Ballistët: Të dënohen krimet e komunizmit
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat kërkon dënimin e krimeve të komunizmit dhe sipas tyre, e keqja më e madhe për shoqërinë e sotme ka qenë dhe mbetet mentaliteti komunist i shoqërisë. Kryetari i PBKD-së, Artur Roshi, u shpreh se vepra malinje e diktaturës nuk mbaroi me shembjen e sistemit, pas saj Shqipëria mbeti si një tokë e minuar. Ai deklaroi dje se diktatura komuniste i bëri krimet, por mosdënimi i tyre në këta njëzet vjet nga një pjesë e politikës e bën atë bashkëpunëtore të tyre. Në gjykimin e PBKD-së, rrëzimi i ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese ishte shembull i qartë i ngurrimit të segmenteve të caktuara të shoqërisë sonë për t’u ndarë me të shkuarën kriminale të komunizmit. PBKD e ka hedhur herët idenë për krijimin e Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit dhe përshëndet vendimin e mazhorancës për ta ngritur sa më shpejt atë. Sipas ballistëve, zbulimi i trupave të pushkatuar në luginën e Dajtit pak ditë më parë, ndërkohë që në vend ka një debat të mprehtë për dënimin e krimeve të komunizmit, është një goditje e rëndë ndaj ndërgjegjes dhe kujtesës së kombit. Sipas tyre, si ai varr masiv, në Shqipëri ka edhe shumë të tjerë, gjetja e të cilëve do të ishte lehtësuar nëse ne do të kishim hapur arkivat. “Zbulimin, studimin dhe publikimin e krimeve të komunizmit s’duhet ta shikojmë si hakmarrje politike të një pale ndaj një pale tjetër, por si një shërbim të domosdoshëm për brezat e ardhshëm, që t’u lëmë një shoqëri me kujtesë të kthjellët dhe ndërgjegje të pastër”, - u shpreh kryetari Artur Roshi.