Rama: Në Kuvend, vetëm kur të hapen kutitë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se për marrëveshjen detare me Greqinë do të vendosë Gjykata Kushtetuese
TIRANË - Opozita do t'i kthehet sërish Tiranës për një protestë më të madhe se ajo e Beratit, pikërisht më 20 Nëntor. Ka qenë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ashtu si edhe gjatë protestës së Beratit, ka qartësuar para të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare se protestat do të përshkallëzohen në të gjithë vendin, me qellim transparencën e zgjedhjeve. Çdo shmangie nga plotësimi i kërkesave të opozitës, sipas Ramës, do të jetë kostoja që do të paguaje kryeministri, Sali Berisha.
"Dëshiroj të theksoj se protestat tona do të përshkallëzohen dhe se më 20 nëntor, ashtu sikundër doli spontanisht në protestën e djeshme në qytetin e Beratit, ne do të rikthehemi përsëri në Tiranë, në një manifestim akoma më të madh dhe me një këmbëngulje akoma më të madhe për të kërkuar me forcë të drejtën tonë dhe për të kërkuar me forcë që kërkesat tona, të cilat janë kërkesa elementare për një demokraci funksionale të plotësohen, duke nënvizuar përditë dhe më me forcë se, çdo shmangie nga plotësimi i këtyre kërkesave do të jetë kostoja që do ta paguajë Sali Berisha", - tha Rama.
Kryetari i opozitës shtoi se, opozita nuk do të bëhet pjesë e Kuvendit, në rast se kryeministri nuk i jep popullit opozitar të drejtën që të hapë kutitë dhe të shohë votën e 28 qershorit. Para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, kryetari i PS-së, Edi Rama, qartësoi se opozita kërkon që zgjedhjet e 28 qershorit dhe çdo element i paligjshëm, që lidhet me to të hetohet nga Parlamenti, për të mos u përsëritur më, duke filluar së pari nga hapja e kutive të votimit.
"Mospranimi për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke mos i dhënë opozitës të drejtën të hapë kutitë përpara popullit, është jo vetëm prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne e mbrojmë dhe do ta mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund", - tha ai. Rama iu përgjigj edhe komenteve të shumta lidhur me mospraninë e opozitës në sallën e Kuvendit. "Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë, se boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në Parlament, por përkundrazi e fsheh, ndërkohë që beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike është një betejë për të mbrojtur parlamentarizmin, për të mbrojtur themelet e Parlamentit, idenë dhe kuptimin e Parlamentit", - tha ai.
Progres-raporti
Duke iu referuar progres-raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, kryetari i PS-së Edi Rama, theksoi se, familja në pushtet jo vetëm e ka të pamundur ta nxjerrë vendin nga spiralja e korrupsionit, apo influenca e krimit të organizuar, por është vetë pengesa kryesore për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe qytetare, që po ndeshet përditë e më shumë nga një qeverisje e orientuar nga interesat e pushtetit të familjes.
"Duhet të jetë e qartë për të gjithë, siç është e qartë drita e diellit dhe siç mund të lexohet, duke kuptuar drejt rreshtat e Raportit të KE-së, se korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet e ndryshme, nuk janë një detyrë e opozitës, janë një detyrë parësore e qeverisë dhe në rast se këto fenomene sot nuk kanë njohur ato përmirësime të domosdoshme për të liberalizuar vizat me Shqipërinë, për këtë ka vetëm një njeri, që duhet të japë llogari: Është Sali Berisha dhe pushteti i tij, pushteti i Familjes së tij, pushteti i interesave të kësaj familjeje", - tha ai.
Marrëveshja detare
Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk ka lënë jashtë vëmendjes së tij edhe marrëveshjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. "Asnjë transparencë dhe vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëri përballë diskutimesh dhe konkluzionesh konkrete të ekspertëve të fushës. Diskutime dhe konkluzione që nxjerrin në pah se bëhet fjalë për një marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me interesin kombëtar dhe kjo është arsyeja pse dhe ne u bëmë nismëtarë të një ankimimi në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar në hullinë e duhur këtë çështje", - tha Rama.
Ai shtoi se opozita do t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të ushtrojë të gjithë kompetencën e saj dhe të japë një konkluzion, bazuar në një ekspertizë të imët, në mënyrë që kjo çështje, të trajtohet me dinjitetin e duhur. "...Të mos kthehet në asnjë mënyrë në një burim për ta devijuar këtë debat kaq të rëndësishëm në një debat të rëndomtë, të ushqyer me pasionet të panevojshme dhe për më tepër pastaj të instrumentalizuar në dëm të një marrëdhënieje, e cila për Shqipërinë është një marrëdhënie strategjike",- tha ai.