Rama: Ne jemi garant të SPAK-ut, kush bën punë të pandershme të shkojë ku e ka vendin

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se qytetarët duhet të jenë krenarë për përparimin e bërë në fushën e reformës në drejtësi. Ai nënvizoi se garantët që drejtësia e re të vijojë punën edhe pas 11 majit është Partia Socialiste, teksa shtoi se kush shkel besimin e qytetarëve, sot jep llogari para drejtësisë.
Në fjalën e tij nga Shkodra gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 11 majin, Rama theksoi se “për herë të parë që nga viti 1912, pushteti politik ka dorëzuar ‘shpatën’, duke ia lënë në dorë drejtësisë”.
Ai theksoi se, “kushdo që keqpërdor pushtetin e dhënë nga qytetarët, duhet të shkojë aty ku e ka vendin”.
“E rëndësishme është që të gjithë merren me ne, të gjithë s’lënë gjë pa thënë për ne, të gjithë na tregojnë ne me gisht madje kanë dhe një paturpësi të madhe që na tregojnë ne me gisht për punët që po bën drejtësia. Na tregojnë ne me gisht pse edhe disa ndër ne kanë probleme me drejtësinë. Ndërkohë që nëse kjo ditë erdhi, erdhi sepse këtë ditë e sollëm ne, e solli vizioni, kurajoja, reforma në drejtësi, mbështetja jonë për institucionet e reja të drejtësisë dhe vendosmëria që lufta kundër korrupsionit të jetë totale, qoftë në parandalim siç kemi bërë dhe po bëjmë me reformat gjë që për të cilën BE ka fituar një besim shumë të madh tek Shqipëria dhe tani thonë duam të vini brenda, qoftë me goditjet që bën drejtësia. Ne dorëzuam shpatën për herë të parë nga 1912, pushteti politik s’ka shpatën që i takonte ta kishte drejtësia dhe për herë të parë e ka drejtësia në dorë shpatën. Tani ne duhet të ulim kokën për të, përkundrazi, përtej të gjitha lajthitjeve, gabimeve, çudirave që mund të ketë ky proces në thelb ky është një proces historik i domosdoshëm të cilin ne e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim deri në fund”, tha Rama.
“Ndërkohë që ata që s’do kenë asnjëherë gjë në dorë, ata SPAK e shohin si të vetmen shpresë që të kapin ndonjë gjë sepse ndryshe s’kanë sesi luftojnë fare me ne, e shohin si aleatë për të bërë politikë opozitare dhe kjo është normale, punë e tyre” vijoi kreu i PS.
Rama theksoi se PS është e vetmja forcë garante për vijueshmërinë e drejtësisë së re
“Ndërkohë që bufi kënetës bashkë me kënetën thonë në 12 maj ne do ta shkrijmë. Kështu që jemi ne garantët për këtë dhe duhet të jemi shumë krenar për këtë. Ne e kemi shumë te qartë vijën, kush është këtu për qëllimin e përbashkët është i nderuar, kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe e përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës tonë të shkojë atje ku ka vendin, është shume e thjeshtë, s’ka asnjë gjë për të pasur dyshime dhe dilema por kjo është një propagande e vazhdueshme”, tha Rama.
“Unë besoj që ne jemi, jo vetëm në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, por jemi absolutisht forca e duhur për të realizuar këtë qëllim të madh. Dhe kjo duhet të jetë kryefjala, pastaj të gjitha të tjerat një nga një, duhet dhe do të trajtohen deri në nivelin individual, deputeti me qytetarin, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, bashki më bashki, edhe në rangun e gjithë republikës”, përfundoi kreu i qeverisë dhe njëherazi kryetari i PS, Edi Rama.
/a.f/