E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi: Qeveria duhet të tërhiqet. Të hapen kutitë

Sipas kreut të LZHK-së, nëse shumica nuk pranon hapjen e kutive marrëveshja nuk ka asnjë vlerë politike

TIRANË - Lideri i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thotë se kriza politike duhet të zgjidhet përmes hapjes së kutive të votimit.

Për të arritur në këtë zgjidhje, sipas tij, mazhoranca duhet të lëshojë nga qëndrimi i saj, pasi në të kundërt, marrëveshja me opozitën nuk mund të ketë asnjë vlerë politike.

Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Dashamir Shehi vuri në dukje se nëse nuk arrihet një kompromis politik, përmes të cilit të hapen kutitë e votimit dhe të kryhet transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit, e vetmja alternativë janë zgjedhjet e parakohshme. Por, detyrimi për t'iu shmangur këtyre zgjedhjeve, sipas Shehit, do të bëjë që palët politike, të arrijnë në një marrëveshje midis tyre.

Për sa i përket rolit të Presidentit Topi, si negociator për zgjidhjen e ngërçit politik, Shehi nënvizoi se kreu i shtetit duhet të kryejë funksionin e tij kushtetues dhe politik për të ulur forcat kryesore në tavolinën e bisedimeve.

Ai shtoi gjithashtu se kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike, nuk duhet të shndërrohet në një pazar politik, ashtu si dy vite më parë kur u kryen ndryshimet Kushtetuese, por marrëveshja të realizohet brenda hapësirës së moralit politik.

Z. Shehi, forcat politike janë treguar të gatshme për t'u ulur në tryezën e bisedimeve, me qëllim zgjidhjen e krizës politike, por asnjëra prej tyre nuk pranon kushtet e tjetrës. Si e gjykoni këtë panoramë të zhvillimit politik në vend?

Sigurisht që nga ky moment e deri në uljen e tryezës së bisedimeve do të ketë nga këto kontestimet reciproke, sepse "grindja" u bë kaq e madhe saqë tani për të dalë nga "grindja" secila palë do të tërhiqet pak nga vetja. Unë besoj, se edhe dy javë mund të vazhdojnë këto pretendimet e dyanshme, por kam shpresë që do të mbyllet një herë e mirë kjo punë.

Si mendoni, cila palë duhet të lëshojë në këtë rast?

Sipas principit më klasik që ka demokracia, duhet të lëshojë ai që ka pushtetin, ai që ka shumicën. Ky është realiteti, aq më tepër që kontestimi po bëhet për çështjen e zgjedhjeve, ku nuk po kërkohet ndonjë gjë e madhe.

Por, po kërkohet vetëm hapja e kutive dhe verifikimi i kësaj lloj situate, që me thënë të drejtën nuk ishte shumë normale. Unë gjykoj që Partia Demokratike duhet të lëshojë në këtë rast, ndryshe është e kotë që të flasim për marrëveshje, pasi nuk do të kishte vlerë politika. I vetmi avancim drejt demokracisë do të ishte që eksponentët e mazhorancës, e cila është një mazhorancë relativisht e dyshimtë, duhet të hapin rrugë për të qartësuar pozicionin e tyre.

Ky është gjykimi ynë dhe interesi ynë, pavarësisht se zhurmën e bëjnë të mëdhenjtë, fajtorët në fakt kanë qenë të mëdhenjtë dhe penalizohemi ne pala tjetër, përfshi këtu edhe Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Kështu që, interesi ynë është në radhë të parë që të hapen kutitë e votimit.

Në qoftë se nuk hapen kutitë, komisioni hetimor që do të ngrihet do të jetë një komision normal si gjithë komisionet e tjera, që janë ngritur në Shqipëri. Fatkeqësisht kështu janë ngritur pesë apo gjashtë komisione që nga viti 1997 e deri në vitet e fundit dhe nuk ka dalë asgjë nga këto komisione.

Në qoftë se këtij komisioni duhet t'i japim për herë të parë realisht vlerë, atëherë duhet të vendosen pikat mbi "i", ose të vendosin "gishtin mbi plagë", pjesa tjetër është e gjitha demagogji.

Nisur nga atmosfera e zhvillimeve politike të deritanishme, sa gjasa ka që kjo tryezë e bisedimeve të dështojë ose të ketë sukses, apo mendoni se mund të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme, që mund të kënaqë të dyja forcat politike ?

Unë them që kjo lloj zgjidhje është e detyruar të ketë një minimum suksesi. Ndryshe unë nuk shoh alternativë tjetër, përveçse vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. U pëlqen nuk u pëlqen, njëra palë do të dalë e humbur në këtë mes. Do të humbë diçka, por suksesi i kësaj, është i garantuar nga pamundësia për të pasur zgjedhje të tjera. Këtu të dërgon logjika politike.

Nëse hyhet brenda procesit të negocimit, nisur nga presioni i brendshëm ashtu edhe nga presioni i ndërkombëtarëve, them që do të ketë një zgjidhje. Cili është problemi që ka rëndësi për politikën shqiptare dhe për moralin politik? Zgjidhja vërtet të jetë një kompromis, por kompromis nuk do të thotë në mënyrë automatike që të jetë pazar.

Në qoftë se zgjidhja do të përfundojë ashtu siç ishte në rastin e ndryshimeve Kushtetuese për të realizuar një Kod Zgjedhor për të eliminuar të tjerët, u bënë ndryshime në Kushtetutë, për të rritur pushtetin e Kryeministrit, edhe ajo u quajt një kompromis i madh politik, edhe ajo u shit si suksesi i madh politik shqiptar, por në fakt koha tregoi se ishte thjesht një pazar me modulin siç është bërë në 20 vitet e fundit. Unë shpresoj që të mos përsëritet kjo lloj skeme.

Kur thuhet kompromis, duhet lëvizur brenda hapësirës së kompromisit, që lejon politika dhe morali politik, e të mos përfundohet në një pazar, pasi nëse veprohet në këtë mënyrë, mund të gjenden zgjidhje të shumta, ku njëri mund të kërkojë të shfrytëzojë një pushtet dhe tjetri një pushtet tjetër, duke futur duart tek institucionet e pavarura. Kanë ardhur edhe këto teza në treg. Unë gjykoj që kjo do të ishte rruga më e gabuar.

Atëherë, ky lloj kompromisi nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një shtesë dhe një pazar përmbi pazarin e vjetër që u bë një vit e gjysmë më parë. Sipas kësaj mënyre zgjidhjeje, socialistët do të ktheheshin në Parlament dhe do të quhej sukses i madh nga ana e demokratëve dhe këta të fundit do të bënin sikur po verifikojnë parregullsitë zgjedhore.

Bashkimi Europian ia ka bërë të qartë politikës shqiptare që të zgjidhë sa më parë krizën politike, pasi në kundërt Shqipëria mund të penalizohet në rrugën e integrimit të saj për në BE. A mendoni se kriza politike do të ketë pasoja mbi liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?

Ne do të hyjmë në Bashkimin Europian ashtu siç u futëm në NATO. Do të hyjmë të fundit dhe do të hyjmë me vonesë. Kjo është pasoja që do të kemi nga krizat politike.

Ne duhet të kuptojmë një herë e mirë që këto çështje, duke filluar nga sistemi zgjedhor, procesimi i Kushtetutës, duhet t'i kryejmë, sepse pretendojmë ta bëjmë Shqipërinë një vend europian, pastaj është çështje konjukturash politike se kur na pranon Bashkimi Europian. Unë them që ne jemi këtu pas 20 vitesh duke pretenduar, dhe akoma nuk kemi ndërtuar shtet.

Ky është realiteti dhe ky është një realitet afatgjatë, i cili nuk mund të ndryshohet vetëm me një kompromis të kësaj periudhe. Kush mendon se ky lloj kompromisi do të prodhojë ndonjë mrekulli për imazhin e Shqipërisë, gabon rëndë. Mungesa e zgjedhjeve reale e normale, e ka prodhuar imazhin e keq dhe ka vite që e prodhon.

Kështu që, nuk besoj se Europa fshin për hir të një kompromisi të gjitha hijet që ka pasur politika shqiptare në këto 20 vite brenda saj. Kështu që, nuk jam shumë optimist se ditën që do të kryhet kompromisi, automatikisht ne do të na vendoset një lloj "llaku" europian. Fatkeqësisht, atë që duhej të prodhonim si të mirë në raport me Europën, ne e kemi prodhuar keq.

Kështu që, mendoj se edhe nëse arrihet një kompromis i mirë, nuk është çudi që liberalizimi i vizave që është parashikuar në muajin qershor, të shtyhet për në muajin dhjetor të këtij viti.

Për mazhorancën

Sipas principit më klasik që ka demokracia, duhet të lëshojë ai që ka pushtetin, ai që ka shumicën. Ky është realiteti, aq më tepër që kontestimi po bëhet për çështjen e zgjedhjeve, ku nuk po kërkohet ndonjë gjë e madhe.

Por, po kërkohet vetëm hapja e kutive dhe verifikimi i kësaj lloj situate, që me thënë të drejtën nuk ishte shumë normale. Unë gjykoj që Partia Demokratike duhet të lëshojë në këtë rast, ndryshe është e kotë që të flasim për marrëveshje, pasi nuk do të kishte vlerë politika.

Për kompromisin

Kur thuhet kompromis, duhet lëvizur brenda hapësirës së kompromisit që lejon politika dhe morali politik, e të mos përfundohet në një pazar, pasi, nëse veprohet në këtë mënyrë, mund të gjenden zgjidhje të shumta, ku njëri mund të kërkojë të shfrytëzojë një pushtet dhe tjetri një pushtet tjetër, duke futur duart tek institucionet e pavarura.

Kanë ardhur edhe këto teza në treg. Unë gjykoj që kjo do të ishte rruga më e gabuar.

Integrimi

Nuk besoj se Europa fshin për hir të një kompromisi të gjitha hijet që ka pasur politika shqiptare në këto 20 vite brenda saj. Kështu që, nuk jam shumë optimist se ditën që do të kryhet kompromisi, automatikisht ne do të na vendoset një lloj "llaku" europian.

Fatkeqësisht, atë që duhej të prodhonim si të mirë në raport me Europën, ne e kemi prodhuar keq. Kështu që, mendoj se edhe nëse arrihet një kompromis i mirë, nuk është çudi që liberalizimi i vizave që është parashikuar në muajin qershor, të shtyhet për në muajin dhjetor të këtij viti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›