Edi Rama minon tryezën e Topit dhe fluturon në Strasburg
Para se të ulen përballë njëri-tjetrit, Sali Berisha dhe Edi Rama do të udhëtojnë dy ditë në Evropë, ku do të takohen me homologë të tyre të djathtë e të majtë. Ky i fundit niset sot drejt Strasburgut për takime me partitë e majta evropiane, ndërsa lideri i mazhorancës, Sali Berisha, do të udhëtojë ditën e enjte drejt Italisë, ku në axhendën e tij ka të mirëpërcaktuar një takim me Kryeministrin Silvio Berlusconi. Kryeministri Sali Berisha niset të enjten në Itali për një vizitë dyditore, gjatë së cilës do të ketë takime me zyrtarë të lartë të shtetit fqinj. Konfirmohet se ditën e enjte, z. Berisha do të jetë i pranishëm në një konferencë ndërkombëtare që organizon Ministria e Ekonomisë së Italisë në Verona, si i ftuar nderi. Bashkë me Berishën mësohet se do të jetë dhe ministri ynë i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ndërsa ditën e premte, Kryeministri Berisha do të udhëtojë në drejtim të kryeqytetit Romë, ku do të ketë një vizitë zyrtare dhe takim me Kryeministrin italian, Silvio Berlusconi. Pas takimit, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp. Mësohet se Berisha dhe Berlusconi do të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim strategjik, por nuk janë dhënë hollësi të mëtejshme. Ndërkohë Rama njoftoi se “bashkë me disa kolegë, nesër, do të nisem në Strasburg, për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të cilët janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize”. Mësohet se ai do të takohet me kreun e grupit parlamentar të social-demokratëve në PE, Martin Shulz dhe po planifikon dhe një takim me ishkomisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Olli Rehn. Pas këtyre udhëtimeve jashtë vendit, Berisha dhe Rama do të takohen në selinë presidenciale, pikërisht ditën e shtunë, për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik, që ka si shkak bojkotin e PS-së ndaj Parlamentit.