Rama: Në 2013-n, front i madh kundër Saliut. Berisha, objekt barcaletash me rekordet e notit
Në pjesën e dytë të intervistës për Shekullin, kreu socialist Edi Rama flet për garancitë e votës në vitin 2013, e që sipas tij nuk janë vetëm ligjore. Mekanizmi i vetëm që mund të neutralizojë vjedhjen e votës, është sipas tij pjesëmarrja masive në zgjedhje. Me interes politik është edhe qëndrimi që kreu i PS-së mban për vetë përfaqësimin dhe prezantimin e kësaj të fundit në publik. Ftohja e një mase të elektoratit me selinë rozë, rezulton një ndër problemet më serioze dhe me kosto në zgjedhje. Përgjigjjae Edi Ramës kundrejt këtij problemi është thjesht ballafaqimi me faktin si të tillë dhe njohja e partisë ashtu siç është në realitet. Nuk pretendoj të bind askënd se PS-ja apo unë vetë mishërojmë përsosmërinë apo pagabueshmërinë, shprehet ai, por shton se në çdo rast vullneti i opozitës për të ndryshuar vendin është i padiskutueshëm. Ndërkohë Rama jep edhe një mendim të vetin për arsyet e rekordeve të fundit të Kryeministrit, në qëndrimin në ujë, të cilat vlejnë për tu përmendur për sa kohë zënë vend jo rrallë edhe në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
A duhet të jenë të qetë qytetarët shqiptarë që do të shkojnë të votojnë se kësaj radhe nuk do të vidhet vota dhe se historia e debatit për kutitë nuk do të vijojë nga e para duke i bërë njerëzit të thonë skam pse shkoj të votoj kur vota ime vidhet?
Edhe këtu ka një keqkuptim të madh besoj unë! Shumëkush flet për votën e tij si për një lopë për të cilën duhet të kujdeset kooperativa. Vetë fakti që sot e gjithë ditën flasim për kërcënimin e vjedhjes së votës, duhet ti ndihmojë njerëzit të kuptojnë se nëse vërtet duan ndryshimin atëherë jo vetëm as që duhet ta diskutojnë shkuarjen ose jo në votim, po edhe duhet të përpiqen të bindin edhe dikë tjetër rreth tyre që të mos rrijë në shtëpi ditën e votimit. Askush smund të jetë i qetë për fatin e votës së vet deri në çastin kur Sali Berisha do të dalë në televizor për të pranuar humbjen, pra edhe përtej ditës së vetë zgjedhjeve. Ne padyshim do të bëjmë çmos që vota të mos preket, eksperienca e fituar dhe disa ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor do të na ndihmojnë shumë për këtë. Por përderisa hajduti i votës në këtë vend është shteti që normalisht duhet të ruajë popullin nga hajdutët, atëherë secili duhet të bëjë diçka më shumë për ta mbrojtur votën e tij nga hajduti. Dhe mbrojtja më e mirë është masiviteti në votime, rritja e pjesëmarrjes për të neutralizuar efektin e çdo vjedhjeje të mundshme.
Flisni për Rilindje Shqiptare, por kur qytetarët shohin PS-në dhe përfaqësuesit e saj, më tepër ndjejnë diçka të ndryshme dhe më të padëmshme se Kryeministri sesa njerëz që besojnë realisht te Shqipëria. Është sipas jush çështje perceptimi, apo PS-ja bart me vete probleme që ende nuk i ka korrigjuar?
E thashë edhe pak më lart. Rënia ekonomike, padrejtësitë, krimet e korrupsioni i kudondodhur, i kanë lodhur njerëzit dhe e kanë sfiduar keq durimin e tyre duke i bërë rëndom të vendosin krejt pa të drejtë shenjën e barazimit mes qeverisë e opozitës. Është e pamundur të gjesh një opinion plotësisht kritik ndaj qeverisë ku të mos ketë edhe një dozë helmi ndaj opozitës. E gjitha kjo mund të ishte normale në kushtet e një jete politike mediokre e bajate, por sidoqoftë demokratike. Po si mund të jetë kështu në kushtet kur pushteti vret, grabit, rrënon dhe përbën një kërcënim të hapur për vetë funksionimin e sistemit demokratik? Si mund të thuash e mo se vërtet këta vrasin e presin, po edhe opozita mban përgjegjësi që i lejon ta bëjnë, kështu që të dyja palët kanë njësoj faj për vrasjet e prerjet? Apo më keq akoma, si mund të mendosh e të predikosh se meqë edhe ata që janë në opozitë kanë të metat e tyre, atëherë më mirë as me njërin e as me tjetrin, po bum kokës të dyja palëve? Kësaj i thonë të minosh mekanizmin jetik të rotacionit si zgjidhja që qëndron në themel të procesit demokratik! E përsëris, nuk pretendoj të bind askënd se Partia Socialiste apo unë vetë mishërojmë përsosmërinë apo pagabueshmërinë. Përkundrazi. Por pretendoj që ti bind të gjithë ata që janë të dëshiruar për ndryshimin, se jam i tëri i investuar me zemër e me mendje për të hapur rrugën për një Rilindje Shqiptare. Me një skuadër njerëzish që do të ketë cilësitë e nevojshme në funksion të qëllimit tonë për ta hapur rrugën e re për Shqipërinë. Me një program që si asnjëherë në këta 20 vjet është diskutuar deri më tani me dhjetëra mijëra njerëz dhe do të jetë një kontratë e mirëfilltë me shqiptarët. Dhe me një front të madh forcash e individësh të vendosur përballë koalicionit, që prej tre vjetësh po e dërrmon Shqipërinë dhe Saliu që prej shtatë vjetësh po rend marrëzisht drejt një projekti që ska të bëjë me Shqipërinë si gjithë Europa.
Kritikoni shpesh qeverinë për turizmin, ndërkohë që duhet thënë se Kryeministri prej vitesh bën pushimet vetëm në Shqipëri. Ju vetë ku preferoni të pushoni dhe pse duket se nuk para e pëlqeni detin?
Nuk e shoh hiç lidhjen mes një turizmi në rënie dramatike për shkak të rënies drastike të ekonomisë familjare shqiptare, përveçse edhe për shkak të një modeli të kuturushëm zhvillimi që ska asnjë qëndrueshmëri afatgjatë, dhe faktit që kryeministri i bën pushimet në vilat e tij qeveritare në Shqipëri. Më shumë se sa ti bëjë vetë pushimet në Shqipëri, gjë që padyshim është krejt normale, kryeministri duhet të krijojë kushtet që sa më shumë shqiptarë, nga tërë trevat shqiptare, të bëjnë të njëjtën gjë dhe jo të ikin për vit e më shumë drejt brigjeve të tjera për shkak se në Shqipëri ska standarde pushimi e shërbimi. Çuditërisht vetëm para pak ditësh Saliu e pa atë që ai vetë ka frymëzuar njëzet vjet rresht dhe ka lënë të ndodhë për shtatë vjet me radhë: Shkatërrimin e bregdetit nga barbaria e ndërtimtarisë pa asnjë kriter e karar! Tha se do ti prishë të tëra ndërtimet në bregdet, po sdi çdo tu thotë atyre të cilëve vjet u tha ndërtoni edhe pa leje se burokracia vendore po pengon zhvillimin që na duhet në bregdet(?) E ndërkohë sdi çka për të thënë për plehrat e kudondodhura nëpër bregdet që çdo vit ka premtuar se do ti pastrojë, por çdo vit shtohen më shumë njësoj si gënjeshtrat e Saliut(?). Sa për mua pushimet janë periudhë e mirëseardhur leximesh më të shpeshta se sa gjatë vitit dhe mundësi për të shkuar e gjetur, tre ditë diku a katër diku tjetër, miq me të cilët përndryshe stakohem dot asnjëherë për shkak të pu