LSI: KQZ dështoi për verifikimin elektronik të zgjedhësve
LSI: KQZ dështoi për verifikimin elektronik të zgjedhësve
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi qeverinë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se dështoi në projektin për verifikimin elektronik të zgjedhësve. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani pas dështimit të këtij projekti u bëri apel anëtarëve të komisioneve të votimit që të bëjnë kujdes në verifikimin e zgjedhësve. Në Shqipëri ka dështuar, për faj ekskluziv të qeverisë shqiptare dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi i verifikimit elektronik të kartës në Tiranë, njëra prej dy risive teknologjike që ishin miratuar me shumë konsensus dhe me shumë dashamirësi nga partitë politike, nga Parlamenti shqiptar. Gjë kjo që praktikisht e vendos në vështirësi procesin e verifikimit ose heqjen e dyshimeve për karta false e kështu me radhë. Por, që sidoqoftë është një çështje e zgjidhur dhe unë jam sot këtu për ti bërë thirrje gjithë punonjësve të strukturës zgjedhore, anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit duke filluar nga anëtarët e LSI-së të tregojnë kujdes dhe përkushtim maksimal për të verifikuar qartë dhe në mënyrë të ndershme zgjedhësit, tha Manjani. Në vijim, Ylli Manjani akuzoi KQZ-në se harxhoi 2 milionë euro për një projekt i cili dështoi.
Fyle dhe Ashton: KQZ të jetë plotësisht funksional
Komisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle dhe Baronesha Ashton i kanë bërë thirrje politikës në vend për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve të kërkuara. Ne vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër përgatitjet e zgjedhjeve duke theksuar nevojën që ato të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Në këtë kontekst, liderët politikë të gjejnë një mënyrë, të pranueshme për të gjithë, për të bërë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë plotësisht funksional. Ne kujtojmë se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë liderëve dhe partive politike shqiptare për të përforcuar besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe për të krijuar kushte që rezultatet e zgjedhjeve të pranohet nga të gjithë”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian.
Meta: Vota për LSI është vota për të ardhmen
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi takime me banorë të Këlcyrës, Përmetit dhe Tepelenës. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se vota për LSI-në është investimi më i mirë për të ardhmen. Vota për LSI-në është investimi më i mirë për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Në do tjua kthejmë me një mbështetje për investime por edhe përfaqësimin e merituar tuajin në të gjitha qeverisjet qendrore dhe rajonale, tha Meta. Në vijim, kreu i LSI-së vlerësoi kontributin e forcës së tij politike në zhvillimin dhe integrimin e vendit. Qytetarët e Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë do të votojnë për ne se ata çmojnë LSI-në si një forcë qytetare, si një forcë që është për bashkëpunim, për zhvillim dhe për integrimin e vendit. Edhe në kulmin e fushatës elektorale, edhe në kulmin e luftës politike ne arritëm, me mençuri, me urtësi dhe me këmbëngulje që të mblidhnim Parlamentin dhe të gjithë të votonin tre ligjet që do ti japin Shqipërisë në dhjetor statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, deklaroi Ilir Meta. Duke u ndalur tek programi, Meta tha se LSI ka një program të qartë për rritjen e punësimit në vend. LSI si asnjë forcë tjetër politike ka një program të qartë për punësimin. Të gjitha politikat tona synojnë rritjen e punësimit, si ato arsimore për zhvillimin e arsimit të mesëm profesional dhe për formimin profesional, si politika e taksave njëkohësisht, sepse për ne çdo gjë duhet vënë në funksion të rritjes ekonomike dhe të rritjes së punësimit, u shpreh Meta.