Lorenc Bejko: Reforma e re centralizuese, i shton problemet
Debatit për platformën e paraqitur nga zoti Neritan Ceka për një reformë të re të sistemit të trashëgimisë kulturore i bashkohet edhe Lorenc Bejko, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 2007-2008. Sipas tij, kjo reformë po shkon në kah të kundërt të zgjidhjes së problemeve. Pas një studimi të platformës, Bejko thekson se ajo është një reformë centralizuese, që i përqendron kompetencat në institucionin e vetëm që mendohet të quhet Instituti i Trashëgimisë Kulturore (sot IMK-ja), kur sipas tij e ardhmja, nisur edhe nga përvoja e vendeve rreth nesh, i takon forcimit dhe sqarimit të qartë të kapaciteteve të institucioneve me bazë territoriale (Drejtori Rajonale, Park Arkeologjik apo Zyrë e Administrimit të një qendre historike). Sipas Bejkos, nëse kjo reformë nuk thellohet në disa aspekte kryesore, do t’i shtojë më shumë probleme sistemit aktual të trashëgimisë.
Kanë kaluar 7 vjet që nga reforma e fundit e miratuar për sistemin e trashëgimisë kulturore. Një tjetër platformë është hedhur tashmë për diskutim. Sipas jush, zhvillimet e këtyre viteve diktojnë nevojën e një reforme të re?
Mendoj se sistemi i trashëgimisë kulturore ka nevojë të thellojë reformën e nisur që në vitin 2003. Eksperienca ka evidentuar një numër problemesh, të cilat kanë nevojë të saktësohen në aspektin ligjor, ashtu dhe në atë organizativ të sistemit të trashëgimisë. Në këtë kuptim të përgjithshëm, thellimi i reformës është një nevojë e kohës. Ne kemi dy pika fikse mbi të cilat mund të diskutojmë: eksperiencën e para vitit 2003 dhe 7 vitet pas miratimit të ligjit aktual për trashëgiminë kulturore, e nga ana tjetër një platformë e propozuar nga Neritan Ceka dhe Apollon Baçe.
Një nga pikat kryesore të platformës është fuqizimi i Institutit aktual të Monumenteve të Kulturës, duke i dhënë kompetenca që sot nuk i ka. Si ish-drejtor i këtij institucioni, mendoni se ky veprim u jep zgjidhje disa problemeve?
Sistemi ynë i trashëgimisë kulturore, duke filluar nga viti 2003, ka përvijuar një profil të vetin, i cili përputhet në vija të përgjithshme me zhvillimin dhe tendencën e zhvillimit të vendeve të krahasueshme me ne, ato europiane dhe të Mesdheut, por ndjek edhe tendenca që përvijohen nga eksperienca e organizatave ndërkombëtare si UNESCO apo e konventave të ndryshme. Instituti i Monumenteve të Kulturës është institucioni më i rëndësishëm i sistemit të trashëgimisë kulturore dhe nëse ka institucion qendror tek i cili mund të shohë produktin cilësor të profesionalizimit, është pikërisht IMK-ja. Problemi qëndron në vendin që institucionet duhet të zënë në këtë sistem. Platforma që është paraqitur për diskutim e vë theksin te një model i centralizuar i sistemit të trashëgimisë kulturore në qendër të së cilit vendoset Instituti i Trashëgimisë Kulturore. Instituti i Monumenteve transformohet në një institucion tjetër me funksione shumë më të gjera dhe të gjithanshme: funksione kërkimore, gjurmuese, përgatitës i projekteve të restaurimit dhe të menaxhimit të praktikës arkeologjike në vend, të menaxhimit të pasurive kulturore në terren përmes drejtorive rajonale. Ne, si oponentë të modelit të paraqitur, jemi duke promovuar modelin e një sistemi që vë në qendër të tij institucionet me bazë territoriale, pra institucionet që menaxhojnë në terren burimet e trashëgimisë kulturore: arkeologjike, arkitektonike, por edhe ato jo materiale që deri tani për hir të së vërtetës kanë ngelur pak jashtë vëmendjes së sistemit. Problemi që kemi me platformën e paraqitur është parimor: çfarë forme do të ketë në thelb të filozofisë sistemi, do ketë një formë të centralizuar, pra në qendër të tij do të jetë një institucion qendror i madh, i zgjeruar, apo do të jetë institucioni rajonal që do të ketë përparësi (Drejtori Rajonale, Park Arkeologjik apo Zyrë e Administrimit të një qendre historike). Për mua personalisht thelbi i sistemit duhet të bazohet në vënien në qendër të institucioneve që funksionojnë në bazë territoriale. Me këtë nënkuptoj që kjo strukturë të forcohet në autoritetin real që ka në vendimmarrjen për atë pjesë të trashëgimisë që administron. Shoqëria e sotme kërkon një institucion dinamik në terren që negocion në mënyrë të vazhdueshme me pushtetin lokal, me komunitetin dhe me interesat lokale. Ndërkohë, sistemi i centralizuar e vë theksin te përqendrimi i figurave profesionale në këtë institucion të madh në Tiranë, i cili do t’i japë drejtim gjithçkaje që lidhet me trashëgiminë përmes mekanizmave të veta, që janë drejtoritë rajonale. Ne mendojmë se drejtoritë rajonale duhet të jenë të afta të menaxhojnë burimet e veta në territorin që administrojnë.
Ju mendoni se modeli që propozoni i zgjidh problemet që kanë sot drejtoritë rajonale të kulturës?
Besoj se ka disa probleme që lidhen me një memorie të gjatë që ka sistemi ynë i trashëgimisë, memorie që i përket së kaluarës. Pavarësisht se njerëzit e sistemit veprojnë në një realitet të ri, mendojnë dhe veprojnë për inerci me pikëpamjet dhe parimet e sistemit të së kaluarës. Një pjesë tjetër e debatit lidhet me rolin që institucionet shtetërore duhet të kenë në menaxhimin e trashëgimisë dhe në figurat profesionale që përfshihen në këtë sistem. Unë jam i shqetësuar se vë re një tendencë të transformimit të drejtorive rajonale dhe të institucioneve mbi bazë territoriale, në mekanizma zbatues të politikës që bën tjetërkush. Studimi i platformës së paraqitur duket një cenim i përbërjes profesionale të drejtorive rajonale në tërësinë e kapacitetit profesional. Ky model i centralizimit nuk më duket forma më e mirë dhe nuk e zgjidh problemin që kemi për kontrollin real të territorit në vendin tonë. Kjo reformë veçse do t’i shtonte problemet që kemi në sistemin e trashëgimisë kulturore.
Sipas jush, në cilin kah duhet të orientohet platforma?
Unë mendoj se e ardhmja i takon forcimit dhe sqarimit të qartë të kapaciteteve të institucioneve me bazë territoriale. Atje menaxhohet sistemi, monumentet e kulturës e po atje është e ardhmja e zgjidhjes së kontrollit të shumë monumenteve që nuk mund t’i kontrollojmë dot nga Tirana. Suksesi dhe dështimi i ruajtjes, menaxhimit dhe i promovimit të monumenteve të kulturës duhet të jenë institucionet me bazë territoriale. Sot përplasemi nga Instituti i Monumenteve në Ministrinë e Kulturës dhe në drejtoritë rajonale sepse varësia, kompetencat, përgjegjësia nuk janë përcaktuar saktë. E ardhmja duhet t’i përkasë përcaktimit të qartë të kompetencave territoriale.
#