur në fshatin Baldushk të Tiranës më 3 gusht të vitit 1949. Pas përfundimit të studimeve në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës, me vendim të Komisionit Shtetëror të Kualifikimit, në 30 qershor të vitit 1967, ai emërohet ndihmësmjek i përgjithshëm dhe caktohet të punojë në fshatin e lindjes. Prej atij shtatori të viti 1967 kur Rifat Daja filloi punë mes bashkëfshatarëve të tij baldushkas dhe deri sa vdiq, plot dhjetë vjet më vonë, në vitin 1977, ai mbahet mend si njeriu i papërtuar dhe fjalëmbël. Janë shumë familje që kujtojnë me dhembshuri netët kur thërritej në shtëpi ndihmësmjeku i papërtuar për foshnjat apo të moshuarit që kërkonin ndihmën urgjente të tij. Ata nuk mund të kujtojnë asnjë rast hezitimi apo përtese të tij. E shikoje natën dhe ditën në shtëpitë e të gjithëve, aq sa thuhet se ishte bërë djali i çdo shtëpie. Të çudisnin me deklaratat e tyre shumë fshatarë të Baldushkut, kur kujtojnë se jetën e fëmijës e kanë dhuratë nga ish-ndihmësmjeku Rifat Daja, pasi apandesiti, stomaku apo temperatura mund t'ia kishte marrë jetën në rast se nuk do të vinte me ndihmën e menjëhershme ndihmësmjeku gojëmbël dhe syqeshur.
E ndërsa kujtojnë para meje mjaft episode nostalgjie për ndihmësmjekun e tyre, ata kalojnë në episodin tragjik dhe rrëqethës atë fundviti të 1975-ës, kur atij iu hodhën prangat në mënyrën më demonstrative dhe u dërgua në qelitë e Burgut 313. E kanë parasysh fytyrën dhe siluetën e tij të larguar atë ditë, pa e ditur se po e shikonin për herë të fundit. Atë periudhë në fshatin e tij po ndodhte batërdia. Ishin plot 98 lopë të racës holandeze, që shteti porsa i kishte blerë nga jashtë, që po ngordhnin një e nga një, prej helmimit që mund t'iu ishte shkaktuar për më shumë se disa arsye, por që familjarët e Refatit, deklarojnë se helmimi ka qenë fare i rastësishëm dhe aspak i qëllimshëm dhe nga rrethana që s'kishin të bënin fare me familjen e tyre. Gjithsesi, historia e arrestimeve në fshatin e tyre do të vijonte deri në arrestimin e të vëllait të Refatit, i cili do të akuzohej si organizator kryesor i grupit sabotator. Gjykata penale do të vendoste për të akuzuarin Rifat Daja, ashtu si edhe për bashkëfshatarin e tij Nuri Allmuça, dënimin me vdekje. Ata do të ekzekutoheshin në një mesnatë te zezë në tunelet e Linzës në Dajt para projektorit të makinës së burgut. Hetuesi i asaj çështjeje, Dilaver Bengasi, në dëshminë e tij publike dhe konfidenciale para gazetarit, deklaron se në detyrën e hetimit të ngjarjes së helmimit të lopëve, është caktuar me urdhër të prerë dhe tepër personal të Kadri Hazbiut. Në atë urdhër të ministrit të tij, shprehej rreptë detyra që së bashku me hetuesit të zbulonin të vërtetën e madhe. "Ishte djalë i mirë dhe shumë i komunikueshëm", - thotë Bengasi. "Dukej që ishte intelektual. Me të s'e kishim problem bisedimin e lirë. Pas përfundimit të dosjes, nuk më shkonte aspak në mend se vendimi për të do të ishte ekstrem. Kur mësova vendimin ekstrem për ekzekutimin e Refat Dajës jam shokuar. Në asnjë mënyrë ai djalë nuk duhej ekzekutuar. Duhej të mjaftoheshin me burgosje por kurrsesi me dënime kapitale, sidomos për njerëz të atij niveli dhe për faje të asaj natyre". Dy vjet pas ekzekutimit të të birit, e ëma e tij nuk mundi të jetonte më gjatë, por mbylli sytë me një amanet të shprehur fuqishëm. "Mos më lini në varr pa më sjellë eshtrat e djalit pranë". Por eshtrat e Rifat Dajës, familjarët akoma dhe sot nuk kanë mundur t'i gjejnë. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›