Rama: Në 23 qershor ti japim fund politikës së tuneleve elektorale
Partia Socialiste ka mbyllur fushatën e saj elektorale në Librazhd
Partia Socialiste ka mbyllur dje fushatën elektorale në Peqin dhe Librazhd. Gjatë fjalës së tij në Peqin, kryesocialisti kërkoi votën e të gjithëve që në 23 qershor, sipas Ramës ti jepet fund rrënimit të mëtejshëm të vendit. Hiqni nga kurrizi ata, flakini dhe përqafoni ëndrrën e rilindjes, duke shkuar në 23 qershor në kutinë e votimit dhe duke vendosur fundin e rrënimit dhe fillimin e Rilindjes”, tha Rama. Ndërkohë pas Peqinit, kreu i PS-së u ndal në Librazhd. Gjatë fjalës së tij, Rama u premtoi banorëve se gjatë qeverisjes së socialistëve do të ulë çmimet e ushqimeve si dhe do të legalizojë të gjitha banesat e ndërtuara.
Deklarata
Ne së bashku do rilindim Librazhdin, do rilindim fshatin, do sjellim ujin në çdo tokë e parcelë, do ulim çmimet e ushqimeve që sot familjet e zakonshme dridhen kur shkojnë në pazar, do lehtësojmë biznesin e vogël, do bëjmë legalizimet e shtëpive të ndërtuara pa leje, ne do ju Rilindim, u shpreh Rama. Kreu i PS-së u kërkoi banorëve të Librazhdit që ti thonë jo tuneleve elektoralë. Le t’u japim fund tuneleve elektorale. Ne sot vijmë në këto sheshe që ti japim fund epokës së rrënimit dhe të hapim rrugën e demokracisë. Unë jam i bindur se këtë shesh e ka mbushur sot krenaria juaj legjitime për këta kandidatë që kemi prezantuar këtu dhe nuk kemi mbushur autobusa si Saliu, deklaroi Edi Rama. Kur kemi hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, Partia Socialiste ka nisur mbylljen e fushatës elektorale në disa nga qytetet e vendit. Ndërkohë për sa i përket ditës së premte e cila është edhe dita e fundit e fushatës elektorale PS ndryshe nga vitet e tjera por edhe nga partitë e tjera do ta mbyllë fushatën e saj elektorale në një miting në qytetin e Vlorës. Pikërisht qarku i Vlorës është edhe qarku në të cilin garon edhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
PS: Dëmtohen furgonat e shtabeve elektorale në Peqin dhe Kurbin
Partia Socialiste ka denoncuar dy incidente të ndodhura gjatë ditës së djeshme në Peqin dhe Kurbin. Kështu sipas përfaqësuesve të PS-së pas përfundimit të mitingut në Peqin persona ende të paidentifikuar kanë goditur furgonin i cili kthehej nga Rogozhina si dhe kanë ushtruar presion ndaj mbështetësve të PS-së. Nga ana e saj, policia e Elbasanit ka hedhur poshtë pretendimet e PS për një incident elektoral, ndërsa shprehet se furgoni është dëmtuar duke thyer një prej xhamave, ndërsa po punohet për kapjen autoreve. Ndërkohë në Kurbin, PS denoncon djegien e një furgoni që zyra elektorale kishte punësuar për nevoja te saj. Djegia e furgonit ka ndodhur ne fshatin Patok. Edhe këtë ngjarje partia socialiste e lidh me motive politike, ndërkohë që policia ka nisur hetimet.
Braçe: Imami 1 miliardë lekë nga
ministria e Mbrojtjes për fushatë
Kandidati për deputetë i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Erjon Braçe akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se ka vënë në dispozicion në fushatës së Partisë Demokratike 1 miliardë lekë. Në një intervistë për Top-Channel, Braçe thotë se këto para kanë dalë nga buxheti i ministrisë së Mbrojtjes. Të gjithë e kanë në vëmendje spotin politik të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sot u them shqiptarëve që ky spot ka kushtuar 1 miliard lekë të vjetra; vetëm për një muaj fushatë elektorale, vetëm për një muaj fushatë të ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Paratë kanë dalë të gjitha nga buxheti i shtetit, i Ministrisë, nga buxheti i Qendrës Kulturore të Ushtrisë në datë 21 maj dhe pastaj janë transferuar në llogari të tjera për të financuar fushatën elektorale të Partisë Demokratike, të Qeverisë të Partisë Demokratike, shprehet Erjon Braçe.
Ruçi: Në 100 ditët e para do ulim
çmimin e naftës me 35 përqind
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi zhvilloi një takim me banorë të komunave Cakran dhe Levan. Gjatë fjalës së tij, Ruçi u premtoi banorëve se PS është angazhuar konkretisht për uljen e kostove të prodhimit bujqësor, ndërsa shtoi se kjo forcë politike ka një plan të detajuar për të çuar ujin në çdo parcelë për vaditjen dhe kullimin e çdo tokë bujqësore. Ky plan ka edhe koston e tij financiare të mirëllogaritur nga ekipi i specialistëve shqiptarë dhe të huaj, që punuan për dokumentin themelor të socialistëve për qeverisjen e pas 23 qershorit. Kjo faturë financiare për ujin në çdo parcelë është 160 mln dollarë, tha Ruçi. Në vijim, Gramoz Ruçi u premtoi banorëve se në 100 ditët e para të qeverisë socialiste do të ulet çmimi i naftës me 35 përqind. Që çmimet e plugimit, të frezimit, të korrjes të bien 35% duke ulur çmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes votoni numrin 29, votoni Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të merrni 35% më lirë litrin e naftës se sa ai që e merr për veturën e tij Saliu, premtoi Ruçi.